Ndërlidhjet

Kosova votoi


Mbyllja e vendvotimeve
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:36 0:00

Mbyllja e vendvotimeve

Me maska dhe duke mbajtur distancë, qytetarët e Kosovës të dielën votuan për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas më pak se një vit e gjysmë nga zgjedhjet e fundit.

Me 92 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit vazhdon të prijë, duke siguruar 47.6 për qind apo mbi 348 mijë vota. Kjo parti fitoi mbi 120 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e 2019.

Kurti gjatë një konference për media, tha se "ky referendum për drejtësi e punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit, u fitua".

Ai premtoi se qeveria e tij nuk do të hakmerret ndaj askujt, por do të kërkojë përgjegjësi.

Kurti la të kuptohet se formimi i një ekipi negociator për dialogun me Serbinë nuk është prioritet dhe theksoi se prioritet mbetet "drejtësia dhe punësimi".

Ndërkaq, Vjosa Osmani, kandidatja për presidente nga lista e kësaj partie, tha se do të fokusohet në fuqizimin e shtetësisë së Kosovës.

“Misioni ynë mbetet fuqizimi i shtetësisë sonë dhe rrugëtimi drejt anëtarësimit në strukturat atlantike si dhe miqësia jonë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani.

Kurti e Osmani premtojnë drejtësi dhe jo hakmarrje
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:32 0:00

Sipas rezultateve preliminare, të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partia e dytë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 17.31 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 13.38 për qind.

Në vendin e katërt është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7.57 për qind.
Në këto zgjedhje morën pjesë 47 për qind e votuesve. Të drejtë vote kishin mbi 1.7 milion qytetarë.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë uruar Vetëvendosjen për fitoren. AAK-ja ka thënë se mbetet e hapur për koalicion të mundshëm me partinë e Kurtit, por PDK-ja dhe LDK-ja kanë thënë se do të qëndrojnë në opozitë.

Mbështetësit e LVV-së festojnë në rrugë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:35 0:00

Ndryshe, rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Vendvotimet në mbarë Kosovën u hapën në ora 07:00 dhe u mbyllën në ora 19:00.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se qytetarët e Kosovës treguan kulturë të lartë demokratike, gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Sot Kosova tregoi shembull sesi duhet të organizohen zgjedhje pavarësisht sfidave të shumta. E shfrytëzoj rastin, që në emër të KQZ-së të falënderoj posaçërisht qytetarët e Kosovës që në këtë ditë dhanë shembull të një kulture të lartë demokratike”, tha Daka gjatë një konference për media pas përfundimit të votimit.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kishin 1.794.862 qytetarë, të cilët patën mundësi që të votonin në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës. Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. Në këto zgjedhjet është thënë se do të lejohet votimi vetëm me dokumente të Kosovës.

Për këto zgjedhje, KQZ-ja tashmë ka pranuar 43.477 pako me fletëvotime, të dërguara me postë nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës. Ky institucion, më herët ka njoftuar se 103,582 qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës u është mundësuar e drejta e votimit për këto zgjedhje.

Votimi i personave me COVID-19
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:14 0:00

Procesi i votimit u mbajt në mot të ftohtë e me borë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -11 deri -9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -5 deri -3 gradë Celsius.

Në këto zgjedhje garuan 28 subjekte politike: 21 parti politike, dy koalicione dhe pesë iniciativa qytetare, me 1.052 kandidatë të cilët garojnë për 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje kishte për kandidat për kryeministër kreun e partisë, Albin Kurtin, i cili nuk u certifikua që të garojë për deputet në këto zgjedhje. Lidhja Demokratike e Kosovës garoi për të parin e qeverisë me Avdullah Hotin, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, garoi me Enver Hoxhajn për postin e kryeministrit.

Për këto zgjedhje u akridetuan rreth 30 mijë vëzhgues.

Qendër votimi në Prishtinë, Salla 1 Tetori.
Qendër votimi në Prishtinë, Salla 1 Tetori.

Këto janë zgjedhjet e dyta që Kosova mbajti gjatë pandemisë së koronavirusit, pasi vitin e kaluar, u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.

Për shkak të pandemisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka thënë se bazuar në rekomandimet e institucioneve shëndetësore, qytetarët u detyruan të mbajnë maska gjatë qëndrimit në qendrat e votimit, të ruajnë distancën prej dy metrash, si dhe të dezinfektojnë duart gjatë hyrjes dhe daljes nga qendrat e votimit.

Po ashtu, KQZ-ja, përmes ekipeve mobile, mundësoi që edhe qytetarët e infektuar me koronavirus, të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Sa i përket votimeve në pjesën veriore të Kosovës, KQZ-ja ka thënë se e ka organizuar vetë procesin zgjedhor atje. Ky institucion nuk ka ftuar misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të ndihmojë në këtë proces, siç ka bërë në të kaluarën.

Pse Kosova mbajti zgjedhje të reja?

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën pasi më 21 dhjetor, 2021, Gjykata Kushtetuese tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Kjo pasi, më 3 qershor, 2020, për zgjedhjen e kësaj qeverie kishte votuar deputeti Etem Arifi, ndaj të cilit kishte një aktgjykim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”. Arifi, për këtë vepër penale ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim.

Në aktgjykim, Gjykata Kushtetuese argumentoi se një person i dënuar për vepër penale me një vendim të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të kandidojë për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës. Andaj, Kushtetuesja tha se Qeveria Hoti nuk kishte marrë shumicën e votave të nevojshme të të gjithë deputetëve, gjatë votimit më 3 qershor.

Ky vendim i Kushtetueses, bëri që KQZ-ja të ftonte institucionet relevante që të ndihmonin në verifikonin e të gjithë kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit, për të parë nëse në listat e partive politike ka persona që kanë probleme me ligjin.

Pas verifikimeve, tre kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje, përfshirë kreun e kësaj partie, Albin Kurti nuk u certifikuan për të garuar për deputetë. Kurti, së bashku me disa deputetë të tjerë të Vetëvendosjes, në janar të vitit 2018, ishte dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit. Ky vendim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit në shtator të atij viti.

Po ashtu, tre kandidatë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk janë certifikuar në këto zgjedhje, ndërkaq, nga Nisma Socialdemokrate nuk janë certifikuar 12 kandidatë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, u mbajtën në kohën kur Kosova po ashtu është me ushtrues detyre të presidentit, pasi ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 5 nëntor, 2020, dha dorëheqje nga ky post, pas konfirmimit të një aktakuze për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Këtë post po e mban kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila mund ta ushtrojë atë për gjashtë muaj prej marrjes së detyrës.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2019, pas të cilave, më 3 shkurt, 2020, kryeministër u zgjodh lideri i LVV-së, Albin Kurti. Qeveria Kurti u rrëzua në fund të marsit përmes një mocioni të mosbesimit, të iniciuar nga partnerja e koalicionit, LDK-ja. Pas kësaj, në qershor, Kuvendi i Kosovës votoi qeverinë e Avdullah Hotit nga LDK-ja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG