Ndërlidhjet

Zotimet e qeverisë për luftimin e korrupsionit shihen me skepticizëm


Ilustrim
Ilustrim

Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe nepotizmit, do të jetë një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, bazuar në paralajmërimet e drejtuesve të LSDM-së dhe BDI-së, parti këto që janë marrë vesh për formimin e qeverisë së re.

Kandidati për kryeministër, Zoran Zaev, tashmë ka prezantuar përbërjen e re të qeverisë, e cila duhet të votohet në kuvend, ndërsa për herë të parë do të ketë edhe një zëvendëskryeministër për luftë kundër korrupsionit.

“Ne jemi pajtuar që të zhvillojmë një luftë jo-selektive dhe të thellë me krimin dhe korrupsionin, në të gjitha nivelet, pa marrë parasysh nëse dikush është nga partia, komuna, nga institucionet apo nëse është ekspert, funksionar, i njohur apo i panjohur. Jemi pajtuar për pastrimin e sistemit të drejtësisë dhe kontrollin e prejardhjes së pasurisë së çdo zyrtari të zgjedhur apo të emëruar”, ka deklaruar Zoran Zaev nga Lidhja Social-Demokrate.

Edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, ka thënë se lufta kundër dukurive negative do të jetë e pakompromis. Por, pikërisht ditën e shpalljes së marrëveshjes për qeverinë e re, një zyrtar i BDI-së në qytetin e Ohrit kishte kërcënuar me armë një qytetar, ndërsa tash e një kohë janë ngritur akuza ndaj tij për uzurpim të pronës dhe ndërtime pa leje. Ahmeti ka thënë se nuk mbron askënd që mund të jetë i përfshirë në veprimtari të paligjshme, por ka thënë se këtë duhet ta bëjnë institucionet, por edhe gazetarët.

“Gazetaria hulumtuese duhet të jetë nga më të fortat dhe një nga investimet më të mëdha që duhet bërë për ta luftuar korrupsionin, njerëzit e korruptuar e kështu me radhë, sepse unë nuk mund të shndërrohen as në prokuror, as në hetues e as në gjykatës”, ka deklaruar Ahmeti.

Por, ekspertët thonë se zotime të tilla po dëgjohen një kohë të gjatë, ndërsa praktika tregon se asnjë funksionar nuk ka dhënë përgjegjësi para organeve të drejtësisë.

Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit anti-korrupsion, thotë se është e pakuptimtë që kabineti qeveritar të ketë ministri për luftimin e korrupsionit në kohën kur ka institucione që duhet të merren me këto fenomene. Kjo, sipas tij, lë në hije këto institucione të cilat edhe ashtu nuk kanë dhënë rezultate në punën e tyre. Ai thotë se qeveria duhet të angazhohet në forcimin e pavarësisë së institucioneve ekzistuese në luftimin e dukurive negative pasi çdo formë tjetër e veprimit, do të jetë e destinuar të dështojë.

“Unë mendoj se kjo qeveri nuk do të ketë sukses, për pastrimin e korrupsionit në nivele të larta shtetërore duhet të nisë që nga radhët e veta dhe të partnerëve të koalicionit. Por, duke marrë parasysh gjendjen në të cilën ndodhemi dhe përvojën nga qeveritë e mëparshme, ata kanë qenë penguesit më të mëdhenj të luftës kundër korrupsionit dhe deklarimit të pasurisë së vërtetë të funksionarëve të lartë, andaj edhe besimi te kjo qeveri është në nivelin shumë të ulët”, thotë Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit anti-korrupsion.

Kabineti qeveritar, nga 26 ministri që kishte në të kaluarën, tani do t’i ketë 19 dhe kjo, sipas partive qeverisëse, flet për angazhimin e tyre për administratë më të vogël dhe efikase. Por, sipas ekspertëve, efikasiteti i qeverisë më tepër shihet nga puna e saj dhe ndjekja e rasteve korruptive sesa nga ulja e numrit të ministrive, të cilat janë zëvendësuar me drejtori apo të punësuarit e tyre kanë kaluar nëpër institucione tjera.

Kritika ndaj programit të punës së qeverisë së re ka shprehur edhe opozita duke e quajtur “qeveri të krimit dhe mashtrimit”.

VMRO DPMNE-ja ka thënë se edhe qeveria e re do të jetë vazhdimësi e asaj të kaluarës, e cila sipas opozitës ishte e përfshirë në krime të rënda, si në rastin “Reketi”, dështime në ekonomi, në përballje me pandeminë e afera tjera.

XS
SM
MD
LG