Kurti: Pa president nuk mund t’i ndihmojmë katërshes së UÇK-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhja e presidentit të Kosovës dhe mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së janë çështje të ndara.
Megjithatë, ai tha se pa e zgjedhur presidentin e ri të vendit, duke e ditur se afati për këtë mbaron sot në mesnatë, vendi nuk do të mundë t’iu ndihmojë katër ish-krerëve të UÇK-së në apelimin e dënimit të tyre në shkallë të parë me burgim për krime lufte nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë.
“Për katër të dënuarit, ne besojmë se duhet të ketë korrigjim në Apel, ndërsa, në anën tjetër, kemi nevojë për një strategji shtetërore e kombëtare. Moszgjedhja e Presidentit na çon drejtpërdrejt në zgjedhje. Por jo vetëm që na çon në zgjedhje, ajo na kufizon edhe mundësinë që të merremi me strategjinë shtetërore dhe me çështjen e apelit”, tha Kurti.
Ai tha se Kosova nuk mund ta trajtojë çështjen apelit vitin e ardhshëm, ne “duhet të merremi me të këtë muaj”.
“Pa President, sot Kosova rrezikon të mbetet për muaj të tërë në zgjedhje dhe pa institucione funksionale. Prandaj, çështja e zgjedhjes së Presidentit është emergjente”, shtoi ai.
Hamza: Kemi kërkuar seancë, nuk ka arsye pse mos të votohet ligji në lexim të dytë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se i ka kërkuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, të thërrasë seancë parlamentare për t’i votuar në lexim të dytë ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale.
Hamza tha në një konferencë për media se deputetë të PDK-së dhe Aleancës dorëzuan nënshkrime për thirrjen e seancës për këtë ligj.
Ai tha se u ka çuar ftesë edhe deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dhe atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të marrë pjesë në seancë dhe për të votuar.
“Është rastësi që sot është afati i fundit për ta zgjedhur presidentin. Ne po e kërkojmë ligjin. Ne nuk i ngatërrojmë këto tema. Ne duam që ligji të aprovohet në dy lexime, dhe natyrisht që është mirë të kemi marrëveshje mes partive politike dhe vendi të këtë president për të mos shkuar në zgjedhje”, tha Hamza.
Ndryshimet për t’ia kufizuar kompetencat Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë kaluan në lexim të parë, por ato duhet të miratohen edhe në lexim të dytë për të pasur efekt.
Votimi mbeti pezull pas mospajtimeve mes PDK-së dhe LVV-së lidhur mënyrën se si të ecin përpara me këtë çështje dhe atë të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
LVV-ja kërkon që para se ndryshimet të hidhen në votim në lexim të dytë, të zgjidhet presidenti i ri, por PDK thotë se ligji është “më i rëndësishëm”.
Hamza e përsëriti se nuk do të takohet me kryeministrin Albin Kurti për të biseduar për këtë pa kaluar ndryshimet.
“Qëndrimi ynë është i qartë, nuk kemi pse takohemi pa kaluar ligji në lexim të dytë”, shtoi ai.
Kurti, ndërkohë, do të mbajë konferencë për media në orën 15:00.
Të dashur lexues, faleminderit që përcillni Radion Evropa e Lirë!
Zhvillimet vazhdojnë, ndaj qëndroni me ne për të gjitha të rejat nga Prishtina.
Mbulimin e drejtpërdrejtë nga këtu e vazhdon Ekrem Idrizi.
Nga unë, Valona Tela, mirë mbetshi!
Kurti paralajmëron konferencë për media në orën 15:00
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të mbajë konferencë për media në orën 15:00, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Konferenca do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë.
Nuk është bërë e ditur tema për të cilën Kurti do t’u drejtohet mediave.
Konferenca vjen në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit dhe ndërsa ende nuk ka marrëveshje mes partive për rrugën përpara.