Ndërlidhjet

Qeveria hesht pas paralajmërimit të Lajçakut për ndryshimin e Kushtetutës


Kabineti i kryeminstrit Avdullah Hoti.
Kabineti i kryeminstrit Avdullah Hoti.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar në Beograd se në të gjitha takimet që ka pasur në Prishtinë, i është thënë se Kosova do të implementojë të gjitha obligimet që i ka marrë përsipër, duke përfshirë këtu edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajçak ka përmendur edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, duke thënë se ajo nuk është ‘Bibël’.

“Qëndrimi ynë është se ne jemi duke negociuar aq procese serioze që është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta", ka thënë Lajçak në Beograd me 15 tetor.

"Për këtë askush nuk më tha që kjo është e pamundur. Do të thotë, Kushtetuta nuk është Bibël dhe nëse merrem vesh për çështje serioze, normale është, ajo do të duhet të reflektohet edhe në Kushtetutë”, shtoi ai.

Lajçaku e vizitoj Beogradin pas takimeve dy ditore në Prishtinë.

Kjo deklaratë ka ngjallur shumë reagime në Kosovë, mirëpo jo edhe reagimin e Qeverisë së Kosovës. Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë një qëndrim nga zyra e kryeministrit Avdullah Hoti, por të njëjtit nuk kanë komentuar lidhur me këtë çështje ose sa i përket deklarimit të Lajçakut se ‘askush nga bashkëbiseduesit e tij (në Prishtinë) nuk tha që ata nuk do të përmbushnin detyrimet e tyre.’

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka përsëritur në disa raste se Asociacioni është temë që nuk hapet më, por pas takimit me Lajçakun ka thënë se "Asociacioni nuk do të themelohet pa u arritur marrëveshja finale".

Time Kadriaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që është pjesë e koalicionit qeverisës, tha për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë dhe e paprekshme.

Sipas saj, është Serbia ajo duhet ta ndryshojë Kushtetutën e vet dhe duhet të kërkojë falje për të gjitha krimet që i ka shkaktuar popullit të Kosovës.

“Ky është një gabim i madh i Lajçakut, sepse këto deklarata ai është dashur t’i japë në Kosovë. Formimi i Asociacionit duhet të bëhet sipas verdiktit që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, e cila në atë marrëveshje ka gjetur plot 23 nene që nuk janë në harmoni me Gjykatën Kushtetuese. Lajçak nuk ka të drejtë të kërkojë që Kosova të bëjë kompromise të tjera në procesin e dialogut”, tha Kadriaj.

Kurse, në partinë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, thonë se në takimin me Lajçakun, është diskutuar për procesin e dialogut, por jo edhe për Asociacionin.

Zëdhënësi për media i kësaj partie, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit 2015, që e ka bërë projekt të pamundur në Republikën e Kosovës, kjo temë duhet të jetë e mbyllur për të gjithë.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk ka mundur të jetë temë e këtij takimi, pasi Lajçak është shumë i vetëdijshëm për qëndrimet dhe vlerësimet e LV-së në lidhje me të. Prandaj edhe nuk është paraqitur nevoja për riaktualizim të kësaj teme në takim me ne. Të njëjtën konsideratë me gjasë nuk mund ta këtë pasur në takimet e tjera, veçanërisht me ata të cilët e kanë negociuar e përkrahur si marrëveshjen e 2013-s po ashtu edhe atë të 2015-s”, tha Kryeziu.

Partitë e tjera parlamentare në Kosovë, nuk e kanë komentuar deklaratën e Lajçakut të dhënë në Beograd.

Ndryshe, gjatë vizitës në Prishtinë, Lajçak ka deklaruar se përfaqësuesve politikë të Kosovës, në raport me dialogun me Serbinë, u ka bërë thirrje për kompromis.
“Dialogu duhet t'i mbyllë të gjitha çështjet e hapura, por në të njëjtën kohë duhet të jetë e qartë se çdo marrëveshje mund të jetë vetëm rezultat i një kompromisi”, ka deklaruar ai.

Qeveria, jotransparente rreth dialogut Kosovë-Serbi

Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka shkruar se qeveria e Kosovës është dashur të kërkojë që Serbia ta ndryshojë Kushtetutën, duke e hequr Kosovën nga Kushtetuta e saj.

Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri.
Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

“Nuk dëgjuam se Qeveria jonë ka kërkuar diçka të tillë. Gjatë kohës sime si krye-negociatore në dialogun e Brukselit, kam kërkuar vazhdimisht si dhe kam dërguar një memorandum te BE-ja për heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë, duke theksuar se kjo është pikënisje drejt njohjes reciproke dhe jo ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës”, ka shkuar Tahiri.

Anëtarë të shoqërisë civile në Kosovë thanë se qeveria vazhdon të mos jetë transparente sa i përket dialogut me Serbinë.

Arbër Fetahu, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), tha për Radion Evropa e Lirë se nëse vërtet ka pasur pranim nga liderët e Kosovës, atëherë dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë.

“Mendoj se po vazhdohet avazi i vjetër i një mos-transparence në dialogun Kosovë-Serbi, ku pala kosovare nuk jep informacione të sakta se deri ku ka shkuar procesi. Në këtë mjegull dhe në këto paqartësi, edhe çdo marrëveshje që mund të vijë, mund të ketë probleme edhe më të mëdha, pasi nuk ka harmonizim ndër-institucional, nuk ka harmonizim me opozitën dhe nuk ka harmonizim në përgjithësi me qytetarët, një pajtueshmëri për një çështje kaq kruciale për shtetësinë e Kosovës”, tha Fetahu.

Beogradi kërkon formimin e Asociacionit

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të formohet “menjëherë” me kompetencat që i parasheh Marrëveshja e Brukselit.

Në një takim me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, Petkoviq tha se me formimin e Asociacionit “testohet jo vetëm vullneti i Prishtinës për t’i zgjidhur problemet me dialog, por edhe aftësia e BE-së, si ndërmjetësuese e dialogut, për të garantuar zbatimin e marrëveshjeve”, njofton Zyra për Kosovën në Beograd.

Formimi i Asociacionit është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Bruksel, në vitin 2013.

Dy vjet më vonë, Kosova dhe Serbia arritën edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata, megjithatë, ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Çka është Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është paraparë të jetë një bashkësi që do të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanica, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Beogradi dëshiron që përmes këtij organizmi, të rrisë edhe më shumë ndikimin e tij në Kosovë. Mirëpo, autoritetet kosovare kanë përsëritur disa herë që nuk do të pranojnë një Asociacion me kompetenca ekzekutive.

Sipas Prishtinës, një bashkësi e tillë me kompetenca ekzekutive do t’i ngjasonte Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe do ta cenonte pavarësinë dhe sovranitetin e vendit.

XS
SM
MD
LG