Ndërlidhjet

Dita e dytë e votimit në Maqedoninë e Veriut


Ekipet që asistojnë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut

Në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet dita e dytë e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Të martën po votojnë personat që vuajnë nga sëmundje të tjera, të moshuarit që për arsye shëndetësore nuk mund të dalin në qendrat e votimit si dhe të burgosurit. Kjo kategori përfshinë 8.855 persona në zona të ndryshme të vendit.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ka siguruar qytetarët që të mos kenë frikë pasi ekipe të specializuara mjekësh janë pranë votuesve, sikur që do të jenë edhe ditën kryesore të votimit, të mërkurën.

“Janë formuar komisione mjekësh të cilat janë mirë të pajisur me materialet e nevojshme për të mbikëqyrur procesin e votimit të atyre që janë në trajtim shtëpiak dhe që nuk mund të dalin në qendrat e votimit dhe konsideroj se votimi po zhvillohet mirë, pasi edhe KSHZ-ja ka edukuar mjaft mirë anëtarët e vendvotimeve zgjedhore duke zbatuar protokollet. Do të jetë një proces i rëndomtë, njëjtë sikur kryejnë një obligim familjar, qoftë në arsim, një vizitë apo sikur kur shkojmë për të blerë në markete. Unë mendoj se këto janë protokolle dhe rekomandime që mund të zbatohen lehtësisht”, ka deklaruar Filipçe.

Të hënën kanë votuar personat e infektuar me COVID-19 dhe ata që ndodhen në vet izolim dhe karantinë për shkak të kontakteve që kanë pasur me të infektuarit. Nga 759 persona të paraqitur për të votuar, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 723 persona.

Në media të ndryshme sociale janë publikuar rezultate nga ky votim, por nga KSHZ-ja i kanë hedhur poshtë njoftimet duke theksuar se rezultate të vlefshme janë vetëm ato që do të publikohen pas ditës së tretë të votimit, të mërkurën, pas orës 21.00.

“Të gjitha këto fletëvotime nga zgjedhjet e ditës së hënë dhe të martë, do të qëndrojnë të mbyllura së bashku me fletët e votimit të ditës së mërkurë, më 15 korrik dhe ato nuk do të hapen apo numërohet deri sa të përfundoj i gjithë procesi zgjedhor. Pas përfundimit të votimit ato do të numërohen së bashku me fletët e tjera të votimit”, ka deklaruar anëtar i i KSHZ-së, Boris Kondarko.

Zgjedhjet të mërkurën do të zhvillohen në bazë të protokollove të veçanta, me mbajtjen e maskave si nga anëtarët e këshillave zgjedhore, vëzhguesit dhe votuesit, me mbajtjen e distancës si dhe dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave.

Maska mund të hiqet vetëm për identifikimin e personave që të votojnë. Të drejtën e votës e kanë 1.8 milionë qytetarë.

Zgjedhjet Maqedoninë e Veriut zhvillohen në gjashtë njësi zgjedhore, dhe në secilin prej tyre zgjidhjen nga 20 deputetë apo 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Për të siguruar ulëse në Kuvend në garë janë 15 parti politike dhe koalicione me gjithsej 1.578 kandidatë.

Beteja kryesore do të zhvillohet mes dy partive maqedonase, LSDM dhe VMRO DPMNE dhe dy partive shqiptare, BDI-së dhe koalicionit opozitar, Aleanca-Alternativa.

Për herë të parë vendvotimet do të jenë të hapura për dy orë më gjatë apo deri në orën 21.00, për shkak të vlerësimeve se votimi mund të jetë i ngadalshëm për shkak të masave të sigurisë që janë aplikuar për mbrojtje nga koronavirusi.

XS
SM
MD
LG