Ndërlidhjet

Kurti: Komuna është qeliza e Republikës


Kryeministri Albin Kurti - Fotografi nga arkivi.
Kryeministri Albin Kurti - Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë pas votimit se zgjedhjet komunale janë të rëndësishme, pasi “komuna është shumë e rëndësishme - në njërën anë është publikja e lagjes dhe në anën tjetër është qeliza e Republikës”.

Ai i ka ftuar qytetarët me të drejtë vote që ta përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për veten e tyre përmes udhëheqësve, të cilët do të zgjedhin.

“Më 14 nëntor po e përmbyllim një vit të suksesshëm elektoral, i cili nisi me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, vazhdoi me zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe tash sot e kemi balotazhin. Republika e Kosovës ka dëshmuar se është një shtet demokratik, ku respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe ku ata në mënyrë të lirë dhe të ndershme zgjedhin ata të cilët do të zgjedhin në vijim për neve”, është shprehur Kurti.

Mekanizmat shtetërorë, ka thënë Kurti , do të kujdesen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për respektim të ligjit dhe zbatim të rregullave.

Qytetarët e Kosovës sot po votojnë për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave, përfshirë edhe atë të kryeqytetit, Prishtinës.

Valmir Elezi, zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.

Sipas KQZ-së, të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kanë 1,260,571 qytetarë dhe ata do të mund të votojnë në 575 qendra votimi me 1,638 vendvotime.

XS
SM
MD
LG