Ndërlidhjet

Delegacioni i (pa)kompletuar i Kosovës zotohet t’u prijë negociatave


Delegacioni shtetëror i Kosovës (Foto nga arkivi)

Që kur ishte themeluar, më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Delegacioni shtetëror i Kosovës për bisedimet me Serbinë, është kritikuar në vazhdimësi nga opozita dhe një pjesë e shoqërisë civile rreth kapaciteteve dhe nivelit të përfaqësimit. Po ashtu, ishin vënë në pikëpyetje edhe kompetencat dhe përgjegjësitë e këtij Delegacioni, marrë pasur parasysh faktin që i përfshirë në procesin e dialogut me Serbinë është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Delegacioni, udhëhiqet nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, kryetarë të dy partive politike që nuk përfshihen në kuadër të subjekteve më të mëdha politike në Kosovë, Nisma Socialdemokrate dhe Partia Socialdemokrate. E para është në pushtet, kurse e dyta në opozitë.

Ditëve të fundit, ndërkaq, ky delegacion po kritikohet edhe për përfshirje të njerëzve jo-kompetentë në përbërjen e tij, të cilët kryesisht shihen si njerëz të afërm të dy bashkëkryesuesve dhe partive të tyre.

Anëtari i delegacionit shtetëror, Visar Ymeri, që është nënkryetar i Partisë Social Demokrate, tha për Radion Evropa e Lirë se marrëdhëniet e Delegacionit me institucionet e Kosovës, janë të rregulluara me Ligjin për delegacionin e Kosovës në dialogun me Serbinë, të miratuar dy muaj më parë nga Kuvendi i Kosovës.

Ymeri tha se Delegacioni shtetëror do të ketë bashkërendim me presidentin Thaçi për çështje të caktuara që dalin në procesin e dialogut, mirëpo përgjegjësia për të zhvilluar dialogun, sipas tij, është e Delegacionit shtetëror.

“Është e qartësuar me Ligjin për delegacionin shtetëror, përgjegjësitë dhe kompetencat e tij (delegacionit), që marrëdhënia do të jetë bashkërenduese dhe konsultative, varësisht prej çështjeve. Për takimet do të kemi bashkërendim, e për vendimmarrje, do të kemi konsultim me instanca tjera, mirëpo është përgjegjësi ekskluzive e Delegacionit shtetëror që ta zhvillojë këtë proces të dialogut me Serbinë dhe të merret vesh për marrëveshjen përfundimtare”, tha Ymeri.

Mirëpo, sipas pjesëtarëve të shoqërisë civile, ende ka shumë paqartësi në përgjithësi në lidhje me këtë proces.

Jeta Krasniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (KDI), tha për Radion Evropa e Lirë, se mungon uniteti edhe brenda Delegacionit shtetëror.

“Kemi parë që janë realizuar disa takime nga Delegacioni shtetëror në Bruksel. Nuk është raportuar në Kuvend se çfarë është diskutuar. Pra, mungon transparenca. Kemi parë që në fazën e fundit apo në takimin e fundit, kur dy bashkë-kryesuesit e delegacionit kanë qenë në Bruksel, ka pasur reagime nga anëtarët e tjerë të delegacionit, për vizitën e tyre dhe takimet që ata i kanë zhvilluar. Pra, duket që edhe brenda delegacionit ka qëndrime të ndryshme”, theksoi Krasniqi.

Ajo foli edhe për emërimet e disa personave të Nismës Social Demokrate dhe Partisë Social Demokrate, si anëtarë të Zyrës Administrative të Ekipit, duke thënë se emërime të tilla, e dëmtojnë procesin e dialogut dhe interesin e Kosovës.

“Personat e përfshirë duhet të jenë nga institucionet e shtetit, siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ekspertiza e nevojshme për këtë proces duhet të jetë e nivelit më të lartë të mundshëm në mënyrë që interesi i Kosovës të mbrohet”, u shpreh Krasniqi.

Kurse, deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, tha se këta persona do të merren vetëm me punë administrative të delegacionit dhe se Ekipi negociator është ai që është mandatar në Kuvend.

“Aktualisht, i ka 9 anëtarë dhe do t’i ketë gjithsej 12, po presim edhe emërimin ose votimin e 3 anëtarëve shtesë, të cilët do të jenë një përfaqësues i komunitetit boshnjak ose komuniteteve në Kosovë, një anëtar nga shoqëria civile dhe një përfaqësues shtesë i opozitës”, tha deputeti Ymeri.

Në një postim në rrjetin social Facebook, deputeti tjetër i PSD-së, Frashër Krasniqi, kishte shkruar se Ekipi negociator për krijimin e Platformës Shtetërore, ka angazhuar disa prej ekspertëve më të mirë lokalë e ndërkombëtarë për Kosovën, në mesin e të cilëve Marc Weller dhe Ben Emerson.

Përveç kryesuesve të Delegacionit, Fatmir Limajt dhe Shpend Ahmetit, anëtarët e tjerë të tij janë edhe, Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës, Avni Arifi nga Zyra e kryeministrit dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re, Mahir Yagcilar kryetar i Partisë Demokratike Turke si dhe Dardan Gashi, ministër i Diasporës në Qeverinë e Kosovës.

Anëtarë të delegacionit janë edhe Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani nga Partia Socialdemokrate, për të cilët po i mbajnë vendet e rezervuara për dy partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje.

Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk janë pjesë e këtij ekipi. Përfaqësues të këtyre partive nuk e kishin pranuar ftesën e kryetarit të Kuvendit, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, që t’i bashkohen Delegacionit shtetëror.

Zyrtarë të këtyre partive janë shprehur kundër këtij ekipi, derisa kanë akuzuar koalicionin qeveritar se po mundohet “të arnohet” me votat e një partie politike opozitare, duke aluduar në Partinë Social Demokrate, kryetari i së cilës, Shpend Ahmeti, është bashkë-kryesues i Ekipit negociator bashkë me kreun e Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj.

Dy partitë më të mëdha opozitare kanë refuzuar edhe thirrjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili u ka bërë thirrje partive parlamentare që të marrin përgjegjësitë e veta kushtetuese dhe ligjore në fazën përmbyllëse të dialogut me Serbinë që po zhvillohet në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Po ashtu, një vend në këtë delegacion është i rezervuar edhe për shoqërinë civile, por edhe ai ka mbetur bosh.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vazhdon të jetë i bllokuar si pasojë e tarifës doganore që Qeveria e Kosovës ka vendosur për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta pezullojnë vendimin për këtë tarifë, për t’i hapur rrugë dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Mirëpo, kryeministri Ramush Haradinaj është i vendosur që ky vendim të mbetet në fuqi, derisa Serbia të njohë shtetin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG