Ndërlidhjet

Mediat e vetëfinancuara si cak i grupeve të interesit


Shënimi i 3 Majit, Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Medias. (Fotografi ilustruese)
Shënimi i 3 Majit, Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Medias. (Fotografi ilustruese)

Vetëfinancimi i qëndrueshëm i mediave është një nga problemet, me të cilat mediat në Kosovë përballen për një kohë të gjatë, por pandemia e koronavirusit, që nga marsi i vitit të kaluar, e ka vështirësuar në masë të madhe këtë vetëfinancim, vlerëson Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, thotë se përderisa në Kosovë është rritur numri i mediave, kryesisht televizioneve, në anën tjetër, është ulur shkalla e transparencës së mediave në përgjithësi, lidhur me financimin e tyre. Kjo për pasojë, sipas saj, ndikon edhe në punën profesionale të gazetarëve.

Raporti i fundit i Progresit i Komisionit Evropian, në pikën ku i referohet lirisë së shprehjes në Kosovë, thotë se “mungesa e vetëfinancimit të qëndrueshëm, të përkeqësuar edhe më shumë nga pandemia COVID-19, i lë mediat të ndjeshme ndaj interesave politike dhe biznesore”.

"Transmetuesi publik, po ashtu, është i ndjeshëm ndaj ndikimit politik dhe duhet të gjendet një zgjidhje sa i përket financimit të tij”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Kastrati: RTK-ja e ndjeshme ndaj ndërhyrjeve politike

Drejtori i përgjithshëm i transmetuesit publik, Radio -Televizonit të Kosovës (RTK), Ngadhnjim Kastrati, i pohon gjetjet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, që ndërlidhen me transmetuesin publik.

“Zvarritja e Ligjit për RTK-në që do ta rregullonte çështjen e financimit të transmetuesit publik ka ndikuar që RTK-ja të jetë e hapur ndaj ndërhyrjeve politike, për shkak të financimit të drejtpërdrejtë nga Buxheti i Kosovës dhe rrjedhimisht kontaktit të përfaqësuesve politikë në Kuvend me stafin menaxhues të RTK-së”, thotë Kastrati.

Ai shton se Neni 4 i Ligjit aktual për RTK-në e potencon qartë se Kuvendi i Kosovës është themeluesi i këtij transmetuesi publik dhe e mbron autonominë institucionale dhe siguron financim adekuat për realizimin e misionit të transmetuesit publik. Por, sipas tij, në realitet, Kuvendi nuk e ka zgjidhur çështjen e financimit të RTK-së dhe as nuk po e mbron autonominë institucionale të saj.

Ai përmend shkarkimin e Bordit të RTK-së nga Kuvendi, para tre muajsh dhe sipas tij, zvarritjen e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të këtij Bordi, gjë që e ka vështirësuar funksionimin e RTK-së.

Për më shumë, siç thekson Kastrati, Qeveria e Kosovës ka planifikuar që ta shkurtojë buxhetin për RTK-në, nga 11.2 milionë euro në 8.9 milionë euro.

Rexha: Vetëcensurë për të mos cenuar interesat e kompanisë

Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se vetëfinancimi i paqëndrueshëm i mediave, i rënduar edhe nga pandemia, fillimisht ka bërë që shumë gazetarë t’i humbin vendet e punës ose që të hyrat e tyre mujore të ulen.

Rexha thekson se pandemia ka bërë që edhe ato pak gazeta të shtypura që kanë qenë të pranishme në tregun e mediave, të mos jenë më. Aktualisht, siç thotë ai, Kosova është vendi i vetëm në rajon dhe Evropë që nuk ka ndonjë gazetë, revistë javore apo mujore të shtypur.

Sipas tij, përderisa mediat në përgjithësi kanë probleme me vetëfinancim të qëndrueshëm, ato potencialisht janë bërë cak i interesave të ndryshme, politike dhe të grupeve të interesit. Një pjesë e mediave, siç thotë ai, detyrohen që t’u nënshtrohen ndikimeve të grupeve të interesave, në mënyrë që të mbijetojnë në treg.


Por, e gjithë kjo situatë, sipas Rexhës, ndikon në punën profesionale të gazetarëve.

“Problemi më i madh i gazetarëve në Kosovë vazhdon të mbetet vetëcensurimi. Ideja është që gazetarët e dinë se ku punojnë dhe e dinë se cilat janë interesat e veçanta të njerëzve që udhëheqin mediat ku ata punojnë dhe ata nuk kërkojnë, nuk insistojnë dhe as nuk propozojnë të hulumtojnë ose të bëjnë tema, të cilat do të binin ndesh me interesat e kompanisë ku punojnë, në mënyrë që ta mbajnë vendin e tyre të punës. Kështu që, absolutisht, kjo ndikon në nivelin profesional të të raportuarit”, thotë Rexha.

Kusari: Mungesë e transparencës nga mediat


Vetëfinancimi i paqëndrueshëm dhe nënshtrimi i mediave të caktuara ndaj ndikimit të politikës dhe grupeve të interesit, shkakton pasoja zinxhirë për punën e mediave, vlerëson Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias. Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian janë të bazuara në fakte.

Sipas saj, është shënuar ulje e transparencës nga ana e mediave. Rrjedhimisht, siç thotë ajo, mediat dhe gazetarët që janë pjesë e tyre, nuk kanë të drejtë morale që të kërkojnë llogaridhënie dhe transparencë nga autoritetet publike, në qoftë se vetë nuk janë transparentë.

“Ne ende nuk e dimë se, këto media që hapen vazhdimisht, se nga financiohen. Kush është duke i dhënë këto miliona euro? Është e rëndësishme që të dihet se kush i financon mediat, kush i financon gazetarët, sepse pastaj, aty kuptohet nëse ka ndonjë konflikt të interesit. Për fat të keq, situata në këtë drejtim është duke u përkeqësuar dhe mungesa e transparencës nënkupton që ne nuk jemi të sigurt tashmë se gazetarët, a raportojnë çështje që janë në interes të publikut apo raportojnë çështja që janë në interesat e ngushta të ndonjë biznesi apo të ndonjë partie politike”, thekson Kusari.

Ajo shton se në rast se shteti nuk ndërmerr masa që t’i detyrojë mediat që të jenë transparente për financat e tyre, atëherë problemi në këtë drejtim vetëm se do të rritet edhe më tej.

Perspektiva e rrezikuar nga ndikimi i grupeve të interesit

Arsim Dreshaj, zyrtar për qasje në dokumente publike në Komisionin e Pavarur të Mediave, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi i mungesës së vetëfinancimit të qëndrueshëm rrjedh nga një sërë ndryshimesh në tregun e mediave, por ndër to, kryesoret janë zhvillimi teknologjik dhe format e reja të komunikimit apo platformat e transmetimit online, portalet dhe rrjetet sociale.


Kjo, sipas tij, ka sjellë vështirësi për mediat tradicionale, radiot dhe televizionet, sepse ato tash përballen me mungesën e të hyrave nga marketingu dhe reklamat.

“Prandaj, mungesa e vetëfinancimit për mediat, pavarësisht shkaqeve prej nga ka ardhur, zhvillimeve teknologjike apo pandemisë ( së koronavirusit), sigurisht që në perspektivën afatgjate paraqet një rrezik për ndikim të mediave nga grupet e interesit, gjë e cila do ta cenonte lirinë e shprehjes dhe pavarësinë editoriale të mediave”, thotë Dreshaj.

Sipas të dhënave aktuale në adresarin e shërbimeve mediale audio dhe audiovizuale, të publikuar nga Komisioni i Pavarur i Medieve, shërbime ofrojnë 89 radio dhe 14 televizione.

Ndërkaq, përmes operatorëve të shpërndarjes apo siç njihet “rrjeteve kabllore”, po sipas të dhënave të KPM-së, transmetim ofrojnë 105 subjekte audiovizuale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG