Ndërlidhjet

Pak denoncime për rastet korruptive në sistemin arsimor të Maqedonisë së Veriut


Maqedoni e Veriut, fotografi nga arkivi.

Mosveprimi i institucioneve ka bërë që studentët të heqin dorë nga denoncimi i korrupsionit në institucionet e arsimit të lartë, thonë studentët në Maqedoninë e Veriut, duke komentuar rastet e pakta të lajmërimit të korrupsionit para organeve përkatëse, kundrejt faktit se mbi 23 për qind e studentëve kanë konstatuar se korrupsioni është prezent në universitetet e vendit.

Rita Beadini nga Parlamenti Studentor në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se korrupsioni dhe nepotizmi megjithëse kanë lëshuar rrënjë të thella në institucionet e larta arsimore në Maqedoninë e Veriut, veprimet e organeve shtetërore për ta luftuar këtë dukuri, lënë shumë për të dëshiruar.

“Pse studentët hezitojnë të denoncojnë rastet korruptive në institucionet arsimit të lartë ka dy arsye. E para sepse ata nuk janë sa duhet të informuar se ku dhe si duhet ta bëjnë denoncimin kjo do të thosha se është dhe arsyeja kryesore”.

“E dyta është se nuk kanë besim në institucionet e vendit. Duke marrë parasysh se institucionet në Maqedoninë e Veriut janë jofunksionale dhe shumë pak kanë besim qytetarët kjo i deinkurajon që të paraqesin rastet korruptive”, thotë Beadini.

Nga Komiteti I Helsinkit në Shkup, që për disa muaj ka promovuar platformën në internet “Raporto korrupsionin”, bën të ditur se deri më tani kanë evidentuar tetë denoncime në lëmi të ndryshme, ndërkohë vetëm njëra prej tyre ka të bëjë me korrupsionin në institucionet e arsimit të lartë.

Nga kjo organizatë thonë se niveli i ulët i denoncimit të korrupsionit nuk do t’i inkurajojë, përkundrazi do të vazhdojnë me promovimin e kësaj platforme e cila mbështetet nga ambasada amerikane, madje bëjnë të ditur se do të mundësojë edhe ndihmë juridike falas për viktimat e rasteve të korrupsionit.

“Korrupsioni në institucionet e larta arsimore është fakt i pamohueshëm, por ajo në të shumtën e rasteve edhe pasi denoncohet në institucione, mbetet e padënuar. Andaj dhe perceptimi i qytetarëve është se lufta kundër korrupsionit nuk jep rezultate të kënaqshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Hajdi Shteriova-Simonoviq nga Komiteti i Helsinkit në Shkup.

Ndërkaq, Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit shtetërorë për Anti-korrupsion për Radion Evropa e Lirë thotë se vendimtare mbetet reformimi i tërë sistemit të drejtësisë.

Musa thotë përderisa rastet korruptive nuk marrin epilog gjyqësor, lufta kundër korrupsionit mbetet e dështuar.

“Ende nuk është dënuar, apo së paku opinioni publik apo qytetarët, nuk kanë qasje te një informacion i saktë për një keqpërdorues apo për një njeri që ka përfituar nga veprimet korupive se është dënuar.do të thotë, derisa nuk ka dënime apo ndëshkime për keqpërdoruesit e pozitave zyrtare dhe autorizimeve zyrtare, posaçërisht të zyrtarëve të lartë, në këto rrethana korrupsioni pak më të ulët në administratë në nivelin komunal apo korrupsioni në fakultete, apo në sistemin e arsimit në përgjithësi as që diskutohet, e as që përllogaritet si korrupsion”, thotë Musa.

Niveli lartë i korrupsionit në universitete në njërën anë, dhe heshtjen e thellë të studentëve para kësaj dukurie nxjerr në pah nevojën emergjente që institucionet hetimore të intensifikojnë fushata ndërgjegjësimi për studentët, por edhe qytetarët në përgjithësi, për t’i distancuar ata nga këto veprime të paligjshme theksojnë organizatat studentore, duke ndezur alarmin se korrupsioni ndikon në rënien e cilësisë së arsimit të lartë në Maqedonisë e Veriut.

XS
SM
MD
LG