Ndërlidhjet

Reformat e premtuara në drejtësi, shihen me skepticizëm nga ekspertët


Ilustrim
Ilustrim

Ministri i ri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, ka pranuar se besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë të Maqedonisë së Veriut është ulur në nivel shqetësues.

Në një paraqitje para mediave, ai ka thënë se qytetarët kërkojnë drejtësi dhe epilog të shpejtë të proceseve gjyqësore, që ligji të vlejë njëjtë për të gjithë. Mariçiq ka thënë se transparenca dhe përgjegjësia e gjykatave dhe prokurorive, janë parakushte për funksionimin e shtetit të së drejtës, andaj edhe, sipas tij, prioritet në punën e tij, do të jetë ngritja e sistemit të drejtësisë përmes një reforme të thellë dhe hetimin e punës së çdo gjykatësi e prokurori.

“Prioritet numër një do të jenë reformat e thella, përkatësisht pastrimi i gjyqësorit. Kjo do të thotë kontrollimi i pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ana e Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit. Këshilli Gjyqësor, ndërkohë, duhet të kontrollojë punën e çdo gjykatësi në periudhën e kaluar lidhur me lëndët gjyqësore, disa prej të cilave janë vjetërsuar për shkak të mosprocedimit me kohë, mbajtjes në sirtarë, zvarritjes së seancave gjyqësore, e kështu me radhë".

"Një vendim tjetër që kemi marrë është ai për uljen e taksave në gjyqësor për 80 për qind që të gjithë të qytetarët të mos kenë vështirësi financiare për të kërkuar drejtësinë”, ka deklaruar Mariçiq, duke paralajmëruar edhe monitorim të proceseve gjyqësore nga institucionet evropiane".

“Në fillim apo më së voni deri nga mesi i vitit të ardhshëm pritet të fillojë monitorimi nga BE-ja i rasteve të korrupsionit të lartë. Do të jenë rreth 50 lëndë gjyqësore që do të monitorohen nga ekspertë të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë, që do të angazhohen nga BE-ja dhe OSBE-ja”, ka theksuar Mariçiq.

Por, ekspertët janë skeptikë se do të ketë reforma në gjyqësor, pasi siç thonë, premtime të tilla janë dhënë jo vetëm në tre vjetët e fundit të kësaj qeverisjeje, por edhe më herët.

“Premtime të tilla nuk kemi pasur vetëm në tre vjetët e fundit, por mund të them se në 20 vjetët e fundit kemi dëgjuar premtime nga më të ndryshmet për reforma rrënjësore në gjyqësor, ndërkohë që gjendja mbetet e njëjtë. Angazhimet janë vetëm deklarative, pavarësisht se cila parti ka qenë në pushtet, reforma nuk janë bërë. Se në çfarë gjendje ndodhet gjyqësori mjafton të kujtoj rastin e fundit kur një gjyqtar liron nga ndjekja penale një shofer që aksidentoi për vdekje një njeri”, thotë Zvonko Davidoviq, njohës i çështjeve juridike dhe avokat në shumë procese gjyqësore.

Ai thotë se është iluzion të presësh se Këshilli Gjyqësor do të hetojë në mënyrë të pavarur punën e gjykatësve kur dihet fakti se pikërisht ky këshill ka qenë në shënjestër të kritikave për shkak të politizimit të tij.

“Për fat të keq, raportin e Pribes (Rajnhard Pribe) ekspertit gjerman të angazhuar nga BE-ja, të gjithë e kanë harruar. Ne e kemi diagnozën, ajo është shkruar fjalë për fjalë në raportin e Pribes, se ku fillojnë problemet dhe kush është më përgjegjësi për probleme të tilla. Kritikat më të mëdha në raportin e Pribes i drejtohen Këshillit Gjyqësor. Sikur ky trup të pavarësohet dhe të kryejë punën ashtu siç duhet, nuk ka nevojë për shumë zhurmë, për veting, apo reforma tjera”, thotë avokati Zvonko Davidoviq.

Reformat në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, të drejtat themelore, i përmban kapitulli i 23 në negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së që pritet të hapen në fundit të vitit.

XS
SM
MD
LG