Ndërlidhjet

Përplasjet Kosovë-Serbi për regjistrat kadastralë


Dy punëtorë duke punuar në ndërtimin e një objekti në Kosovë. Foto nga arkivi.
Dy punëtorë duke punuar në ndërtimin e një objekti në Kosovë. Foto nga arkivi.

“Nëse dëshiron të grindesh me fqinjët, thirri ata të kadastrit”, kështu e nis rrëfimin e tij për Radion Evropa e Lirë, Ismeti (pseudonim, identiteti i vërtetë është i njohur për redaksinë). Ai për vite me rradhë nuk po arrin të zgjidhë çështjen e pronës së tij, pasi pretendon se ekziston dallim për 1 metër e 40 centimetra, nga të dhënat kadastrale të para luftës, me ato të pas luftës.

“Asnjë parcelë nuk është në rregull me kadastër të para luftës dhe atë të pas luftës, nuk janë parcelat e njëjta”, thotë ai.

“Kudo që shkon të ankohesh, secila gjykatë apo institucion e pranon ndarjen kadastrale të tanishme. Cilindo gjeometër që e thërret, ai e vendos kufirin në bazë të ndarjes së tanishme, ndërsa para luftës ndarja ka qenë në vend tjetër”, vazhdon rrëfimin Ismeti, i cili jeton në një komunë në jug të Kosovës.

Mijëra persona përballen me problemin e njëjtë në Kosovë, pasi të gjitha dokumentet origjinale të kadastrit janë marrë nga autoritetet serbe gjatë tërheqjes nga Kosova, me të përfunduar lufta në vitin 1999.

Ismeti, thotë se ka shkuar edhe në një komunë të Serbisë, aty ku gjendet regjistrat origjinal kadastralë, mirëpo drejtori i Kadastrit atje i ka thënë se, “janë të vetëdijshëm që parcela është ndryshuar, mirëpo nuk mund të bëjnë asgjë në këtë drejtim".

Kadastri është një regjistër gjithëpërfshirës i pronave të paluajtshme dhe të drejtave pronësore mbi to.

Moszbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, më 2 shtator të vitit 2011, në kuadër të dialogut teknik të zhvilluar në Bruksel arritën marrëveshje për çështjen e regjistrave kadastralë. Qëllimi ishte që të kthehet dokumentacioni kadastral i Kosovës nga Serbia dhe të plotësohen të dhënat kadastrale të saj.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova ishte zotuar të formojë Agjencinë Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimit e Pronave (AKKVP) ndërsa Serbia, përmes financimit të Bashkimit Evropian t'i skanojë dokumentet origjinale të kadastrit dhe t’ia kthejë ato Kosovës. Kthimi i tyre parashihej të bëhej përmes Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Por, të dyja vendet e kanë zvarritur këtë proces.

Procesi i themelimit të Agjencisë Kosovare për Krahasimin e Pronës ka zgjatur me vite të tëra, përkatësisht deri në vitin 2016. Kjo agjenci ka për qëllim t’i krahasojë dokumentet e skanuara me të dhënat e rikonstruktuara nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.

E nga ana tjetër, një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë vendosi se Marrëveshja për Kadastrin nuk ishte në përputhje me Kushtetutën.

Në kohën e negocimit të kësaj marrëveshjeje në Bruksel, Gazmir Raci, ka qenë koordinator politik i delegacionit të Kosovës për çështjen e kadastrit. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia insistonte të rinegocionte këtë marrëveshje, ndërsa që kërkesë ka qenë edhe pjesmarrja e tyre në kuadër të Agjencisë Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronave.

“Kjo gjë nuk ishte e mundur, sepse ai agjencion është i Republikës së Kosovës dhe i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, thotë Raci.

Kjo konfirmohet edhe në një raport të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë në lidhje me dialogun e zhvilluar në Bruksel, i përgatitur në dhjetor të vitit 2018. Aty thuhet se nuk është bërë asnjë progres në këtë drejtim.

“Arsyeja kryesore është se Prishtina dhe BE-ja kanë qëndruar në pozicionet e tyre se, të gjitha organet e parashikuara në bazë të Marrëveshjes, përveç Grupit Trepalësh të Zbatimit, duhet të veprojnë brenda të ashtuquajturit sistemi ligjor i Kosovës, dhe gjithashtu në zbatimin e Marrëveshjes për Kadastrin përmes të ashtuquajturit Ligj për Agjencinë e Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës. Përfaqësuesit e Beogradit vlerësojnë se qëndrimet e tilla të Prishtinës dhe BE-së janë të papranueshme. Çdo zbatim i kësaj zgjidhjeje do të mundësonte legalizimin e uzurpimit të pronës në pronësi të serbëve dhe të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”, thuhet në dokument.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në lidhje me këtë çështje në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, mirëpo deri në publikimin e këtij raporti nuk ka pranuar përgjigje.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre në vitin 2018 për të rinisur sërish në vitin 2020. Në ndërkohë, edhe Kosova ka ndryshuar qëndrimin e saj në lidhje me Marrëveshjen e Kadastrit.

Skender Hyseni ka qenë koordinator i delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, që janë mbajtur në Bruksel gjatë vitit 2020. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se, tash Kosova ka kërkuar në mënyrë eksplicite kthimin e dokumenteve origjinale nga Serbia dhe jo të kopjeve të skanuara, siç ishte pajtuar në vitin 2011.

“Ne kemi instistuar dhe Kosova duhet të vazhdojë të insistojë të kthehen regjistrat origjinal kadastral dhe jo kopjet e skanuara. Duhet të kthehen dosjet origjinale ndërkohë që Serbia mund të mbajë kopjet e skanuara”, thotë Hyseni.

Bashkimi Evropian thotë se skanimi dhe indeksimi i regjistrave kadastralë, i financuar nga BE-ja në Serbi, ka përfunduar.

“Bashkimi Evropian, si lehtësues i procesit të dialogut, po punon me të dyja palët në kontekstin e negociatave të vazhdueshme mbi Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për të përparuar në zbatimin e marrëveshjes për regjistrat kadastralë”, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Mbi 4 milionë dokumente kadastrale të Kosovës në Serbi


Agjencia e Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës së Kosovës, ende është në pritje të kthimit të dokumenteve kadastrale nga Serbia. Drejtori ekzekutiv i kësaj agjencie, Naser Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë, se numri i përgjithshëm i dokumenteve kadastrale të skanuara në Serbi e që pritet të kthehen në Kosovë është 4,037,240 dosje.

“Të gjitha këto dokumente kadastrale për pronën private, komerciale dhe të bashkësive fetare të marra nga Serbia, para qershorit të vitit '99 do të pranohen dhe së pari të krahasohen me dokumentet aktuale kadastrale të Republikës së Kosovës, përmes komisionit për verifikim dhe vendosje të pronës, ku realisht do të zgjidhen dallimet midis dy grupeve të dokumenteve”, thotë Shala, i cili konfirmon se deri më tash, agjencia që ai drejton, nuk ka pranuar asnjë kopje të regjistrave kadastral nga Serbia.

Shala thotë se shumë lëndë nëpër gjykata mbeten të pazgjidhura si pasojë e këtij problemi.

Ai thekson se konsolidimi i sistemit kadastral të Kosovës është shumë i rëndësishëm dhe se i njëjti nuk mund të përmbyllet pa u bërë krahasimi i dokumenteve kadastrale.

Problemi daton më herët

Problemi me regjistrimin e pronave është më i vjetër dhe më i komplikuar se kaq.

Gjatë viteve të 90-ta, kur Kosova ka qenë nën administrimin e Serbisë, janë zbatuar ligje diskriminuese në lidhje me regjistrimin e pronave në kadastër. Kështu thuhet në një dokument të Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë i titulluar “Strategjia Kombëtare për të Drejtat Pronësore në Kosovë”, i përpiluar në vitin 2016.

“Pas vitit 1991, edhe nëse ekzistonte dokumenti i kontratës për shitblerje ndëretnike të pronës, shitblerja e tillë nuk mund të regjistrohej në kadastër për shkak të ligjit diskriminues në fuqi”, thuhet në dokument.


Në një raport të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i titulluar “Shqyrtimi i Rasteve të Pronësisë mbi Pronën e Paluajtshme në Kosovë”, thuhet se pas vendosjes së administratës ndërkombëtare civile në Kosovë dhe revokimit të mëvonshëm të ligjeve diskriminuese pronësore në vitin 1999, blerësit (kryesisht shqiptarë, të cilët kanë blerë nga serbët) parashtronin kërkesëpadi pranë gjykatave në Kosovë, për të vendosur pronësinë e tyre formalisht dhe kërkonin leje për të regjistruar pronësinë në kadastër.

“Shumica e këtyre kontratave janë padyshim të vërteta. Mirëpo, shumë individë shihnin potencialin për të shfrytëzuar situatën në të keq dhe kërkonin pronësi ndaj pronës së paluajtshme që i përkiste ndonjë pronari që mungonte”, thuhet në dokument.

“Marrëveshja për Kadastrin mund të mos zbatohet kurrë”

Në raportin “Dialogu i Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë: Arritjet dhe Sfidat”, të publikuar nga Grupi i Ballkanit për Hulumtimin e Politikave, në tetor të vitit 2020, thuhet se, tregon shumë fakti që në Kosovë pati hezitime për themelimin e Agjencisë për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës,.

“Pasi që me ardhjen e këtyre dokumentacioneve (nga Serbia v.j) sfidoheshin shumë vendime të marra pas vitit 1999, ku shumë prona publike ishin përvetësuar apo iu është ndërruar titullari, janë uzurpar apo transferuar”, thuhet në raport.

Raporti citon anëtarët e delegacionit të Kosovës në procesin e dialogut të kenë thënë se kjo marrëveshje, "mbase mund të mos zbatohet kurrë nga ana e insitucioneve të Kosovës".

Më herët në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare që ka këshilluar Kosovën në rrugën drejt pavarësisë, Nicholas Whyte, ka thënë se është skandaloze që regjistrat e kadastralë nuk i janë kthyer Kosovës nga ana e Serbisë. Ai ka thënë se sikur të ishte në Kosovë, gjëja e parë që do të insistonte nga Beogradi do të ishte kthimi i regjistrave kadastralë.

“Për mua, kjo është një gjë që e bën pavarësinë e Kosovës të pakthyeshme, pasi kur e pranon që prona menaxhohet nga njerëzit që e kanë atë në pronësi, atëherë s’ka kthim prapa nga kjo. Mendoj se njerëzit duhet t’i kushtojnë pak më shumë rëndësi kësaj çështjeje”, ka thënë Whyte.

*Në këtë raport ka kontribuar, Sandra Cvetkoviq.
XS
SM
MD
LG