Ndërlidhjet

Ndikim i kufizuar i Iranit në Bosnje, pavarësisht traditës së gjatë të marrëdhënieve

 Kolegji persik-boshnjak pranë Sarajevës.
 Kolegji persik-boshnjak pranë Sarajevës.

Ndërsa shefi i diplomacisë së Bosnje e Hercegovinës, Ellmedin Konakoviq, paralajmëron për rrezikun e një tronditjeje globale, ish-lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, e përshkruan situatën në Lindjen e Mesme si një “konfirmim të kërcënimit ideologjik iranian”.

Ndërhyrja amerikane-izraelite në Iran dhe përgjigjja e Teheranit me sulme ndaj objektivave në vendet e rajonit, ringjallën diskutimet për praninë e Iranit në Bosnje e Hercegovinë.

Në një postim në rrjetin X, Dodik shkroi se Republika Sërpska - entitet në Bosnje e Hercegovinë - është krijuar në luftën kundër “ideologjisë iraniane” dhe akuzoi boshnjakët për luftën në Bosnje.

Kjo, sipas disa bashkëbiseduesve të Radios Evropa e Lirë, nuk është në përputhje me realitetin, sepse mbështetja e Iranit për Ushtrinë e Bosnjës pasoi një fushatë të përhapur terrori nga forcat serbe në të gjithë vendin.

Irani i ndihmoi forcat proboshnjake me para, ndihma humanitare dhe armë gjatë luftës.

Por, pas presionit të SHBA-së pas luftës, për t’i dhënë fund ndikimit më të fortë politik të Iranit, lidhjet me Teheranin u reduktuan në aktivitete kulturore, bashkëpunim shkencor dhe vizita të rralla politike.

Pavarësisht kësaj, disa ngjarje dhe mungesa e reagimeve të qarta në Sarajevë krijojnë, herë pas here, hapësirë për interpretime të ndryshme të pranisë iraniane.

Si është sot bashkëpunimi mes Bosnjës dhe Iranit?

Në maj të vitit 2025, ministri i Mbrojtjes i Bosnje dhe Hercegovinës, Zukan Helez, priti një përfaqësues ushtarak iranian, por më pas u detyrua të kërkonte falje ndaj partnerëve strategjikë, për shkak të paralajmërimeve nga administrata amerikane.

Zëdhënësja e Qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani, vizitoi Sarajevën në vitin 2025, ndërsa një vit më herët edhe diplomati iranian, Mahmud Heidari.

Më 2022, edhe ministri iranian i Punëve të Jashtme zhvilloi një takim në Sarajevë me ish-ministren e Jashtme, Bisera Turkoviq, dhe me kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq.

Bosnje e Hercegovina dhe Irani kanë gjashtë marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi: tregtare, kulturore, shkencore dhe investimesh.

Megjithatë, shkëmbimi ekonomik është minimal.

Në pesë vjetët e fundit, Bosnje dhe Hercegovina eksportoi mallra në vlerë prej rreth 4.4 milionë eurosh në Iran, ndërsa importet nga Irani kapën vlerën e rreth 21 milionë eurove.

Produktet më të eksportuara janë ato të drurit, ndërsa importet janë kryesisht fruta.

Qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës nuk kanë nevojë për viza për të hyrë dhe qëndruar në Iran deri në 15 ditë, ndërsa qytetarët iranianë kanë nevojë për viza për të hyrë në Bosnje.

Së voni, një kolegj persik-boshnjak pranë Sarajevës - në pronësi të Republikës Islamike të Iranit - tërhoqi vëmendjen e publikut, pasi kishte varur në mur një portret të Qassem Soleimanit - dikur njëri prej komandantëve më të fuqishëm ushtarakë të Iranit.

Në Sarajevë vepron Qendra Kulturore Iraniane dhe që nga viti 2016 janë mbajtur një sërë ekspozitash, javë filmash dhe ngjarjesh letrare.

A ka Irani aleatë në Bosnje dhe Hercegovinë?

Ish-diplomati kroat, Bozho Kovaçeviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e qartë se Dodiku “dëshiron të fitojë simpati nga administrata Trump” me komentet e tij, e kështu edhe mbështetje për planet e tij separatiste.

Politikanët e tjerë boshnjakë, sipas Kovaçeviqit, po tregohen më të kujdesshëm me deklaratat e tyre, sepse janë të vetëdijshëm se Shtetet e Bashkuara janë garantueset kryesore të Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe.

Sipas tij, Irani, ashtu si edhe Rusia, u përpoq ta shfrytëzonte shpërbërjen e ish-Jugosllavisë për të forcuar ndikimin e tij, por i vuri vetes detyra që “nuk mundi t’i përmbushte”, dhe për këtë arsye sot nuk ka aleatë as në Bosnje dhe as në Lindjen e Mesme.

Ai shton se kjo konfirmohet edhe nga fakti që bashkëpunimi ekonomik me Bosnje e Hercegovinën nuk është në një nivel të lartë.

“Mendoj se Irani u përpoq të merrte përsipër një rol që nuk mund ta luante. Kryesisht, për shkak të sanksioneve afatgjate ekonomike”, thotë Kovaçeviq.

“Meqenëse Irani nuk mund të jetë më i besueshëm si aleat, mendoj se të gjitha reagimet do të mbeten në nivelin e shprehjes së emocioneve - pa mundësinë që ndonjë grup në Bosnje dhe Hercegovinë të bëhet instrument i politikës aktuale iraniane”, shton ai.

“Njëqind viza në vit”

Ish-ambasadori i Bosnje dhe Hercegovinës në Iran, Emir Haxhikaduniq, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëdhëniet midis dy vendeve aktualisht bazohen në kontakte shumë të kufizuara.

“Marrëdhëniet midis Bosnjës dhe Iranit janë vërtet margjinale. Nuk ka tregti të konsiderueshme, asnjë bashkëpunim ushtarak dhe, madje, as qarkullimi turistik nuk i kalon rreth njëqind viza në vit”, thotë Haxhikaduniq.

Ai kujton se vizita e fundit e madhe nga një delegacion i rangut të lartë nga Bosnje dhe Hercegovina në Iran ishte në vitin 2004, ndërsa intensiteti i kontakteve pas kësaj thotë se ishte minimal.

Kur bëhet fjalë për periudhën e luftës, ai konfirmon se Irani dërgoi armë, por shton se, në atë kohë, armët “erdhën me pëlqimin e heshtur” të administratës amerikane, të kryesuar nga presidenti Bill Clinton - gjë që, siç thekson, u konfirmua edhe nga dëshmitë e mëvonshme para Kongresit të SHBA-së.

Dërgesat iraniane filluan të mbërrinin në Bosnje pas vitit 1993.

“... pra, pasi u krye agresion. Prandaj, pretendimet e Dodikut për ndikimin iranian në fillim të luftës, nuk kanë bazë”, thotë Haxhikaduniq.

Mendim të ngjashëm ka edhe Asim Mujkiq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë.

Sipas tij, Dodiku po përpiqet të krijojë një lidhje të rreme midis politikës iraniane dhe luftës së Ushtrisë së Bosnje dhe Hercegovinës gjatë viteve 1990, megjithëse aktorët ndërkombëtarë janë “shumë mirë të vetëdijshëm për atë që bëhej fjalë”.

Mujkiq, gjithashtu, vë në pah paradoksin në qëndrimet e Dodikut: ai lavdëron sulmet ndaj Iranit, por injoron faktin se Teherani është një nga aleatët më të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, e vetë Dodik ka marrëdhënie të afërta me të.

Reagime tjera ndaj operacionit amerikano-izraelit

Bakir Izetbegoviq, udhëheqës i Partisë së Veprimit Demokratik, tha gjatë një fjalimi në Sarajevë më 1 mars, se “vetëm ata që e humbasin atë [paqen], e dinë vlerën e saj”.

“Dje, një luftë e vështirë filloi përsëri në Lindjen e Mesme. Ajo në Ukrainë vazhdon prej vitesh. Ne pamë se çfarë ndodhi në Gazë. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të siguruar që një gjë e tillë të mos ndodhë më kurrë këtu. Dhe, nuk do të ndodhë më nëse jemi të fortë dhe nëse ata që nuk na pëlqejnë, janë të vetëdijshëm se jemi të fortë”, tha Izetbegoviq.

Pas sulmit ndaj Iranit, Bashkësia Islame e Bosnje dhe Hercegovinës lëshoi një deklaratë, duke bërë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftës dhe kthimin në diplomaci.

“Lufta, konflikti dhe shantazhi me forcë nuk mund të jenë mënyrë për ta sjellë botën në një port paqësor”, thuhet në deklaratë.

Si një bashkësi që i mbijetoi luftës, Bashkësia Islame theksoi “detyrimin e saj moral për të paralajmëruar kundër së keqes së luftës” dhe shtoi se populli i Iranit dhe i rajonit janë “në mendimet dhe lutjet e myslimanëve boshnjakë”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG