Ndërlidhjet

Maqedonia e V. regjistron 24 viktima dhe 1.299 të infektuar me koronavirus


Një grua e veshur me një maskë mbrojtëse ecën para Klinikës Universitare për Sëmundje Infektive në Shkup, Maqedonia e Veriut, 04 Shkurt 2021.
Një grua e veshur me një maskë mbrojtëse ecën para Klinikës Universitare për Sëmundje Infektive në Shkup, Maqedonia e Veriut, 04 Shkurt 2021.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të shtunën për 24 viktima me COVID-19 dhe 1.299 të infektuar, shifër kjo më e larta që nga fillimi i vitit. Raporti i Ministrisë i referohet testimit të 5,057 mostrave në 24 orët e fundit. Njoftohet edhe për 413 pacientë të shëruar.

Viktimat janë të moshës që nga 35 e deri 82 vjeç. Prej tyre, shtatë pacientë janë nga Shkupi, pesë nga Kavadarci, katër nga Prilep, dy nga Gjevgjeli dhe nga një të vdekur janë regjistruar në Tetovë, Veles, Koçani, Kërçova, Resnjë dhe Radovish.

Numri i personave që po trajtohen në spitale ka arritur 1.289.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka bërë të ditur se Komisioni i Sëmundjeve Infektive të hënën do të shqyrtoj gjendjen epidemiologjike dhe varësisht të dhënave mbi infektimet do të vendoset nëse do të ketë ose jo masa të reja shtrënguese.

Ai ka bërë thirrje për respektimin e masave, ndërsa sa i përket vaksinave tha se ende nuk ka një datë të saktë për arritjen e tyre, por theksoi se me gjasë imunizimi do të bëhet me vaksinën AstraZeneca dhe me atë kineze.

“Jemi në komunikim të përditshëm, por prodhuesit po përballen me sfidën e porosive të shumta. Kemi disa paralajmërime për arritjen e vaksinave deri në fund të muajit mars, apo javët e para të prillit. Por, përsëri them se duke marrë parasysh përvojën e deritanishme, përvojën e vendeve tjera, përvojën me sistemin COVAX, atëherë kur do jemi të informuar më saktë se janë nisur për në Maqedoni të Veriut, atëherë këtë do ta bëjmë publike”, ka deklaruar Filipçe.

Maqedonia e Veriut deri më tani ka pranuar tetë mijë vaksina Pfizer, donacion nga Serbia dhe tre mijë vaksina kineze Sinofarm. Me to janë vaksinuar punonjësit shëndetësor si dhe personat e moshuar.

Numri i personave të diagnostikuar me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut ka arritur 118.736, numri i pacientëve të shëruar 100.250, jetën e kanë humbur 3.448 persona kurse numri i rasteve aktive është 15.038 persona.

XS
SM
MD
LG