Ndërlidhjet

Deklaratat e personaliteteve që vdiqën më 2019


Dizajneri ikonik i veshjeve, Karl Lagerfeld vdiq më 19 shkurt në moshën 85-vjeçare.

Shkencëtar, ndërmjetësues, kryetar qyteti, dizejnator e kozmonaut të njohur në botë kanë vdekur më 2019. Mbrapa vetes ata kanë lënë vepra, kujtime, por edhe fjalime që do të mbahen mend gjatë nga pasardhësit e tyre.

Më poshtë kemi përmbledhur disa deklarata, që figurat e famshme që nuk janë më, i kanë thënë gjatë karrierës së tyre.


Pawel Adamowicz, kryetar i qytetit Gdansk të Polonisë, ka vdekur më 14 janar në moshën 53-vjeçare, pas një operimi, meqë ishte therur me thikë një ditë më parë në një koncert për bamirësi në këtë qytet.

Në orët e vona të 13 janarit, ai i ishte drejtuar audiencës së koncertit, dhe kishte thënë:

"Gdansku është bujar. Gdansku e ndan të mirën. Gdansku dëshiron të jetë qytet i solidaritetit. Për gjithë këtë, unë ju falënderoj juve, sepse në rrugët dhe sheshet e Gdanskut, ju keni dhënë para, ju keni qenë vullnetarë. Kjo është kohë e mrekullueshme për të ndarë atë që është e mirë. Të gjithë ju jeni shumë të mirë. Gdansku është qyteti më i mirë në botë”.

*Expose: Ligësia merr hov në Evropë

Ligësia merr hov në Evropë
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:10:27 0:00

Tony Mendez, ish-agjent i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara, i cili ka organizuar kontrabandimin e gjashtë pengjeve amerikane jashtë Iranit më 1980, ka vdekur nga sëmundja e Parkinsonit më 19 janar, në moshën 78-vjeçare në Merilland.

Në një intervistë në programin GPS të gazetarit, Fareed Zakaria në CNN, në një episod ku nuk është identifikuar lokacioni, e cila fillimisht ishte publikuar më 14 tetor të vitit 2012, ai ishte deklaruar për krizën e pengjeve.

Tony Mendez.
Tony Mendez.


"Shkuarja në Teheran nuk është e pazakonshme. Ne e dimë se puna mund të kryhet shumë më mirë nëse jeni në vendngjarje, sepse gjëja më e keqe që mund të ndodhë është që gjashtë të papërvojët të bëjnë ndonjë gabim dhe secili të përfshihet në telashe”.

Dizajneri ikonik i veshjeve, gjermani, Karl Lagerfeld ka vdekur pas një sëmundjeje të shkurtër më 19 shkurt, në moshën 85-vjeçare në një spital në Paris.

Më 7 korrik të vitit 2015 ai ka thënë për agjencinë e lajmeve, Reuters:

"Moda nuk është e nevojshme. Mund të ekzistojnë probleme tjera në botë që janë më të rëndësishme, prandaj ky nuk është problem, mirëpo moda është industri dhe industria duhet të ecë me kohën. Nëse moda nuk ec me kohën, moda mund të humbë”.

Karl Lagerfeld
Karl Lagerfeld

Ish-senatori republikan në Shtetet e Bashkuara, Richard Lugar, i cili ka luajtur rol kyç në krijimin e programit nën të cilin janë shkatërruar armë sovjetike bërthamore dhe kimike pas Luftës së Ftohtë, ka vdekur më 28 prill në moshën 87-vjeçare në Virxhnia.

Më 31 maj të vitit 2017, ai ka mbajtur një ligjëratë në një organizatë ndërkombëtare në Nju Jork dhe kishte thënë:

"Unë kam kaluar shumicën e kohës sime si i ri duke u lutur dhe duke punuar për një botë pa armë bërthamore të rrezikshme. Ndonëse e di se ka pak gjasë të ndodhë gjatë jetës sime, kjo është një ëndërr për të ardhmen kur qëllimet e njerëzimit për të ushqyer të uriturit, për të shëruar të sëmurët, për të ruajtur planetin dhe rritjen e mirëkuptimit do të mund të realizohen pa ekzistuar kërcënimi nga armët bërthamore”.

Regjisori italian, Franco Zeffirelli, ka vdekur më 15 qershor në moshën 96-vjeçare në shtëpinë e tij në Romë.

Në një intervistë për televizionin publik spanjoll RTVE, më 21 prill të vitit 1980, ai kishte thënë:

Franco Zeffirelli.
Franco Zeffirelli.


"Unë jam gjithmonë i hapur për dialog. Ndoshta kjo ka qenë një nga sekretet e suksesit tim. Unë gjithmonë kam folur hapur për gjithçka që kam dëshiruar. Unë gjithmonë kam thënë atë që kam menduar”.

Ish-presidenti egjiptian, Muhammad Morsi, një ish-figurë e lartë në lëvizjen tani të ndaluar Vëllazëria Myslimane, është raportuar se ka vdekur nga një sulm në zemër, në moshën 67-vjeçare më 17 qershor. Ai ka humbur vetëdijen gjatë një gjykimi në Kajro, ku është përballur me akuza për spiunim.

Duke folur më 10 maj të vitit 2012, gjatë një fushate për zgjedhjet presidenciale, në përgjigje ndaj një pyetjeje se kë do ta emëronte si zëvendëspresident nëse fiton, ai ka thënë:

“Definitivisht jo dikush që është i lidhur me regjimin e kaluar”.

Diplomati japonez, Yukia Amano, drejtor gjeneral i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore ka vdekur më 18 korrik në moshën 72-vjeçare.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore në mes të Iranit dhe fuqive botërore në korrik të vitit 2015, ai ka dhënë këtë deklaratë:

"Unë mirëpres këtë marrëveshje, e cila do të përfshijë verifikimin e punës së Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore në Iran. Ndaras, Agjencia dhe Irani janë pajtuar për të hartuar një plan që cakton një datë për t’u qartësuar rreth së kaluarës dhe çështjeve të së tashmes, deri në fund të këtij viti”.

Presidenti i Tunizisë, Beji Caid Essebsi, presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në këtë shtet, ka vdekur më 25 korrik në moshën 92-vjeçare në një spital në Tunis.

Më 9 tetor të vitit 2015, në përgjigje të reagimeve për ndarjen e Çmimit Nobel për Paqe për Kuartetin Kombëtar të Dialogut në Tunizi, një grup organizatash të këtij shteti, ai kishte thënë:

Beji Caid Essebsi
Beji Caid Essebsi


"Tunizia nuk ka zgjidhje tjetër për problemet e tij përveç dialogut. Pavarësisht të gjitha dallimeve dhe pavarësisht ndasive tjera ideologjike dhe fetare, neve na duhet që patjetër të ndjekim rrugën e dialogut”.

Ish-lideri autoritar i Zimbabvesë, Robert Mugabe ka vdekur nga kanceri më 6 shtator, në moshën 95-vjeçare në një spital të Singapor.

Në ditëlindjen e tij të 88-të më 20 shkurt të vitit 2012, gjatë një adresimi televiziv nga kryeqyteti Harare, ai kishte thënë:

"Njerëzit do ta zgjedhin pasardhësin. Mua më kanë zgjedhur njerëzit. Sipas mençurisë së tyre, anëtarët e partisë në pushtet sigurisht se do të zgjedhin dikë kur unë të them se po pensionohem. Por jo tani. Në këtë moshë unë ende kam kohë, apo jo?”.

Ish-presidenti francez, Jacques Chirac ka vdekur pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore më 26 shtator në moshën 86-vjeçare në shtëpinë e tij në Paris.

Më 10 mars të vitit 2003 ai ka njoftuar se në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Franca do të votojë kundër përdorimit të forcës ushtarake kundër Irakut.


"Nuk ka nevojë për luftë në mënyrë që të arrihet qëllimi që ne synojmë, çarmatimi i Irakut”.

Kozmonauti rus, Aleksei Leonov, njeriu i parë që ka ecur në hapësirë, ka vdekur më 11 tetor, në moshën 85-vjeçare në një spital në Moskë.

Më 18 mars të vitit 1965, duke folur nga selia sovjetike e hapësirës ai kishte thënë:

"Po ndihem për mrekulli. Jam përmbi Kaukaz. Mund ta shoh Kaukazin poshtë meje”.

Aleksei Leonov ishte kosmonauti i parë që ka ecur në hapësirë.
Aleksei Leonov ishte kosmonauti i parë që ka ecur në hapësirë.

Shtetasi irakian, Ibrahim Awwad Ibrahim al-Badri, lideri i grupit militant, Shteti Islamik, që është njohur me emrin, Abu Bakr al-Baghdadi, është vrarë më 27 tetor në moshën 48-vjeçare gjatë një bastisjeje të forcave speciale amerikane. Ai ishte fshehur në fshatin Barisha në provicën Idlib.

*Video: Deklarata e presidentit amerikan për vrasjen e liderit të IS-it

Deklarata e Trumpit për vrasjen e liderit të IS-it
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:34 0:00

Presidenti amerikan, Donald Trump, duke folur nga Shtëpia e Bardhë ka njoftuar kështu për vrasjen e al-Baghdadit nga forcat amerikane.

"Vrasësi brutal, ai që ka shkaktuar kaq shumë vrasje, është eliminuar dhunshëm. Ai nuk do të mund të lëndojë asnjë burrë, grua apo fëmijë të pafajshëm. Ai ka vdekur si qen. Ai ka vdekur si frikacak. Tani bota është vend shumë më i sigurt”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG