Ndërlidhjet

Analistët: Partitë shqiptare, në dy blloqe


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Partitë politike shqiptare në zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të garojnë në dy blloqe politike, pasi dalja në zgjedhje e më shumë partive mund të rezultojë me shpërndarjen e votave dhe për pasojë uljen e numrit të mandateve, në raport me përbërjen e tashme parlamentare, vlerëson analisti Xhelal Neziri, duke komentuar intensifikimin e debatit mes partive shqiptare, pas propozimit për koalicione paszgjedhore nga ana e Rufi Osmanit, kryetarit të subjektit të ri shqiptar, Rilindja Demokratike Kombëtare.

“Unë mendoj se partitë shqiptare duhet të organizohen së paku në dy blloqe politike, pra të gravitojnë në dy blloqe dhe si të tilla të paraqiten me dy oferta. Dalja në këto zgjedhje me më shumë se dy oferta do të krijojë huti te vetë votuesit dhe do të sjellë një situatë që një pjesë e madhe e votave të mos mund të efektuohen në deputet”,
vlerëson Neziri.

Propozimi i Osmanit nuk është përjashtuar nga dy partitë tjera opozitare, PDSH-ja dhe Demokracia e Re, të cilat, në programet e tyre, synojnë federalizimin funksional, përkatësisht federalizimin joterritorial.

Ndërsa, BDI-ja në pushtet, thotë se partitë shqiptare, koalicion të vetëm duhet të kenë Marrëveshjen e Ohrit. Pra, në garën zgjedhore, pikësynim kryesor kjo parti, do të ketë angazhimin për zbatimin e këtij dokumenti, sesa ofertat, apo koalicionet me partitë tjera.

Duke komentuar pozicionet e këtilla të partive shqiptare, Xhelal Neziri, thekson:

“Përveç kësaj, BDI-ja ka paralajmëruar edhe një koalicion të mundshëm me partinë e Hysni Shaqirit, Bashkimin Demokratik Kombëtar, që në programin e saj ka konceptimin e federalizimit të Maqedonisë. Tani nuk është e qartë, nëse Shaqiri do të heqë dorë nga platforma e partisë së tij dhe do ta përkrahë Marrëveshjen e Ohrit, apo nëse BDI-ja, do ta braktisë Marrëveshjen e Ohrit dhe do ta mbështesë platformën e federalizimit të Hysni Shaqirit. Unë mendoj se laramani të ofertave duhet të ketë dhe nuk duhet që të gjithë të përqendrohemi rreth Marrëveshjes së Ohrit”.


Ndërkohë, propozimi i datës për zgjedhje të parakohshme ka ngritur edhe më shumë tensionet ndërmjet partive pa përjashtim.

Ato në fjalorin e tyre, nuk kanë kursyer akuzat nga më të ndryshme ndaj oponentëve të tyre. I pyetur nëse pret që tensionet e tilla të vazhdojnë edhe më tej, analisti Albert Musliu thotë se tensionet do të vazhdojnë edhe atë më shumë ndërmjet partive maqedonase sesa atyre shqiptare.

“Për dallim prej zgjedhjeve të kaluara, kjo retorikë do të jetë shumë e theksuar te pala maqedonase se sa ajo shqiptare. Disa janë shkaqet, një prej tyre është një paqartësi e fazës post-zgjedhore, mendoj se partitë politike shqiptare do të insistojnë mos të kenë tensione shumë të mëdha për shkak të nevojës së bashkëpunimit në fazën pas-zgjedhore, ndërsa te pala maqedonase do të ketë një luftë deri në skajshmëri ”
, shprehet analisti Albert Musliu.

Sipas propozimit të kryeministrit, Nikolla Gruevski, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen më 5 qershor, ndërsa Parlamenti do të shpërndahet nga mesi i këtij muaji.

Gjithë procesi i caktimit të datës së zgjedhjes, miratimit të Kodit Zgjedhor dhe shpërndarjes së Kuvendit, do të bëhet pa praninë e partisë më të madhe të opozitës, Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, e cila për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, ua ka lënë në dorë partive në pushtet, të caktojnë, si të duan dhe kur të duan, afatet për mbajtjen e zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG