Ndërlidhjet

Selia e Gjykatës Speciale në Hagë.
Selia e Gjykatës Speciale në Hagë.

Prokuroria kërkon nga 45 vjet burgim për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin

• Në Gjykatën Speciale në Hagë kanë nisur deklaratat përmbyllëse për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.

• Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm. Për këto akuza, Prokuroria ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vjetësh për secilin - 180 vjet në total.

• Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

12:15 9.2.2026

Prokurori thotë se Shtabi i Përgjithshëm jepte urdhra për dënimin e bashkëpunëtorëve

Prokurori i Specializuar, Alan Tieger, po vazhdon deklaratën përmbyllëse dhe po flet për, siç pretendon ai, vrasje dhe torturime të personave të ndaluar në qendrën në Bajgorë.

Siç pretendon ai, vrasjet dhe keqtrajtimet janë bërë “përmes autorizimit të Shtabit të Përgjithshëm” të UÇK-së.

Ai tha qendra në Bajgorë u bë mbi bazën e komunikatave të UÇK-së dhe se “Shtabi i Përgjithshëm dënonte bashkëpunëtorët”.

12:46 9.2.2026

ZPS: Gjykata e UÇK-së u përdor si instrument kundër kundërshtarëve

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se në fund të vitit 1998, UÇK krijoi gjykatën ushtarake, që tha se nuk ishte efektive, pasi siç argumentoi Prokuroria, në punën e saj ndërhynin anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, përfshirë Selimin dhe Krasniqin.

Gjykata, tha Prokuroria, shërbeu si “instrument nga ndërmarrja e përbashkët kriminale” kundër kundërshtarëve.

Prokuroria përmendi rastin e ndalimit të Blerim Kuçit, rasti i të cilit ishte iniciuar pranë kësaj gjykate dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënuar me vdekje.

“Fate të njëjta ishin planifikuar për kundërshtarë të tjerë, që pretendoheshin të silleshin në pseudo-gjykatën për tradhti”, tha prokuroria.

13:06 9.2.2026

Prokurorja Lawson: Shënjestrimi i kundërshtarëve vazhdoi edhe pas Marrëveshjes së Kumanovës

Prokurorja Clare Lawson tha se UÇK-ja vazhdoi me “shënjestrimin e civilëve” edhe pasi u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, duke ndaluar civilët nën dyshimet për bashkëpunim.

Sipas saj, pas Marrëveshjes së Kumanovës, UÇK-ja mori nën kontroll infrastrukturën shtetërore dhe të akuzuarit tentuan të vendosnin autoritetin de facto në terren.

Ajo përmendi një komunikatë të qershorit të vitit 1999, ku thuhej se ishin ndaluar tre persona, dy prej të cilëve ishin vrarë dhe një ishte arratisur.

Lawson pretendoi e Thaçi po tentonte të konsolidonte pushtetin te faktori ndërkombëtar, duke mohuar se ka pasur vepra penale.

13:30 9.2.2026

ZPS flet për qendrat e ndalimit

Prokuroria paraqiti një hartë për qendrat e pretenduara të ndalimit të UÇK-së. Sipas ZPS-së, aty, të ndaluar u paraburgosën në mënyrë arbitrare, u keqtrajtuan, u zhdukën dhe u vranë.

Në periudhën prill 1998 deri në gusht 1999 janë regjistruar 437 incidente të ndalimit, tha ZPS-ja, duke shtuar se këto incidente janë pjesë e aktakuzës.

“Pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në kohën e arrestimit të tyre”, tha një prokuror i specializuar.

Sipas prokurorisë në Hagë, në mesin e të ndaluarve kishte edhe forca kundërshtare, por edhe anëtarë të UÇK-së. Viktimat, sipas ZPS-së ishin “shqiptarë të Kosovës, serbë, romë, malazezë boshnjakë, maqedonas, burra, gra dhe fëmijë”, që u mbajtën në qendra me orë, ditë, javë apo muaj.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG