Ndërlidhjet

Autoritetet ruse ndalojnë Navanlyn


Policia ruse ndalon Navalnyn
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:14 0:00

Policia ruse ndalon Navalnyn

Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny është ndaluar të dielen nga forcat policore në aeroportin Sheremetyevo të Moskës, pak minuta pasi ai arriti nga Gjermania. Avokati i tij, që kishte udhëtuar me Navalnyn nga Gjermania për në Rusi, nuk është lejuar që ta shoqërojë atë.

Navalny kishte qëndruar për disa muaj në Gjermani, ku kishte marrë trajtim mjekësor pas një helmimi, për të cilin i ka fajësuar autoritetet ruse.

Gjatë një transmetimi direkt, Navalny u pa teksa u mor nga autoritetet derisa ai po qëndronte pranë kabinës së kontrollit të pasaportave. Gruaja e tij, Yulia Navalnaya, e cila udhëtoi së bashku me të nga Gjermania, u lejua që të kalojë kontrollin e pasaportave.

Autoritetet e Shërbimit Korrektues rus kanë konfirmuar ndalimin e Navalnyt, raportoi Interfax. Në deklaratën e këtij shërbimi u tha se Navalny është ndaluar për shkak të "shkeljeve të shumta" të kushteve të pezullimit të një dënimi të tij më 2014 për përvetësim fondesh. Pak para se të ndalohej, Navalny u tha gazetarëve se ishte "i lumtur" që është kthyer në Rusi dhe se u shpreh se është i bindur se nuk do të arrestohej.

Navalny ishte paralajmëruar nga autoritetet për mundësinë e arrestimit me të arritur në Rusi.

Avioni me të cilën po udhëtonte Navalny ateroi më 17 janar në aeroportin Sheremetyevo të Moskës, ndonëse paraprakisht ishte paraparë që të ateronte në aerportin Vnukovo.

Por, autoritetet ruse mbyllën për fluturime aeroportin Vnukovo.

Teksa po prisnin Navalnyn në aerportin Vnukovo, dhjetëra persona u arrestuan.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Lyubov Sobol, avokat në Fondacionin Anti-korrupsion të Navalnyt; Ruslan Shaveddinov menaxher projektesh në këtë fondacion dhe gazetari i Novaya Gazeta, Vlad Dokshin. Raportohet se në mesin e të arrestuarve ka edhe gazetarë të tjerë.

Autoritetet ruse duke arrestuar një person në aeroportin Vnukovo të Moskës.
Autoritetet ruse duke arrestuar një person në aeroportin Vnukovo të Moskës.

Perëndimi kritikon Moskën për arrestimin e Navalnyt

Ndalimi i Navalnyt u kritikua nga liderë perëndimorë të cilët kërkuan nga Moska zyrtare që ta lirojnë menjëherë opozitarin rus.

Në Shtetet e Bashkuara, administrata në ardhje e presidentit të zgjedhur, Joe Biden kërkoi lirimin e menjëhershëm të Navalnyt dhe “autorët e këtij sulmi të egër ndaj jetës së tij duhet të japin përgjegjësi”.

Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se autoritetet ruse duhet të respektojnë të drejtat e Navalnyt dhe ta lirojnë atë menjëherë.

“Politizimi i drejtësisë është i papranueshëm”, shkroi ai në Twitter.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel tha se arrestimi i kritikut të Kremlinit është “i papranueshëm”.

“Burgosja e Aleksei Navalnyt pak pasi arriti në Moskë është i papranueshëm. I bëj thirrje autoriteteve ruse që ta lirojnë menjëherë atë”, tha ai.

Në një deklaratë të përbashkët, shtetet Baltike – Lituania, Letonia dhe Estonia – bën thirrje për vendosjen e “masave restriktive” ndaj Moskës. Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis shtoi përmes një postimi në Twitter se arrestimi i opozitarit rus është i papranueshëm dhe kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm.

“BE-ja duhet të veprojë menjëherë dhe nëse ai nuk lirohet, ne duhet ta konsiderojmë mundësinë e vendosjes së masave restriktive si kundërveprim”, shtoi ai.

Edhe kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki bëri thirrje për një përgjigje nga BE-ja nëse Navalny nuk lirohet.

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International tha se autoritetet ruse kanë zhvilluar një “fushatë të pamëshirshme kundër Navalnyt”, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të kritikut të Kremlinit.

Udhëtimi për në Moskë

Navalny u nis më herët gjatë 17 janarit nga Gjermania drejt Rusisë dhe para nisjes u pyet nga gazetarët rreth mundësisë së arrestimit.

“Unë, të arrestohem? Unë jam i pafajshëm”, tha Navalny për gazetarët para se të hipte në avionin e Pobedas, që është në pronësi të kompanisë shtetërore, Aeroflot.

13 janar, Navalny njoftoi se do të kthehej në Rusi, pavarësisht paralajmërimeve nga Shërbimi Korrektues Federal se do ta arrestojnë atë.

Muajin e kaluar, ky shërbim kërkoi që Navalny të rikthehej menjëherë nga Gjermania ose do të përballej me burgim në Rusi, pasi thanë se Navalny ka shkelur kushtet e dënimit me kusht, lidhur me një dënim më 2014 për mashtrime.

Navalny është njëri nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin.

Pasi u ulë në ulësen e tij në aeroplan, Navalny tha se është i lumtur që po kthehet në shtëpi.

“Ky është momenti më i mirë në këto pesë muajt e fundit. Ndihem mirë, më në fund po kthehem në qytetin tim”.

I pyetur nëse mendon se autoritetet ruse do ta arrestojnë, ai tha se është i pafajshëm.

“Pse të frikësohem? Çfarë e keqe mund të më ndodh mua në Rusi. Besoj se ndihem si çdo qytetarë i Rusisë që ka të drejtë të kthehet në shtëpi”, tha ai.

Sipas dokumenteve të një gjykate ruse, Navalny mund të përballet deri me tre vjet burgim.

Navalny në këtë fluturim u shoqëruar nga gruaja e tij Yulia dhe nga zëdhënësja e tij.

Kthimi në Rusi me rrezikun e burgut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:51 0:00

Navalny qëndroi disa muaj në Gjermani ku mori trajtim mjekësor pasi u helmua. Ai ka fajësuar autoritetet ruse për helmimin.

Në gusht të vitit 2020, ai u sëmurë teksa po udhëtonte nga qyteti Tomsk për në Moskë.

Navalny: E di kush donte të më vriste
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00

Testet e kryera në Gjermani, Francë dhe Suedi erdhën në përfundim se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor Noviçok. Navalny e ka fajësuar direkt presidentin rus, Vladimir Putin për helmimin. Por, Kremlini ka mohuar se qëndron prapa helmimit të opozitarit rus.

Më herët, mbështetësit e tij thanë se do ta presin Navalnyn në aeroportin Vnukovo të Moskës, pavarësisht se temperatura të ulëta dhe shifrave të larta të rasteve me koronavirus që po regjistron Rusia.

Zyra e Prokurorit të Moskës paralajmëroi se tubimet në aerportin e Moskës janë joligjore dhe ka u ka thënë mbështetësve të Navalnyt që të mos dalin në aeroport, ose në të kundërtën ata mund të arrestohen ose gjobiten.

Navalny, i cili pret që të ketë sukses në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shtator, po ashtu mund të përballet edhe me tri procese gjyqësore, të cilat, sipas tij, janë të motivuara politikisht.

XS
SM
MD
LG