Ndërlidhjet

Armenia dhe Azerbajxhani me akuza të ndërsjella për shkelje të armëpushimit


Shkatërrimet në Azerbajxhan pas sulmeve me raketa.
Shkatërrimet në Azerbajxhan pas sulmeve me raketa.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella për shkelje të armëpushimit, që ka për qëllim ndalimin e luftimeve për rajonin e Nagorno Karabakut.

Ky zhvillim vjen vetëm pak orë pasi një armëpushim i ri mes këtyre dy vendeve hyri në fuqi më 18 tetor.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes së Armenisë tha se ka pasur sulme me raketa dhe artileri nga ana e armikut në orët e para të 18 tetorit.

Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit më vonë akuzoi forcat armene se kanë kryer sulme me murtaja dhe artileri përgjatë të ashtuquajturës Linjë të Kontaktit, që i ndanë këto dy vende.

Akuzat e ndërsjella vijnë pasi Armenia dhe Azerbajxhani njoftuan në orët e vona të 17 tetorit se kanë arritur një marrëveshje të re të armëpushimit dhe Ministritë e Jashtme të të dyja shteteve postuan një deklaratë të njëjtë në ueb-faqet përkatëse për të njoftuar për arritjen e marrëveshjes. Ndalimi i luftimeve hyri në fuqi në mesnatë, sipas kohës lokale.

Në deklaratën e armëpushimit të 17 tetorit thuhej se vendimi për armëpushim erdhi pas deklaratave më herët gjatë këtij muaji të presidentëve të Francës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara – shtete që kryesojnë të ashtuquajturin Grup të Minskut të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE).

“Asnjë luftë nuk mund të fitohet”: Pengesat për paqen mbi Nagorno-Karabakun
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Grupi i Minskut është një nismë diplomatike që ka për qëllim zgjidhjen e këtij konflikti, që daton që prej vitit 1988, në kohën e Bashkimit Sovjetik.

Luftimet e fundit në rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut – që nisën më 27 shtator – kanë lënë të vrarë të paktën 600 ushtarë dhe civilë dhe këto luftime po konsiderohen si më të ashprat që prej armëpushimit të vitit 1994, që i dha fund luftës ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit për statusin e rajonit të Nagorno Karabakut.

Nagorno Karabaku ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por ky rajon kontrollohet nga armenët etnikë – që kanë mbështetjen e Jerevanit – që prej vitit 1994.

Dhuna që ka shpërthyer së fundmi ka rritur frikën se mund të zgjerohet dhe në të mund të përfshihen edhe dy aleatët kryesorë të Azerbajxhanit, Turqia dhe Rusia.

Javën e kaluar dy palët kishin njoftuar për arritjen e një armëpushimi, por kjo marrëveshje ishte shkelur nga të dyja shtetet.

Më herët gjatë 17 tetorit, një raketë goditi një zonë të banuar nga civilët në një qytet të Azerbajxhanit, duke vrarë të paktën 13 persona dhe duke plagosur mbi 50 të tjerë.

Sulmi në Ganca, ndodhi në të njëjtën kohë kur një raketë goditi në Mingacevir, ku gjendet një digë e madhe hidroelektrike.

Ende është e paqartë se prej ku u lëshua raketa që goditi në Ganca, qytet që gjendet rreth 100 kilometra në lindje të kufirit me Armeninë.

Në një adresim televiziv, pas sulmit me raketë, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev tha se ky sulm përbën krim të luftës dhe e paralajmërojë udhëheqësinë e Armenisë për këtë gjë.

“Azerbajxhani do të japë përgjigje për këtë dhe kjo do të ndodhë ekskluzivisht në fushëbetejë”, tha presidenti azerbajxhanas.

Më herët gjatë javës, Baku dhe Jenerani pretenduan se kanë përparuar në luftimet në Nagorno Karabak, që banohet me rreth 150,000 armenë etnikë.

Ende nuk ka shifra të konfirmuara të viktimave nga luftimet e fundit, por udhëheqësia de facto në Nagorno Karabak ka raportuar për 633 ushtarë të vrarë. Azerbajxhani nuk raporton për numrin e viktimave në mesin e ushtarëve.

Dhjetëra civilë po ashtu është raportuar se janë vrarë, para sulmeve me raketa të 17 tetorit.

Armenia e ka akuzuar Turqinë se po e inkurajon Azerbajxhanin që përmes forcës ushtarake të zgjidhë problemin e Nagorno Krabakut.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit raportoi për një tërheqje të forcave armene nga Linja e Kontaktit, por nuk ka pasur konfirmim për këtë pretendim.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG