Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, 5 tetor.
Kuvendi i Kosovës, 5 tetor.

Drejtpërdrejt Hamza refuzon ofertën e Kurtit për presidentin e Specialen, Sejdiu tërhiqet nga gara

E përditësuar
  • Kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar PDK-së votën për zgjedhjen e presidentit, në këmbim të votave për Ligjin për Dhomat e Specializuara. PDK-ja e ka refuzuar ofertën. Bekim Sejdiu ka rikonfirmuar se është tërhequr nga gara për president.
  • 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës; nëse Kuvendi dështon, ai shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
  • Ndërsa partitë ende nuk kanë marrëveshje për presidentin, protestat për ndryshimin e Ligjit për Specialen vazhdojnë edhe sot.
15:46

Kurti i kërkon PDK-së vota për Sejdiun në këmbim të kalimit të ligjit për Specialen

Kryeministri Albin Kurti i ka bërë “ofertë publike” Partisë Demokratike të Kosovës për t’ia kaluar ndryshimet e propozuara në ligjin për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Ai tha se, nëse PDK-ja zotohet se ia siguron të paktën gjysmën e votave të 22 deputetëve të saj për zgjedhjen e Bekim Sejdiut president të ri të Kosovës sonte, atëherë ai do t’ia sigurojë 62 vota nga partia e tij dhe partnerët e koalicionit qeverisës për kalimin e ndryshimeve në ligjin për Specialen.

Sejdiu ishte kandidat i një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe u tërhoq muajin e kaluar, pasi gjashtë deputetë të LDK-së kundërshtuan garimin e tij.

Kurti tha në konferencë se Sejdiu mbetet kandidat dhe se i nevojiten gjysma e votave të PDK-së për ta siguruar praninë e nevojshme e të paktën 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende për zgjedhjen e tij në ditën e fundit të afatit kushtetues për emërimin e presidentit të ri.

Albin Kurti. Foto arkivi.
Albin Kurti. Foto arkivi.

Ai tha se tani pret përgjigje nga PDK-ja, meqë partia opozitare “nuk po dëshiron të takohet më me ne”.

“Bedri Hamza na ka kushtëzuar në mënyrë ultimative dhe refuzon të takohet”, tha ai Kurti.

Paraprakisht, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se nuk takohet me Kurtin dhe askënd për asgjë ka kaluar ndryshimet për ligjin i cili synon t’ia kufizojë kompetencat Gjykatës Speciale.

Kurti tha se "zotohet" se do t'ia votojë "të enjten qysh në mëngjes" PDK-së ndryshimet e propozuara për t'ia kufizuar kompetencat Speciales, duke argumentuar se duhet respektuar Nenin 85 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, i cili thotë se shqyrtimi i dytë nuk mund të bëhet më herët se 72 orë nga dita e miratimit në parim.

Ndryshimet kaluan në parim të hënën.

E veçuar
18:27
18:29

Organizatorët bëjnë thirrje për protestë para Kuvendit

Organizatori i protestës së përnatshme në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Çlirim Haziri, u ka bërë thirrje qytetarëve për t’u mbledhur para Kuvendit për të kërkuar kalimin në lexim të dytë të ndryshimeve të propozuara në ligjin për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

“Ejani në shesh pa dallime partie, pa dallime bindjesh politike, pa dallime mes nesh. Kjo protestë është për UÇK-në dhe gjakun e derdhur për lirinë. Është për historinë tonë. Për ne ky ligj është emergjencë. Protesta nuk është e një partie apo një grupi”, tha Haziri.

Kjo është nata e 21-të e protestës në këtë shesh të kryeqytetit kundër vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së me burim të përgjithshëm prej 81 vjetësh për krime lufte.

Thirrja e Hazirit vjen një ditë pasi protesta e mbrëmshme u përshkallëzua në dhunë dhe përleshje mes protestuesve dhe policisë, e cila për pasojë pati dhjetëra të lënduar nga të dyja palët.

Protesta u tensionua pasi Kuvendi nuk i votoi edhe në lexim të dytë ndryshimet e propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës për kufizimin e kompetencave të kësaj gjykate.

Haziri u bëri thirrje deputetëve të të gjitha partive të kthehen në Kuvend për ta votuar atë.

17:48

Sejdiu: S’e konsideroj veten në garë për president

Diplomati dhe juristi kosovar, Bekim Sejdiu, ka konfirmuar se është tërhequr nga gara për presidentin e ri të Kosovës.

Në një reagim në Facebook, Sejdiu tha: “Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj veten pjesë të procesit të zgjedhjes së presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend”, shkroi ai.

Bekim Sejdiu.
Bekim Sejdiu.

Reagimi i tij vjen pasi kryeministri Albin Kurti e paraqiti atë si kandidat aktiv për president, duke i bërë ofertë Partisë Demokratike të Kosovës për ta votuar atë në këmbim të kalimit të ndryshimeve të propozuara për kufizimin e kompetencave të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë.

Sejdiu ishte kandidat i një marrëveshjeje mes Vetëvendosje të Kurtit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe u tërhoq muajin e kaluar, pasi gjashtë deputetë të LDK-së kundërshtuan garimin e tij.

Ai e përsëriti se ishte tërhequr në shtator për shkak të qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së dhe po e bën edhe tani për të njëjtën arsye.

Sejdiu tha se e kishte pranuar kandidaturën për postin e presidentit “vetëm për shkak të interesit të vendit dhe përpjekja për të ndihmuar në daljen nga kriza”.

Ai tha se ndien “keqardhje dhe dhimbje për ankthin dhe zhgënjimin” që po përjetojnë vendi dhe qytetarët e saj.

“Lë të jenë këto momente reflektimi për të gjithë, përtej inateve të ngushta dhe interesave personale”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës ka rreth gjashtë orë kohë për ta zgjedhur një president të ri pasi në mesnatë mbyllet afati kushtetues për këtë.

Në rast dështimi, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, për herë të katërt në dy vjet.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Vetëvendosjen për të pyetur nëse partia në pushtet ka ndonjë kandidat për president në orën vendimtare.

17:44

Haradinaj: Kurti po e çon vendin në zgjedhje

Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, e ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti se gjoja ai po e dërgon vendin përsëri në zgjedhje duke mos arritur marrëveshje për ligjin për Gjykatën Speciale dhe presidentin.

“Kjo është herë e katërt që po e çon vendin në zgjedhje i njëjti person, i njëjti vendimmarrës”, tha Haradinaj për Kurtin.

Ramush Haradinaj.
Ramush Haradinaj.

Në një konferencë për media, Haradinaj tha se është “shumë e pandershme” që të lihet në gjysmë miratimi i ligjit në një moment kritik “për mbrojtjen” e ish-krerëve të UÇK-së.

“Kurti e kurthoi edhe ligjin edhe vendin...i dha një goditje të rëndë ligjit për Dhomat e Specializuara”, tha Haradinaj.

Ai e akuzoi edhe më tutje kryeministrin duke thënë se po punon “ta zhbëjë Kosovën”, por, sipas tij, “ai nuk do t’ia arrijë, pasi Kosova është më e madhe se sa ky keqbërës patologjik”.

Shfaq më shumë

​
XS
SM
MD
LG