Ndërlidhjet

“Manifesta 14” në Prishtinë sjell një model të ri bienaleje


Për 100 ditë, duke filluar nga 22 korriku, Prishtina do të jetë nikoqire e bienales nomade evropiane.
Për 100 ditë, duke filluar nga 22 korriku, Prishtina do të jetë nikoqire e bienales nomade evropiane.

Prishtina po bëhet gati të presë këtë verë aktivitetin më të madh ndërkombëtar kushtuar artit në hapësirat publike, bienalen “Manifesta”.

Nga 22 korriku, për 100 ditë “Manifesta” nomade evropiane e cila mbahet çdo dy vjet, do të ndalet në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, për edicionin e saj të 14-të.

Kjo bienale shërben edhe si një urë komunikimi mes artistëve nga vende të ndryshme.

Nëntëdhjetenëntë pjesëmarrës nga 32 vende të botës do të marrin pjesë në edicionin e 14-të, që këtë radhë ka temë qendrore rikthimin e hapësirave publike te qytetarët.

“Manifesta” vazhdimisht ka befasuar me zgjedhjen e vendeve mikpritëse, të cilat pasqyrojnë ADN-në gjithnjë e në ndryshim të Evropës, për të hedhur dritë mbi një botë që përcaktohet nga ndryshimi i imperativëve etikë dhe estetikë.

Kosova është vendi më i ri në kontinentin evropian, me një moshë mesatare 30 vjeç dhe me një skenë arti nëntokësore jashtëzakonisht të gjallë.

“Manifesta 14 Prishtina” synon të mbështesë qytetarët e Kosovës në ambiciet e tyre për të rikthyer hapësirat publike dhe për të rimenduar të ardhmen e kryeqytetit të tyre si një metropol me mendje të hapur në Ballkan dhe në Evropë përmes zhvillimit të një institucioni të ri kulturor për Kosovën dhe rajonin e saj.

Gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, Dardan Hoti, koordinatori për mediat i kësaj bienaleje, u shpreh se edhe pse duhen edhe më pak se dy muaj që “Manifesta” të nisë, energjia dhe përfitimet që ky aktivitet i sjellë Prishtinës janë të jashtëzakonshme.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë është "Manifesta" dhe ku fokusohet kjo ngjarje?

Dardan Hoti: “Manifesta” është thuajse ngjarja më e madhe kulturore dhe e artit që ndodh në Evropë. Është një bienale nomade, me nomade nënkuptojmë që ky event lëviz çdo dy vjet në qytete të ndryshme të botës. Në një kuptim, “Manifesta” riformëson marrëdhëniet midis arit, kulturës dhe shoqërisë, edhe duke i hetuar dhe kanalizuar ndryshimet shoqërore përmes artit dhe kulturës.

“Manifesta” është krijuar në vitet ‘90 në Holandë, në Amsterdam dhe është krijuar si përgjigje e ndryshimeve politike, ekonomike dhe sociale pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe hapave pasues drejt integrimit evropian. Sot “Manifesta” është bienalja e katërt me ndikimin më të madh botëror dhe këtë qasjen për të prodhuar dhe për të ndryshuar dhe që këto ndryshime të jenë sa më afatgjata, edhe pas zhvillimit të “Manifestës”.

Dardan Hoti, koordinatori për media i "Manifesta 14".
Dardan Hoti, koordinatori për media i "Manifesta 14".

Pra, ky event kudo që organizohet tenton që gjatë zhvillimit të “Manifestës” këto ndryshime të kenë reflektim më afatgjatë që qytetarët e atij vendi, që institucionet e atij vendi të marrin si shembull ndoshta se çfarë mund të bëjnë përmes zhvillimit të ekspozitave, performancave të ndryshme, por me fokus të veçantë në një temë të caktuar në vendin ku zhvillohet.

Radio Evropa e Lirë: Këtë vit është zgjedhur Prishtina. Përse është zgjedhur pikërisht Prishtina si vend organizator dhe çfarë do të thotë kjo për kryeqytetin e Kosovës?

Dardan Hoti: Për herë të parë në historinë e “Manifestës”, ky event do të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor. Në atë kohë, në vitin 2019, Prishtina, në krye me Qeverinë e atëhershme, aplikoi për t’u bërë vend nikoqir i “Manifestës” me një temë të caktuar që ka qenë rikthimi hapësirave publike te qytetarët, dhe kështu është përzgjedhur në mes të disa shteteve të tjera konkurruese, siç ka qenë edhe Ukraina dhe këtë vit Prishtina doli fituese.

Për shkak të shumë analizave që janë bërë nga bordi i “Manifestës”, është parë që Prishtina është një qytet i gjallë që ka shumë talent dhe shumë kulturë dhe që duke u fokusuar në këtë temë, mund të zhvillohej edhe programi i “Manifestës”.

Radio Evropa e Lirë: Prej disa ditësh kanë filluar përgatitjet për të gjitha lokacionet. Si zhvillohet procesi para-bienales?

Dardan Hoti: Një nga shtyllat kryesore të “Manifestës” është fokusi i fortë që kanë përmes kërkimeve studimore që i bëjnë para bienales, zhvillimet urbane dhe trashëgimitë afatgjata brenda qyteteve nikoqire. Për çdo edicion, “Manifesta” angazhon për shembull një byro ndërkombëtare, në këtë rast për Prishtinën është angazhuar një byro arkitekturore, me në krye arkitektin italian, Carlo Ratti, që është zgjedhur për të drejtuar vizionin urban të “Manifesta 14 Prishtina”, dhe si merr formë brenda kontekstit lokal. Kjo është zhvilluar brenda një periudhe gjashtëmujore, është bërë ky vizion urban edhe ka treguar se si qyteti i Prishtinës mund të transformohet përmes rimarrjes së hapësirës publike.

Ky program ka një kuptim të përbashkët, pra se si t’i bëjë këto hapësira që të përdoren nga qytetarët. Pastaj pas vizionit urban, krijohet edhe programi artistik, por para kësaj është edhe një proces tjetër, ai i hulumtimeve që përmes workshop-eve [punëtorive] dhe anketave, në këtë rast është bërë prej departamentit të edukimit në kuadër të “Manifestës”, duke i konsultuar qytetarët se në çfarë do të donin ata që këto hapësira të shndërrohen, se për çfarë mund të përdoren këto hapësira në të ardhmen dhe se si këto hapësira mund t’i kthehen qytetarëve të Prishtinës. Ky studim i vizionit urban, bashkë me hulumtimet e departamentit të edukimit, kanë sjell më pas ndërtimin e programit artistik, i është përpiluar prej kuratores kryesore, Kathrin Nichols, e cila është nga Australia, por jeton në Berlin.

Radio Evropa e Lirë: Nga dita e hapjes më 22 korrik deri në 30 tetor, çfarë do të zhvillohet për 100 ditë në Prishtinë?

Dardan Hoti: Për 100 ditë në Prishtinë, ashtu siç e përmendëm, hapja e “Manifestës” do të jetë më 22 korrik edhe do të vazhdojë deri më 30 tetor dhe gjithçka do të zhvillohet në 25 vende të ndryshme në Prishtinë me pjesëmarrje të 99 pjesëmarrësve, ku përveç ekspozitave do të ketë edhe ndërhyrje artistike, po ashtu edhe performanca.

Të gjitha këto do të zhvillohen në ndërtesat ikonike të hapësirave publike në Prishtinë. Grand Hotel Prishtina është një ndër hapësirat kryesore ku do të shfaqen punët e më shumë se 60 artistëve, më pas prej Grandit do të jemi në Bibliotekën e “Hivzi Sulejmanit”, kjo bibliotekë ka qenë e papërdorur që prej vitit 2016, ndërsa tani do të shndërrohet në një qendër për narrativë praktike. Aty do të zhvillohet një program artistik dhe edukues dhe “Manifesta” synon që Bibliotekën e “Hivzi Sulejmanit” ta shndërrojë në funksionale, ndërkohë që po zhvillohet një program pesëvjeçar, ndërsa një prej synimeve të “Manifestës” është që ta lërë një objekt ose një hapësirë që ajo mund të përdoret edhe më vonë nga qytetarët e Prishtinës.

Më pas kemi Fabrikën e Tullave po ashtu që është mbuluar nga mbeturinat dhe ka mbetur e braktisur. Aty po zhvillohet një program eko-urban, prej një kolektivi nga Berlini, “Ram Labor” edhe do të testohet për 100 ditë, ku do të zhvillohen punëtori, panele diskutimi, aktivitete të ndryshme që për të parë dhe për të testuar se si mund të shndërrohet edhe ai vend për t’u përdorur nga qytetarët e Prishtinës.

Pastaj është edhe një projekt tjetër që do të zhvillohet në hapësirat e binarëve hekurudhorë, që tenton të krijojë një korridor të gjelbër që të lidhet nga Fabrika e Tullave deri te Pallati i Rinisë, përmes mbjelljes së pemëve duke krijuar kështu sa më shumë hapësirë gjelbëruese. Po ashtu i gjithë programi do të zhvillohet në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në Muzeun Kombëtar, në Librarinë Kombëtare dhe ka edhe objekte të tjera siç është Kino Rinia, e cila deri para tri vjetësh ka qenë e rrezikuar që aty të hapej një supermarket. Përgjatë Manifesta 14, Kino Rinia do të përdoret si hapësirë për t'u shprehur artistikisht.

XS
SM
MD
LG