Ndërlidhjet

Dita e fundit e bllokadave në Jarinjë dhe Bërnjak


Pjesëtarët e KFOR-it duke patrulluar në Jarinjë më 28 shtator.
Pjesëtarët e KFOR-it duke patrulluar në Jarinjë më 28 shtator.

Në ditën e dymbëdhjetë të bllokadës, situata është e qetë në të dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Këto pika vazhdojnë të jenë të bllokuara nga dhjetëra qytetarë serbë që janë duke protestuar që nga data 20 shtator, kur Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat me Serbinë.

Bashkë me qytetarët, afër këtyre pikave në veri të vendit po qëndrojnë edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Fundi i kësaj bllokade duket të jetë dita e shtunë, pasi të dy shtetet kanë arritur marrëveshje në Bruksel, për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, njoftoi për arritjen e marrëveshjes.

Sipas kësaj marrëveshjeje, njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga ora 08:00 e së shtunës (2 tetor) deri në orën 16:00.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se tani fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet.

“Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt”, shkroi Kurti në Facebook.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se për shtetin e tij “është e rëndësishme” që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu.

“Mendoj se kemi arritur një lloj zgjidhjeje kompromisi, me të cilën personalisht jam shumë i kënaqur”, tha Vuçiq gjatë një vizite në Nish.

Opozita: Qeveria e dorëzoi sovranitetin

Opozita në Kosovë ka kritikuar kryeministrin Kurti se me këtë marrëveshje ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës.

Në reagimin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), thuhet se “PDK-ja ka mbështetur vendimin e qeverisë për vendosjen e reciprocitetit në targa, por tërheqja e saj nga ky vendim kaq shpejtë dhe në këtë mënyrë është dekurajuese dhe tejet shqetësuese për zhvillimet e ardhshme”.

Edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e ka kritikuar qeverinë për këtë marrëveshje.

“Në vend të shtrimit të sovranitetit e ligjshmërisë, sot Qeveria e Kosovës u tërhoq dhe dorëzoi këtë sovranitet tek një palë e tretë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se me marrëveshjen e së enjtes, kryeministri Albin Kurti e ka kthyer Kosovën në periudhën e para pavarësisë.

Në një konferencë për media të mbajtur të premten, Haradinaj e ka quajtur kryeministrin Kurti të papërgjegjshëm.

“Në marrëveshjen për targat, Albin Kurti e ka goditur fort sovranitetin e vendit dhe karakterin unitar të shtetit. Ka vendosur që t’i kthejë targat ilegale të Serbisë, të cilat i kemi hequr dhjetë vjet më parë. Ka vendosur që territorin e veriut të Kosovës, ta trajtojë ndryshe nga pjesa tjetër e shtetit”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, Partia Socialdemokrate ka realizuar një aksion kundër marrëveshjes për targat me Serbinë.

Aktivistë të kësaj partie kanë vendosur letra ngjitëse në formë të targave në veturat zyrtare afër objektit të Qeverisë së Kosovës.

Teutë Rrusta nga kjo parti, tha për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja për targa, është katalizator për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Me këto targa tashmë legjitimohet edhe situata në veri dhe legjitimohen targat të cilat kanë funksionuar ilegalisht në Kosovë. Ato nuk do të konfiskohen dhe do të lejohen të qarkullojnë në veri. Tashmë kemi ndarje në jug dhe veri, tashmë janë ata qytetarë dhe ne. Ky është tharmi i një Asociacioni me kompetenca ekzekutive”, tha ajo.

Mendime të ndryshme të qytetarëve për marrëveshjen për targat

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa qytetarë në Prishtinë dhe në Mitrovicën e Veriut, lidhur me marrëveshjen për targat.

Sadik Krapi dhe Xhevdet Krasniqi, thanë për Radion Evropa e Lirë se kjo marrëveshje ka kthyer mbrapa Kosovën.

“Si marrëveshje, me sa e pashë, nuk është marrëveshje që na konvenon. Është kthyer koha mbrapa. Po të ishte bërë ndonjë marrëveshje në të mirën tonë, nuk besoj që do duhej që KFOR-i të shkojë atje e Policia e Kosovës të vijë këndej. Për mua është një minus”, tha Krapi.

“Natyrisht, reciprociteti është i domosdoshëm, jo vetëm në targa, por në çdo gjë. Nuk më ka pëlqyer ajo pjesa që të lejohet ende në targa për shembull ‘KM’ (Mitrovica e Kosovës)”, tha Krasniqi.

Bllokada në Bërnjak në ditën e arritjes së marrëveshjes
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:29 0:00

Kurse Nebojsha nga Mitrovica e Veriut i tha Radios Evropa e Lirë se është në dijeni që Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshje për targat në Bruksel.

“Është respektuar vendimi i Prishtinës për reciprocitet, vendosja e letrave ngjitëse edhe te njëra palë edhe te tjetra. Kështu që kjo është edhe një tjetër humbje e jona”, tha ai.

SHBA-ja dhe BE-ja në mbështetje të marrëveshjes

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, gjatë një konference për media në Bruksel, deklaroi të enjten se ishte e rëndësishme që Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për situatën në veri.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell tha se pas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG