Ndërlidhjet

Abazoviq: Më e vështira, pritet të pasojë


Lideri i koalicionit qytetar “E zeza mbi të bardhë”, Dritan Abazoviq.

"Asgjë që është e lidhur me interesat kombëtare të Malit të Zi, nuk mund të vihet në pikëpyetje. Ne jemi garantues të sovranitetit të Malit të Zi dhe nuk do të ketë shmangie nga kursi perëndimor”, thotë në intervistën për shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, lideri i koalicionit qytetar “E zeza mbi të bardhë”, Dritan Abazoviq. Ai ka theksuar se kursi i politikës së jashtme të Malit të Zi nuk do të ndryshojë, as karshi pranimit të shtetit të Kosovës.
Abazoviqi ka komentuar situatën në Mal të Zi, pas zgjedhjeve parlamentare atje, në të cilat tri listat opozitare kanë fituar shumicën prej 41 ulëseve në Kuvendin e Malit të Zi. Në mesin e fituesve është edhe lista, bartës i së cilës është ai dhe e cila do të jetë vendimtare për formimin e qeverisë së ardhshme.
Abazoviq është doktor i shkencave (në Universitetin e Sarajevës), si dhe aktivist qytetar dhe ekologjik. Që nga viti 2012 ai është në Kuvendin e Malit të Zi. Para 5 vjetësh i është bashkuar Aksionit të Bashkuar të Reformë, delegat i së cilës është në kuvend.

Radio Evopa e Lirë: Zotëri Abazoviq. A keni garanci që partnerët tuaj të ardhshëm të koalicionit do t’i respektojnë të gjitha obligimet ndërkombëtare dhe vendimet e Malit të Zi, përfshirë edhe atë që lidhet me pranimin e Kosovës?

Dritan Abazoviq: Ne edhe në fushatë parazgjedhore kemi thënë që për sa na përket neve dhe në qoftë se ne do të jemi “ndryshues të lojës” - dhe kemi arritur të jemi në këtë situatë - asgjë që lidhet me interesin kombëtar të Malit të Zi nuk mund të vihet në pikëpyetje. Njëjtë, nuk mund të vihen në pikëpyetje as ato që për ne janë obligime të politikës së jashtme. Për aq sa i kam kuptuar kolegët nga taborët opozitar, nga dy koalicionet opozitare, ata kanë deklaruar se nuk kanë asnjë problem me këtë.

Ata me këtë, më duket se e kanë lehtësuar të gjithë situatën dhe unë u jam falënderues. Kur bëhet fjalë për garancitë, ka pasur mjaft pyetje të tilla në periudhën e kaluar. Pra, ne jemi garantues, përderisa kjo varet nga ne. Natyrisht, nëse merremi vesh dhe të mos i paragjykoj gjërat. Pra, ne jemi garantues që nuk do të ketë asnjë kërcim nga rruga e trasuar dhe nga ajo që është nënshkruar. Pra, ne jemi garantues edhe për ruajtjen e sovranitetit të Malit të Zi dhe shtetit qytetar, të kursit të saj të politikës së jashtme, të integrimeve të saj evropiane dhe të gjitha atyre që duhet të jenë bazë për formimin e një qeverie ekspertësh.

Unë mendoj që kjo është garancia më e madhe. Ne garantojmë me emrat dhe mbiemrat tanë, përmes deputetëve. Por, nëse dikush dëshiron të dalë jashtë kësaj politike, atëherë neve nuk do të na ketë partnerë. Kjo është e thjeshtë dhe unë vërtet nuk do të shtoja asnjë shqetësim, sepse mendoj që është bërë një hap i madh përpara, në krahasim me atë që ka qenë retorikë e mëparshme dhe tradicionale opozitare në Mal të Zi dhe që tash jemi të gjithë të gatshëm për t’u ballafaquar me krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe nxjerrjen e vendit nga situata e rëndë ekonomike dhe sociale. Disi, do t’i injorojmë mbase disa përcaktime tona personale dhe programore ose diçka që është interes i ngushtë partiak.

Mendoj që ne, në këtë situatë, duhet të sillemi si shtetarë, t’i harrojmë partitë për një periudhë. Natyrisht që ne mbetemi të lidhur me politikat tona, por duhet të mendojmë si shtetarë. Kjo është hera e parë që Mali i Zi ka opozitë, e cila i ka fituar zgjedhjet dhe është në situatë që të formojë pushtetin dhe të merret me punë shtetërore. Deri më tash nuk ka qenë kështu. Po, ndryshe është të menduarit dhe retorika kur jeni në opozitë dhe ndryshe është kur i merrni funksionet shtetërore dhe me këtë edhe fatin, jo vetëm të votuesve tuaj, por të të gjithë shtetit, pra, pë 625.000 njerëz. Ne kemi përgjegjësi ndaj tyre dhe duhet të sillemi ndryshe.

Parlamenti i ri i Malit te Zi sipas rezultateve paraprake te zgjedhjeve_NEW
Parlamenti i ri i Malit te Zi sipas rezultateve paraprake te zgjedhjeve_NEW

Radio Evopa e Lirë: Konkretisht për çështjen e Kosovës, a keni biseduar ju me ta për këtë. A i keni pastruar gjërat për këtë apo është temë për të cilën ju ende duhet të bisedoni?

Dritan Abazoviq: Dhjetë herë e kam thënë këtë publikisht. Unë nuk e di se çfarë lloj garancie i duhet dikujt. Kam folur lidhur me NATO-n, lidhur me Kosovën, lidhur me flamurin, lidhur me stemën dhe lidhur me himnin. Këtë e kemi thënë dhjetëra herë. Pra, kemi dhënë deklaratë të përbashkët të shkruar menjëherë pas natës zgjedhore. Të nesërmen kemi dhënë deklaratë të shkruar dhe aty thuhet që nuk ka kurrfarë ndryshimesh në kursin e politikës së jashtme dhe obligimeve tona, të cilat shteti i Malit të Zi i ka marrë mbi vete më herët.

Radio Evopa e Lirë: A mund të ndodhë që shumica e re parlamentare të kthejë kursin e politikës së jashtëm kah Kremlini. E dimë që një pjesë e partnerëve të koalicionit tuaj më i afërt është me afër Moskës sesa Brukselit?

Dritan Abazoviq: Prapë ju... Mirë, unë vërtet nuk di se çfarë prisni që të them. A doni që të them se atë që e kemi nënshkruar, do ta anulojmë dhe se do të bëjmë gjithçka të kundërt nga ajo që kemi thënë? Pra, me gjithë respektin - besoni, sepse ju për mua jeni një media serioze - unë nuk mund të përgjigjem në pyetjet, të cilat, sipas mendimin tim personal, nuk kanë asnjë kuptim. Publikut mund t’i interesojë kjo, që qëllimi ynë është që të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian. Nuk do të bëheshim kurrë anëtar i Bashkimit Evropian në rast se do mbetej kjo qeveri kriminale. Ne duhet të japim kontributin që të bëhemi anëtar i Bashkimit Evropian. Unë, personalisht, jam për atë që Mali i Zi, si bashkësi e vogël, duhet të ketë, në përgjithësi, marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjitha vendet, e sidomos me vendet e rajonit.

Por, e adhmja e jonë është në Perëndim. Kush nuk e kupton këtë, mendoj që ai nuk e kupton kontekstin e politikës që zhvillohet këtu. Natyrisht që politika jonë do të jetë e orientuar kah Brukseli, kah Perëndimi, por kjo nuk nënkupton që ne duhet të hyjmë në konfrontim me këdo qoftë, e sidomos jo me superfuqitë. Ne, si vend, i cili 25 për qind të GDP-së së vet e gjeneron nga turizmi, duhet të përpiqemi që me të gjitha shtetet, sidomos me ato që kanë rëndësi shumë më të madhe ndërkombëtare - me respektin për të gjitha – të kemi relacionet më të mira. Pra, nuk ka kurrfarë kërcënimësh dhe kursi drejt Perëndimit nuk do të ndryshojë.

Radio Evropa e Lirë: Pakicat janë të frikësuara nga incidentet pas zgedhjeve, kushdo që i ka nxitur ato. Ju keni qenë në Plevle dhe keni ofruar ndihmë. Partnerët tuaj të ardhshëm të koalicionit, me gjithë të kaluarën e tyre politike - i kanë mbështetur dhe i kanë arsyetuar krimet e luftës dhe e kanë kontestuar gjenocidin në Srebrenicëe - sa mund të jena ata balancues për marrëdhëniet ndëretnike?

Dritan Abazoviq: Më vjen shumë keq për gjithë atë që ka ndodhur në Plevle dhe në disa qytete tjera të Malit të Zi. Thirrja jonë ishte që njerëzit të festojnë në shtëpi dhe të mos provokojnë, sidomos jo kështu me klithma nacionaliste apo me ikonografi nacionaliste. Unë i identifikoj dy gjëra. E para është se ka disa forca retrograde dhe që pushteti për 31 vjet ka bërë gjithçka që disa emocione negative t’u shtypen njerëzve.

Mbase tash ai frustrim po shpërfaqet në mënyrë të gabuar. E dyta, unë nuk dëshiroj që për asnjë sekond të them që kjo nuk ka lidhje me njerëzit që duhet të bien nga pushteti, konkretisht me njerëzit nga policia dhe ANB-ja (Agjencia për Sigurinë Kombëtare) që janë mjaft të prirur për aktivitete të tilla. Pra, po të donte dikush që të përfitonte politikisht, atëherë mbase do të shkruante grafite dhe do të bënte incidente gjatë fushatës politike.

Tash, kur e kemi kapitalizuar fitoren, unë nuk e kam të qartë dhe më duket e palogjikshme që dikush ka nevojë për provokime, ndërkohë që duhet të formohet qeveria. Madje, edhe nëse ekzistojnë disa aspirata negative, gjë që nuk do të doja, mbase do të ishte më e logjikshme që të presin që të formohet qeveria dhe më pas t’i shpërfaqin ato frustrimet e tyre. Këtu ka mjaft të panjohura. Por, dua ta them një gjë dhe të pyes, për rajonin dhe për të gjithë, sa boshnjakë janë larguar për shkak të politikës së DPS-së? Sa bonjakë janë larguar për shkak të situatës ekonomike dhe sa për shkak të mbishkrimeve apo sulmeve nacionaliste? Sa shqiptarë e kanë braktisur Malin e Zi për shkak të politikës së DPS-së dhe sa shqiptarë e kanë braktisur Malin e Zi për shkak se dikush në Ulqin ose Tuz është shëtitur me “tri-ngjyrat” (v.j. flamuri serb)? Kur dikush të përgjigjet për këtë, do të merrni përgjigje të qarta.

Ne kemi qenë në Plevle. Nuk frikësohet Partia Boshnjake për shkak të boshnjakëve. Po të ishte kështu, nuk do të udhëhiqte politikë të këtillë katastrofale, por po frikohet për karriget. Ne u zgjasim dorën e bashkëpunimit partive të pakicave. Le të integrohen në qeverinë e re. Le të japin ekspertët e tyre . E nëjta vlen edhe për partitë shqiptare. Në atë mënyrë le ta japin kontributin që të integrohemi edhe më shumë. Le të japin mbështetjen për koalicionin “E zeza mbi të bardhë” në mënyrë që ne të ndjehemi të fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG