Aktivisti i njohur bjellorus i të drejtave të njeriut dhe laureati i Çmimit Nobel, Ales Byalyatski, e dinte se do t’i ndodhte edhe atij. Kolegët e tij aktivistë po ngacmoheshin dhe arrestoheshin. Ai thjesht nuk e dinte se kur ishte radha e tij.
Në korrik të vitit 2021, ajo ditë erdhi për themeluesin dhe drejtuesin e kamotshëm të Qendrës së të Drejtave të Njeriut, Pranvera, kur ai u arrestua gjatë shtypjes së paparë pas protestave të mëdha kundër zgjedhjeve të kontestuara presidenciale të vitit 2020, të cilat shumë në Bjellorusi dhe jashtë saj i kanë cilësuar si të manipuluara.
“Ne atëherë folëm për largimin nga Bjellorusia”, i tha Byalyatski Shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë (REL) disa ditë pasi u lirua më në fund nga një burg bjellorus më 13 dhjetor, si pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila çoi në lirimin e gjithsej 123 të burgosurve nga paraburgimi i sundimtarit autoritar Aleksandr Lukashenko.
“Por, ndjeva se, si drejtues i një organizate që tashmë po shtypej, do të ishte gabim të ikja. Vullnetarët tanë po burgoseshin, kolegët tanë po shënjestroheshin. Duhej të qëndronim dhe ta përballonim goditjen së bashku”, tha ai.
Mbrojtësi i të drejtave të njeriut, 63 vjeç, e përshkroi burgosjen e tij – e cila zgjati rreth 4 vjet e gjysmë – si sprovë personale dhe njëkohësisht vazhdim të punës së jetës së tij: dëshmimin e shtypjes.
“Paramendoni të shikoni debate televizive për atë nëse dikush si Donald Trump mund ta fitojë Çmimin Nobel për Paqen, ndërkohë që një laureat i Nobelit është ulur pranë jush në një stol burgu”.Ales Byalyatski
Byalyatski tha se ishte i përgatitur mendërisht për arrestimin. Duke qenë se kishte shërbyer më parë një dënim në një qendër paraburgimi në Minsk në vitin 2011, kthimi në burg iu duk si ajo që ai e quajti “deja vu”.
Ajo që nuk e kishte parashikuar ishte kohëzgjatja e burgimit. Ai u dënua me 10 vjet.
Sipas Byalyatskit, zgjatja e burgimit u ndikua nga ngjarje të jashtme, më së shumti nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në fund të shkurtit 2022.
Ky pushtim u nis pjesërisht nga territori bjellorus dhe, sipas Byalyatskit, e largoi vëmendjen e botës nga shtypja që po ndodhte brenda Bjellorusisë, duke ia mundësuar regjimit t’i ashpërsojë metodat e tij.
“Ne u bëmë pengje”, tha ai. “Të burgosurit politikë në Bjellorusi nuk janë të burgosur të zakonshëm. Ne jemi më afër të qenët robër të luftës”.
Mbajtja në robëri
Byalyatski theksoi se drejtuesit e Pranverës i kishin parashikuar arrestimet dhe ishin përgatitur për vazhdimësi.
Anëtarë më të rinj të stafit u zhvendosën jashtë vendit dhe rifilluan menjëherë punën, duke hapur zyrën e parë të huaj të organizatës në kryeqytetin lituanez, Vilnius. Derisa mbrojtësit e burgosur të të drejtave të njeriut nuk mund të vepronin në kuptimin tradicional, ai tha se vetë burgosja e tyre u shndërrua në një formë dëshmie.
“Prania e mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe e gazetarëve në burg është treguesi më i qartë se demokraci nuk kishte më atje”, tha ai. “Burgosja jonë tregoi gjendjen e vërtetë në Bjellorusi”.
Byalyatski e bëri një krahasim me shtypjen e epokës staliniste ndaj intelektualëve bjellorusë në vitet 1920 dhe 1930, duke theksuar se historia kishte po përsëritej plotësisht, edhe pse kushtet e sotme ndryshojnë nga ato të një shekulli më parë.
Çmimi Nobel për Paqe prapa grilave
Byalyatski po shqyrtonte materialet e çështjes së tij penale kur mësoi se ishte shpallur bashkëfitues i Çmimit Nobel për Paqe 2022, së bashku me grupin rus për të drejtat e njeriut, Memorial, dhe Qendrën për Liritë Civile të Ukrainës.
Një i burgosur tjetër ia kumtoi i pari lajmin në një korridor. Më pas, avokati i tij e konfirmoi.
“U trondita”, tha ai. “Nuk kisha menduar kurrë për Çmimin Nobel. Por, e kuptova menjëherë se nuk ishte çmim personal”.
“Ky është sistem sovjetik i bërë për t’i thyer njerëzit. Ai zbatohet ndaj të gjithë të burgosurve, por të ndaluarit politikë shënjestrohen me një egërsi të veçantë”.Ales Byalyatski
Ai e përshkroi çmimin si njohje simbolike të lëvizjes protestuese bjelloruse dhe të mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Bjellorusi, Rusi dhe Ukrainë. Ashtu si çmimet e mëparshme që u janë ndarë figurave si Andrei Saharov, Byalyatski tha se Çmimi Nobel nxori në pah shkeljet sistematike, e jo arritjet individuale.
Në mesin e të burgosurve, lajmi u prit me nderim heshtur.
“Paramendoni të shikoni debate televizive për atë nëse dikush si Donald Trump mund ta fitojë Çmimin Nobel për Paqe, ndërkohë që një laureat i Nobelit është ulur pranë jush në një stol burgu”, tha ai. “Ishte e pabesueshme”.
Autoritetet e burgut, megjithatë, nuk e trajtuan ndryshe. Ai tha se iu nënshtrua poshtërimeve të përditshme, kontrolleve dhe qortimeve disiplinore e ndëshkimeve – gjithsej 23 – për shkelje të vogla si këpucë të pa shkëlqyera ose sepse nuk përshëndeste ndonjë oficer.
“Pas lirimit, ata konfiskuan gjithçka”, tha Byalyatski. “Letrat e mia, ditarin tim, më shumë se 300 faqe shënimesh dhe kujtimesh. Të gjitha u shkatërruan”.
Kushte të vështira burgu
Derisa tha se nuk ishte torturuar fizikisht, Byalyatski përshkroi kushtet e burgut si çnjerëzore: izolim të zgjatur, qeli të ftohta, privim nga gjumi dhe qeli ndëshkuese, ku të ndaluarit detyroheshin të qëndronin në këmbë për orë të tëra.
“Ky është sistem sovjetik i bërë për t’i thyer njerëzit”, tha ai. “Ai zbatohet ndaj të gjithë të burgosurve, por të ndaluarit politikë shënjestrohen me një egërsi të veçantë”.
“Më shumë se 1.000 të burgosur politikë mbeten në burg”, shtoi Byalyatski. “Ky sistem liron disa dhe arreston të tjerë. Është i pafund, për momentin”.
Pavarësisht sprovës së tij, Byalyatski është optimist. Ai beson se shtypja nuk mund ta shuajë kërkesën e shoqërisë bjelloruse për dinjitet dhe drejtësi.
“E vetmja gjë që ende funksionon në Bjellorusi janë njerëzit”, tha ai. “Kjo është një periudhë e errët, por është edhe një periudhë qëndresë”.