Ndërlidhjet

Shkup: Negociatat për formimin e qeverisë, larg syve të opinionit


Shkup
Shkup

Partitë politike maqedonase Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë dhe VMRO-DPMNE, thonë se janë duke zhvilluar bisedime intensive për të siguruar shumicën parlamentare prej 61 deputetëve, numër ky i nevojshëm për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, por pa dhënë detaje rreth çështjeve për çka është duke u diskutuar.

Dy partitë që e kanë më të thjeshtë arritjen e numrit të nevojshëm për shumicën parlamentare prej 61 deputetëve, Lidhja Social-demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, nuk kanë dhënë detaje rreth zhvillimit të bisedimeve, ndërkohë që thonë se kanë tejkaluar një pjesë të madhe të dallimeve rreth programit për qeverinë e re të vendit, por mbetet e paqartë kush do të jetë në krye të qeverisë së re të shtetit.

Edhe VMRO-DPMNE në vazhdimësi ka theksuar gjatë kësaj periudhe se është në kontakt me të gjitha partitë politike, por pa dhënë detaje rreth këtyre takimeve.

Shtizat kryesisht thyhen rreth asaj se kush do të drejtojë qeverinë e ardhshme të Maqedonisë së Veriut.

Nga Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë së Veriut, për Radion Evropa e Lirë theksojnë se lideri i kësaj partie “Zoran Zaev do të jetë mandatari për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut”.

Ndërkaq nga Bashkimi Demokratik për Integrim, për Radion Evropa e Lirë kanë theksuar se kjo parti mbetet në qëndrimin që “qeveria e re e vendit të drejtohet nga kryeministër shqiptar, përkatësisht Naser Ziberi”.

Sefer Selimi, njohës i çështjeve politike, për Radion Evropa e Lirë thotë se bisedimet mes social-demokratëve (LSDM-së) dhe internistëve (BDI-së), kanë arritur në një pikë të vështirë të zhvillimit të bisedimeve për qeverinë e re, sepse të dy partitë kërkojnë të gjendet një formë përmes së cilës të dalin fitimtarë para elektoratit të tyre rreth synimeve për çka janë angazhuar gjatë fushatës zgjedhore.

“Kompromisi (mes Lidhjes Social Demokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim ) është shumë i vështirë për t'u arritur ku LSDM në asnjë formë nuk dëshiron të lëshojë pozitën e kryeministrit, ndërkohë që BDI si parti politike mbetet faktori kryesor për themelimin e qeverisë ndërkohë që BDI nuk heq dorë të paktën tani për tani nga marrja e pozitës së kryeministrit, dhe kjo i vështirëson negociatat deri në atë fazë që vendoset në pikëpyetje themelimi i qeverisë".

"Megjithëse palët kanë pasur përafrime të paktën nga ajo që kanë shpërndarë si informacion për publikun, por mungesa e tyre në publik tregon se gjërat rreth zhvillimit të negociatave nuk lëvizin dhe aq lehtë”, thotë Sefer Selimi.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se nëse asnjëra nga partitë politike nuk arrin të sigurojë shumicën parlamentare, atëherë Maqedonia e Veriut mund të futet në një krizë të thellë politike, megjithëse zgjidhja e vetme shtojnë se në atë rast mbetet organizimi i sërishëm i zgjedhjeve të reja parlamentare.

Nano Ruxhin, ish-ambasador, ligjërues i shkencave politike në Universitetin FON të Shkupit, për Radion Evropa e Lirë thotë se përmes ndikimit të “forcave ndërkombëtare” vendi do të ketë qeveri të re për tu ballafaquar me sfidat rreth dialogut Shkup-Bruksel për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane.

“Shpresoj që së shpejti të tejkalohen këto probleme dhe vendi sa më shpejtë të jetë e mundur të formojë qeverinë për të mirën e qytetarëve, në të mirë të proceseve euro-integruese dhe veçanërisht për tu ballafaquar me koronavirusin dhe problemet që ka shkaktuar pandemia”, thekson Ruzhin.

Ndryshe, pas konstituimit të institucionit ligjvënës, të martën në bazë të Kushtetutës së vendit rrjedh afati kohor prej dhjetë ditëve për formimin e shumicës parlamentare, pas së cilës presidenti i shtetit Stevo Pendarovski duhet të japë mandatin për të formuar qeverinë.

Pas kësaj, kandidati që ka marrë mandatin nga presidenti i shtetit ka në dispozicion 20 ditë që të paraqet programin e qeverisë së re në parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe të propozojë përbërjen e Qeverisë së re të shtetit.

XS
SM
MD
LG