Ndërlidhjet

Midis ekonomisë, festës dhe shëndetit...


Një person në Prishtinë kalon pranë një murali dedikuar punonjësve shëndetësorë që po punojnë gjatë pandemisë së koronavirusit.

Hotel International në Prishtinë, për çdo fundvit nga data 20 dhjetori deri më 1 janar ka pasur organizime nga institucionet publike dhe kompani private për të festuar Vitin e Ri.

Ardian Ismaili, menaxher në këtë hotel, thotë se për çdo ditë gjatë kësaj periudhe, ka pasur më shumë se 200 mysafirë dhe një numër të madh të punëtorëve. Por, komplet situata paraqitet ndryshe gjatë këtij viti. Ai tregon se deri më tani nuk kanë organizuar asnjë ndejë dhe për këtë kërkon nga Qeveria që t’i lehtësojë masat kufizuese së paku për festat e Vitit të Ri.

“Unë mendoj se e vetmja Pako për Rimëkëmbje dhe ndihma më e madhe do të ishte që të hiqen masat kufizuese dhe të na lejohet të punojmë. Kjo do t’i ndihmonte edhe bizneset edhe punëtorët”, thotë Ismaili.

Gastronomët protestojnë kundër masave anti-COVID
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:03 0:00

Përveç festave për Vitin e Ri, në Hotel International gjatë vitit të kaluar janë organizuar 40 dasma, kurse gjatë këtij viti nuk është organizuar asnjë. Për shkak të masave mbrojtëse kundër koronavirusit, me vendim të Qeverisë nga muaji mars ka qenë i ndaluar organizimi i dasmave.

“Nëse vazhdojnë këto masa kështu edhe një kohë të shkurtër nuk besoj se do të mund të mbijetojmë, pasi kjo punë është sezonale dhe ky vit ka shkuar pa përfitime”, thekson Ismaili.

Heqjen e masave kufizuese të lëvizjes së lirë dhe orarit të veprimtarisë për sektorin e gastronomisë, po e kërkon edhe Hysen Sogojeva nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, dhe Arian Vrainca nga Shoqata e Gastronomeve, për shkak që sipas tyre, humbjet financiare në këtë sektor janë jashtëzakonisht të mëdha.

Sektori i gastronomisë, ku përfshihen restorantet, hotelet, baret, klubet e natës/ diskotekat, sallat e dasmave dhe pishinat, sipas tyre, llogaritet të jetë sektori që ka pësuar më së shumti humbje financiare që nga 13 marsi i këtij viti kur edhe nisën së zbatuari masat emergjente për parandalimin e koronavirusit të ri, edhe tash pas lehtësimit të tyre, por me orar të kufizuar të punës.

Vrainca: Rreth 10 për qind e bizneseve mund të falimentojnë

Sipas masave aktuale, shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 19:00. Ata, ndërkaq, po kërkojnë që “urgjentisht të bëhet lirimi i masave për festat e Vitit të Ri”.

Arian Vrainca, nga Shoqata e Gastronomeve të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shprehet se deri më tash 83 për qind të bizneseve në këtë sektor kanë raportuar humbje të thella financiare.

“Sipas një hulumtimi të realizuar nga Shoqata e Gastronomisë, 83 për qind e bizneseve kanë pasur humbje të thellë deri në muajin tetor, 12 për qind prej tyre janë në rentabilitet, 2 për qind nga kjo kategori do të mbijetojnë pa ndihma dhe 10 për qind do të falimentojnë. Pra, sektori i gastronomisë nuk mund të përballojë edhe një mbyllje tjetër”, thotë Vrainca.

Sogojeva: Qytetarët e Kosovës do të festojnë në Shqipëri

Rënie të qarkullimit mbi 90 për qind kanë pasur edhe hotelet dhe veprimtaria turistike, thotë Hysen Sogojeva nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë. Për këtë, ai e konsideron të domosdoshme zgjatjen e orarit për festat e Vitit të Ri, pasi sipas tij, shumë qytetarë do t’i festojnë festat në restorante, jo në Kosovë, por në Shqipëri.

Ai shprehet se qeveria duhet t’i lirojë masat kufizuese deri në orën 22:00 për zhvillimin e veprimtarisë, por të rrisë kontrollin nëpër këto lokale.

“Qeveria, kur merr vendim për mbyllje të gastronomisë, duhet t’i ketë parasysh alternativat për të paguar, qoftë punëtorët, qiratë apo dhe gjërat tjera. Sepse me vendimin aktual, qytetarët e Kovës do të shkojnë në vendet e rajonit, konkretisht në Shqipëri, me paratë që do merren nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, për t’i festuar festat. Kjo nuk ka nevojë të ndodhë. Le të hapen lokalet dhe sado pak ndihmohet ekonomia e vendit”, shprehet Sogojeva.

Nuk ka kafe për qeverinë
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:10 0:00

Infektologu Ramadani: Duhet vendosur masa të rrepta të kufizimeve para festave të Vitit të Ri

Por, ndryshe mendon infektologu Hamdi Ramadani. Duke marrë parasysh numrin e të infektuarve dhe rastet e vdekjeve në Kosovë, edhe pse dy ditët e fundit ka pasur një rënie, ai thotë se Kosova nuk e ka komoditetin t’i heqë masat kufizuese, por duhet të mendojë për të vendosur masa të rrepta të kufizimeve para festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

“Nuk munden gastronomët të vërtetojnë se çfarë do të ndodhë me pandeminë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lirohen masat. Shifrat e të infektuarve janë momentale, numrat lëvizin, ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë pas dy jave. Ne duhet të shikojmë vendet e Bashkimit Evropian, që kanë kushte më të mira, i kanë izoluar vendet për festa. Kurse ne nuk kemi komoditet t’i lirojmë masat”, konsideron Ramadani.

Ibrahimi: Në rend të parë, shëndeti publik

Edhe Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të komunave të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shqetësimet e bizneseve që merren me gastronomi në aspektin ekonomik janë të drejta, por më i rëndësishëm në këtë situatë është shëndeti i qytetarëve të Kosovës.

Ai thotë se gjatë një takimi që kanë pasur të hënën, më 14 dhjetor me kryetarët e komunave dhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, është rekomanduar që të mbesin në fuqi masat aktuale që janë duke u zbatuar.

Autoritetet e Kosovës i kanë kategorizuar qytetet në zona, në bazë të rrezikshmërisë së përhapjes së koronavirusit. Në qytetet që janë në zonën e kuqe, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetareve, si dhe ndalohen hyrjet-daljet në këto komuna deri në ora 05:00. Komunat që janë në zonën e verdhë dhe të gjelbër, hyjnë në zonat me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit.

Për këtë Ibrahimi thotë se është rekomanduar që këto masa të vazhdojnë të zbatohen edhe në të ardhmen, sepse kategorizimi në zona është treguar i suksesshëm.

“Është diskutuar edhe për gjetjen e një mesi të artë në mes shëndetit publik dhe ekonomik, mirëpo përparësi edhe kryetarët e komunave i dhanë shëndetit publik. Në kuptimin që sa më pak të kemi humbje të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për shkak të COVID 19”, thekson Ibrahimi.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, të hënën ka thënë se “masat e marra sipas kategorizimeve, kanë pasur efektin e vet dhe është më se e domosdoshme që të vazhdohet tutje me këto masa”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Ndryshe, një numër vendesh evropiane kanë vendosur masa të rrepta të kufizimeve para festës së Krishtlindjes, pas një rritjeje të numrit të të infektuarve. Holanda ka vendosur një bllokim pesë-javor, duke mbyllur dyqanet jo-thelbësore, teatrot dhe palestrat.

Gjermania, ndërkohë, nga data 15 dhjetor do të hyjë në një bllokim të rreptë pasi numri i të infektuarve ka arritur në nivele rekord.

XS
SM
MD
LG