Ndërlidhjet

Fenomeni pak i raportuar i bullizmit në shkolla


Sipas të dhënave, 72 për qind e fëmijëve në Kosovë janë disiplinuar me dhunë. Fotografi ilustruese.
Sipas të dhënave, 72 për qind e fëmijëve në Kosovë janë disiplinuar me dhunë. Fotografi ilustruese.

Rreth 72 për qind e fëmijëve në Kosovë janë disiplinuar me dhunë, e cila nënkupton atë fizike, verbale, emocionale, psikologjike dhe ngacmim ndërmjet moshatarëve.

Këto janë të dhënat nga Anketa e grupimeve me tregues të shumëfishtë (MICS), e cila është punuar në vitin 2020 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Fondacionin për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara, UNICEF.

Petrit Tahiri, menaxher i projekteve në organizatën joqeveritare Qendra për Arsim në Kosovë, thotë se të dhënat e tilla duhet të jenë shqetësuese për shoqërinë.

Një pjesë e madhe e formave të dhunës, e cila në terminologjinë që përdoret në disa vende të botës cilësohet si "bullizëm", ushtrohet në shkolla dhe në mesin e të miturve, por legjislacioni i Kosovës nuk e njeh një term të tillë, thotë psikologia Teuta Danuzi.

Merita Jonuzi, zyrtare në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, thotë se numri i raportimeve të rasteve të dhunës në shkolla, në Sistemin e menaxhimit të informatave në kuadër të kësaj ministrie, është i vogël. Por, sipas saj, kjo nuk reflekton gjendjen reale të fenomenit të dhunës ndërmjet fëmijëve, e cila në mjaft raste ka karakteristikat e bullizmit, por që sipas Protokollit për parandalimin dhe referimin e dhunës në institucionet e arsimit parauniversitar, janë të përfshira në termin “ngacmim në mes të moshatarëve”.

Tahiri: Disiplinimi i dhunshëm do t’i bëjë fëmijët e dhunshëm

Petrit Tahiri, menaxher i projekteve në organizatën joqeveritare Qendra për Arsim në Kosovë, e cila është pjesë e Koalicionit të organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë (KOMF), thotë për Radion Evropa e Lirë që të dhënat e dala nga anketa MICS, se 72 për qind e fëmijëve të anketuar janë të disiplinuar përmes formave të ndryshme të dhunës, duhet parë si alarm nga institucionet dhe shoqëria.

“Më e keqja në këtë statistikë është që 24 për qind e tyre janë të predispozuar ndaj ndëshkimit fizik, si një formë për atë që njihet si disiplinim i dhunshëm i tyre. Rrjedhimisht, këto të dhëna na dëshmojnë që fëmijët tanë, përderisa ata ekspozohen në këtë nivel, në të ardhmen, në jetën e tyre do të kenë predispozita për të qenë të dhunshëm. Së paku kështu thonë edhe të gjitha studimet që janë bërë”, thekson Tahiri.

Përveç dhunës fizike, sipas Tahirit, në shkolla vazhdojnë të jenë të pranishme edhe format e tjera të dhunës, koncepti i të cilave nuk kuptohet mjaftueshëm drejt, as nga fëmijët e as nga mësimdhënësit.

Bullizmi dhe pasojat

Konceptet e ndryshme të dhunës janë përfshirë në termin "bullizëm", thotë Teuta Danuzi, profesoreshë e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ajo shpjegon për Radion Evropa e Lirë se bullizmi është formë e dhunës, që dallon nga format tjera.

Sipas saj, te bullizmi, dhuna ka vazhdimësi të veprimeve të dhunshme ose sjelljeve bulliste të bullistit ose bullistëve ndaj viktimës. Po ashtu, ekziston çekuilibër i fuqisë ndërmjet ushtruesit të sjelljeve bulliste dhe viktimës, ku gjithmonë viktima është më e dobët në aspektin fizik, mendor apo social.

“Përveç konsistencës dhe dallimeve të fuqisë ndërmjet busllistit dhe viktimës, është edhe synimi dashakeq që e ka bullisti ndaj viktimës. Bullisti gjithmonë dëshiron që të ulë imazhin apo kredibilitetin e viktimës në sytë e rrethit social, në mënyrë që të krijojë një lloj dominimi social brenda grupit shoqëror”, thotë Danuzi.

“Bullizmi dallon jashtëzakonisht nga ngacmimi, sepse nuk do të thotë që ndodh vetëm në mes moshatarëve".

Ajo shton se pasojat për viktimën janë afatshkurta dhe afatgjata, si dhe manifestohen me izolim, ulje të vetëbesimit që ndikon më pas në të gjitha sferat e jetës së saj. Fëmijët viktima, siç thotë ajo, ndryshojnë rutinën edhe në shtëpi, në ushqim, në gjumë, kanë ndjenjë ankthi të vazhdueshëm, si dhe simptoma psiko-somatike.

Siç thotë Danuzi, bullisti, i cili po ashtu mund të jetë fëmijë si gjithë fëmijët tjerë, por ka vetëbesim të ulët për shkak të imazhit negativ që ka për vetveten dhe nuk ka strategji paqësore për zgjidhjen e konflikteve.

Termi "bullizëm", thotë ajo, nuk ekziston në Protokollin për parandalimin e dhunës, por aty ekziston përkufizimi “ngacmim në mes moshatarëve”.

Megjithatë, sipas saj, fenomeni i bullizmit është mjaft i shprehur ndërmjet fëmijëve, por jo domosdo ndërmjet moshatarëve, sepse jo rrallë bullisti mund të jetë më i moshuar sesa viktima.

“Bullizmi dallon jashtëzakonisht nga ngacmimi, sepse nuk do të thotë që ndodh vetëm në mes moshatarëve. Një fëmijë mund të jetë viktimë e bullizmit edhe nga personat më të rritur, në një klasë të personave më të rritur. Për shembull, detyrohet që atyre fëmijëve t’ua bartë çantat, t’iu japë të holla. Kjo është problematikë më vete, parimisht, në identifikimin dhe pastaj në raportimin e bullizmit”, sqaron Danuzi.

Januzi: Shifrat e raportimeve nuk pasqyrojnë gjendjen reale

Sipas të dhënave që ka Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në Sistemin e menaxhimit të informatave në kuadër të kësaj ministrie, gjatë vitit shkollor 2019/2020 janë raportuar 18 raste të dhunës në shkolla. Një vit më herët janë raportuar 22 raste, ndërkaq që edhe në vitet paraprake shifrat kanë qenë jo shumë më të larta.

Merita Jonuzi, koordinatore për të drejtat e fëmijëve në këtë ministri, vlerëson se rastet e raportuara nuk janë pasqyrë reale e fenomenit të “ngacmimeve në mes moshatarëve”.

“Fenomeni është i pranishëm, siç e dimë të gjithë, por që raportimet në nivel institucional janë fare të vogla. Këto shifra që neve na i gjeneron sistemi, janë minimale dhe nuk e prezantojnë mjaftueshëm situatën reale në Kosovë. Raportimet që janë në sistem, janë kryesisht raste të bullizmit, të dhunës, të ngacmimit mes moshatarëve. Tash, ky nocioni 'bullizëm', nënkupton ngacmimin, por edhe format e tjera (të dhunës). Mirëpo, ne si ministri, në kuadër të politikave tona në nivel nacional, e adresojmë fenomenin e dhunës në plotninë e vet, me krejt llojet dhe format e dhunës që i njeh legjislacioni ynë”, thotë Jonuzi.

Ajo shton se raportimi i rasteve të dhunës të çfarëdo forme, të fëmijëve ndaj fëmijëve, por edhe mësimdhënësve ndaj fëmijëve, më shumë raportohet në organet e rendit sesa në Sistemin e menaxhimit të informatave të kësaj ministrie, gjë që do të mund të krijonte një pasqyrë më reale për situatën në shkolla.

Kjo situatë, sipas Petrit Tahirit nga Qendra për Arsim e Kosovës, reflekton edhe kontekstin kulturor të shoqërisë, në të cilin rastet e dhunës, ngacmimeve dhe bullizmit në shkolla, në të kaluarën janë heshtur me arsyetimin “që të mos bëhet e madhe”.

“Por, kjo tash bëhet normë. Kjo vërehet te ne tani, por edhe te fëmijët tanë, që kjo pastaj kur bëhet normë, ne fillojmë të besojmë që ‘më mirë është që mos ta bëjmë të madhe’. Faktikisht, puna që është duke u bërë dhe që është bërë me vite të tëra, e dëshmon të kundërtën. Pikërisht aty ku është punuar, aty ku është diskutuar dhe vazhdon të diskutohet për këto problematika, ka shumë më pak probleme”, thekson ai.

Dhuna dhe bullizmi nga mësimdhënësit nuk raportohet

Në mesin e rasteve të raportuara në Sistemin e menaxhimit të informatave të MASHTI-t, sipas zyrtares së kësaj ministrie, Merita Jonuzi, nuk ka asnjë rast të raportuar për dhunën e cilësdo formë të ushtruar nga mësimdhënësit ndaj fëmijëve.

“Prej të gjitha raportimeve që kanë ndodhur ndër vite, ne kemi raportime vetëm për relacionin nxënës –nxënës. Nuk ka raportime, ku shkolla i fut të dhënat që ‘X’ mësimdhënësi ka ushtruar dhunë ose e ka ngacmuar një fëmijë”, thotë Jonuzi.

Bullizmi nga mësimdhënësit

Psikologia Danuzi shpreh mendimin që mësimdhënësit në Kosovë nuk janë të pajisur me sistemin me strategjitë për shkathtësitë për menaxhimin e klasës, e sidomos me praktikat jondëshkuese.

“Si rezultat i kësaj, ndodh shumë shpesh që mësimdhënësit shfrytëzojnë forma të dhunës, sidomos të dhunës verbale, ku ofendojnë ose tallin fëmijë, në mënyrë që ta menaxhojnë më mirë klasën. Kjo, po ashtu, mund të jetë edhe si pasojë e vetë faktit që te ne, në shoqërinë tonë, si dhunë perceptohet vetëm dhuna fizike. Format e tjera të dhunës, sikurse dhuna verbale, dhuna psikologjike, mbase nuk perceptohen si forma të dhunës. Më shumë perceptohen si dinamika normale të grupit, që për pasojë rezulton edhe me shfrytëzimin e formave të dhunës verbale nga vetë mësimdhënësit”, thekson Danuzi.

Frika nga raportimi i rasteve

Petrit Tahiri nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se MASHTI dhe shoqëria civile kanë bërë punë të madhe që rastet e dhunës së mësimdhënësve ndaj nxënësve të shënojnë rënie. Megjithatë, sipas tij, raportimet e rasteve të dhunës së mësimdhënësve ndaj nxënësve nuk janë bërë brenda Sistemit të menaxhimit të informatave të MASHTI-it, por në organet e rendit.

“Nuk është ndonjë e dhënë emipirike, por një lloj konstatimi ose supozimi, se ndonjëherë shkollat kanë frikë t’i raportojnë këto raste, sepse mendojnë se duke i raportuar rastet mund të prishet imazhi i shkollës apo mund të kenë ndonjë pasojë për sa i përket menaxhimit të asaj shkolle”, thotë Tahiri.

Por, zyrtarët e Ministrisë së Arsimit kanë thënë se në raste të tillë është e krejtësisht e kundërta, sepse ministria i përkrahë dhe i shpërblen shkollat, të cilat i kanë raportuar rastet e ushtrimit të dhunës nga mësimdhënësit ndaj nxënësve dhe të ngacmimit ndërmjet nxënësve.

Një nga kompetencat e kurikulës që zbatohet në Kosovë, parasheh t’i mësojë nxënësit për shkathtësinë e zgjidhjes së konflikteve, në mënyrë që ata të bëhen qytetarë aktivë.

Nga Qendra për Arsim e Kosovës vlerësojnë se secili rast i dhunës, ngacmimeve dhe bullizmit ndaj fëmijëve në shkolla dhe jashtë tyre, duhet të raportohet dhe të trajtohet. Në këtë mënyrë, sipas tyre, mund të krijohet një cikël i zhvillimit që siguron maksimalizim të potencialit të fëmijëve.

XS
SM
MD
LG