Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se oferta që ai u ka bërë dy partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në këmbim të zgjedhjes së presidentit të ri është “shumë gjeneroze”. Por, sipas tij, këto parti nuk janë të interesuara që ta zhbllokojnë procesin.
Një ditë më herët, LVV-ja dhe LDK-ja, pas një takimi të zhvilluar, nuk arritën një marrëveshje për çështjen e presidentit, teksa deputetët kanë kohë deri më 28 prill që të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje.
Kurti i ofroi LDK-së postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe tri ministri të tjera. Ndërkaq, më vonë gjatë 20 prillit, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, njoftoi se Kurti, përmes një komunikimi në WhatsApp i kishte ofruar postin e kryetarit të Kuvendit, por që PDK-ja t’ia japë LVV-së postin e nënkryetarit të organit ligjvënës. Partia e Hamzës tha se ka përmbyllur kontributin e saj për çështjen e presidentit.
Kurti tha për mediat të martën se partitë duhet të sillen në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025, kur partia e tij fitoi 51.1 për qind të votave.
“Oferta jonë është shumë gjeneroze, por nuk janë të interesuar që të zhbllokojnë. Po sillen thuajse është viti 2025, kur, e mbani mend me ato seancën kur nuk votohej Albulena Haxhiu. Ka kaluar viti 2025, është viti 2026”, tha ai.
Duke folur për ofertën që ia bëri PDK-së, që Hamza e cilësoi si joserioze, Kurti tha se në atë rast, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, do t’ia lironte vendin Bedri Hamzës, duke e cilësuar si “koncesion të madh për ne”, pasi theksoi se katër veta në LVV kanë “më shumë vota sesa Bedri Hamza”.
“Përveç meje, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu edhe Hekuran Murati kanë më shumë vota sesa Bedri Hamza”.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përsëriti të martën qëndrimin se për partinë e tij çështja e presidentit është e përmbyllur.
Ai tha se në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së të hënë, “është konstatuar që nuk ka pasur seriozitet nga partia fituese dhe zoti Kurti për t’i dhënë vendit president. Nuk është trajtuar me korrektësi qasja pozitive e PDK-së dhe si rezultat i kësaj gjendje dhe këtyre zhvillimeve”.
Ndërkaq, duke iu referuar LDK-së, Kurti tha se dhjetë persona në LVV kanë më shumë vota sesa kreu i kësaj partie opozitare, Lumir Abdixhiku.
“Unë nuk po them që opozita është e parëndësishme, përkundrazi, kam bërë ofertë gjeneroze. Kryetari i LDK-së mund të bëhet zëvendëskryeministër, zëvendësi im, dhe përveçse të jetë zëvendëskryeministër, njëkohësisht të jetë edhe ministër i Punëve të Jashtme, pra t’i kenë katër ministri edhe të jetë zëvendëskryeministër. Dhe, jo vetëm kaq, ose ta ketë versionin tjetër, nëse nuk i pëlqen të bashkëqeverisë, ta bëjmë rokadën ku Lumir Abdixhiku ose dikush tjetër i LDK-së bëhet kryetar Kuvendi”, tha Kurti.
Abdixhiku, pas takimit që zhvilloi me Kurtin më 20 prill, tha për mediat se më nuk do të takohet me të.
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri u pyet që të komentonte deklaratën e Kurtit kur ai krahasoi votat që ka fituar Abdixhiku në zgjedhje me ato të deputetëve të LVV-së.
Ai e cilësoi këtë si “lojë fjalësh”.
“Loja e numrave, e renditjeve, kalkulimeve, është lojë politike dhe kjo qasje, kjo mendësi, Kosovën po e mban në qarkun e mbyllur të krizave politike tash e dy vjet e gjysmë së paku, dhe po paralajmëron krizë të re”, tha ai, duke shtuar se kriza për presidentin e çon vendin në zgjedhje të reja.
Haziri tha se Abdixhiku ishte ftuar në takim me Kurtin për të biseduar për çështjen e presidentit, por "kemi përfunduar duke biseduar për Qeverinë".
Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, Besnik Tahiri, tha se gjithë periudha e konsultimeve mes partive për një president unifikues “ka qenë vetëm për konsum publik” dhe që në fillim, sipas tij, është ditur epilogu.
“Blofi politik i zotit Kurti për të vendosur para një presioni opozitën e Kosovës ka dështuar”, tha ai.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti - madje as ajo në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë - nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.
Edhe përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.
Partia në pushtet në një seancë më 5 mars kishte paraqitur dy emra për president: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku, por seanca s’u mbajt në mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën.
Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.
Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës nga Qeveria.
Gjykata më e lartë në Kosovë tha se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit.