Ndërlidhjet

BE-ja dhe Britania nisin negociatat për Brexit-in

  • RFE /RL

Foto nga protestuesit në Londër, pas vendimit për largim nga BE-ja

Në Bruksel, negociatorët e Bashkimit Evropian dhe të Britanisë filluan negociatat mbi kushtet e largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga blloku 28-anëtarësh.

Kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier, tha se shpreson se bisedimet do t’i identifikojnë prioritetet.

“Objektivi ynë është i qartë. Së pari duhet të merremi me pasiguritë që shkakton largimi i Britanisë nga BE-ja, fillimisht për qytetarët, pastaj për përfituesit e politikave të BE-së”, tha Barnier.

Sekretari për Brexit i Britanisë, David Davis, tha se është i vendosur për të ndërtuar “një partneritet të fortë dhe të posaçëm me bllokun”.

“Ka më shumë gjëra që na bashkojnë, sesa që na ndajnë”, tha ai.

Britania do të largohet nga Bashkimi Evropian në fund të muajit mars të vitit 2019. Një vendim të tillë e ka marrë në referendumin popullor, që është mbajtur vitin e kaluar.

Mbi kryeministren britanike, Theresa May, është rritur presioni që të zbusë qasjen e Qeverisë ndaj Brexit-it dhe të ruajë marrëdhënie të afërta me tregun e përbashkët evropian.

Por, edhe vetë May e ka në dyshim mbijetesën e saj politike prejse ka humbur shumicën parlamentare në zgjedhjet e 8 qershorit.

Procesi i Brexit-it kërcënon të ndajë Mbretërinë e Bashkuar edhe gjeografikisht, pasi Skocia ka votuar me shumicë dërrmuese për të mbetur brenda BE-së.

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, tha se shpreson se procesi i Brexit-it do të çojë në një fund të lumtur edhe për Britaninë, edhe për BE-në.

“Kjo është dita e parë e negociatave për Brexit-in. Natyrisht se do të ketë shumë diskutime për natyrën e marrëveshjeve që do të bëjmë… Por, gjëja më e rëndësishme për ne tani është të shohim në horizont, të mendojmë për të ardhmen dhe të mendojmë për një partneritet të ri, partneritet të thellë dhe të posaçëm, që duam të ndërtojmë me miqtë tanë”, tha Johnson.

Në Berlin, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se dëshiron një “marrëveshje të mirë” edhe për Britaninë, edhe për BE-në.

Temat e negociatave përfshijnë edhe statusin e të huajve dhe kufirin e Irlandës së Veriut.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG