Ndërlidhjet

Edukimi seksual si parandalues i dhunës seksuale


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

E prekur nga një rast i abuzimit seksual në shkollë më 2021, Jora Zeneli nga Prishtina, në atë kohë nxënëse e shkollës së mesme, së bashku me disa të rinj të tjerë, kanë nisur një fushatë për futjen e lëndës Edukimi seksual, në kurrikulat shkollore.

Sipas saj, njohurit bazë do t’u shërbenin fëmijëve më vonë në jetë.

Edhe pse fushata e përkrahur nga UNICEF-i ka pasur reagime të mira, ajo nuk e arriti qëllimin.

“Edukimi seksual është një temë shumë delikate dhe duhet të diskutohet vazhdimisht në mënyrë që të mos ketë mangësi në informimin mbi këtë temë, sidomos nga palët përkatëse [mësimdhënës, prindër e media]”, thotë Jora për Radion Evropa e Lirë.

Ajo beson se futja e kësaj lënde në kurrikulë do të ndihmonte edhe në uljen e rasteve të abuzimit seksual në shkolla dhe se nxënësit “do të mund ta shihnin me një perspektivë tjetër këtë çështje dhe do të vetëdijesoheshin rreth të mirave dhe të këqijave në këtë drejtim”.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, edukimi seksual synon të zhvillojë marrëdhëniet, seksualitetin dhe shëndetin emocional dhe fizik.

Studimet në disa shteteve evropiane kanë treguar se përfshira afatgjatë e edukimit seksual në programet shkollore ka çuar në rënien e shtatzënive tek adoleshentet dhe abortet, si dhe ka çuar në rënien e niveleve të infektimeve seksualisht të transmetueshme dhe infektimeve me HIV në personat nga mosha 15 deri në 24 vjeç.

Edukimi seksual në Kosovë nuk ekziston si lëndë e veçantë, në kurrikulën bërthamë është e përfshirë në kuadër të lëndëve Biologjia dhe Njeriu dhe natyra. Në librin shkollor Njeriu dhe natyra për klasat e treta është një kapitull i veçantë “Edukimi seksual”, në të cilin mësohet vetëm për dinamikat e familjes dhe pjesën emocionale mes anëtarëve të familjes.

Ndërsa, në librin bazë Biologjia 8, mësohet për funksionin e organeve riprodhuese të njeriut, mjetet dhe metodat e parandalimit të shtatzënisë së padëshiruar, si dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.

Mungesa e lëndës së edukimit seksual në shkolla dhe qasja jo e duhur nga prindërit duke e konsideruar këtë si temë tabu, ka ndikuar negativisht në shoqërinë kosovare, duke bërë që të rriten rastet e abuzimit seksual në vend.

Kështu së paku konstaton sociologia Flakë Ymeri, e cila thotë se mungesa e edukatës seksuale në kurrikulën shkollore ka bërë që të ketë edhe mungesë të ndërgjegjes shoqërore duke ia cenuar të drejtën e tjetrit.

“Si duket nevoja për ngritjen e kësaj çështjeje dhe për ta pasur si edukim në nivelin e arsimimit fillor apo të mesëm, ka dalë si nevojë e moskomunikimit të mjaftueshëm brenda familjes, më saktë brenda prindërve, duke e konsideruar një temë tabu pa dashur ta përfshijmë të gjithë shtresën e shoqërisë sonë... këtu ka dalë ndoshta vetëdijesimi jo i mjaftueshëm për dëmet apo për dëshirat seksuale apo moskontrollimi i ndjenjave ka bërë që të kemi edhe dhunime shumë më shumë kohëve të fundit”, thotë për REL-in sociologia Ymeri.

Bazuar në të dhënat e Sistemit Informativ të Policisë së Kosovës, gjatë pesë vjetëve të fundit, 2018-2022 janë raportuar 287 sulme seksuale, dhe 235 ngacmime seksuale në Kosovë.

Në pesë vjetët e fundit vërehet një rritje e dukshme e rasteve, ku vetëm në vitin 2022 janë shënuar 92 raste të ngacmimit seksual.

Më 24 shkurt u bë e ditur se Gjykata e Prishtinës i ka dënuar me 40 vjet burgim katër të akuzuar- tre prej tyre janë të mitur - për shkak të rastit të dhunimit të një vajze 11-vjeçare më 27 gusht 2022. Në dhjetor të vitit 2022, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave të moshës madhore.

Teuta Cacaj-Sadiku, psikologe, e thekson gjithashtu urgjencën e futjes së kësaj lënde në kurrikulën shkollore si dhe rëndësinë e luajtjes së rolit të edukatorit në këtë aspekt edhe nga faktori prind apo kujdestar.

Ndër tjerash ajo shton se mënyra ideale e shkollimit të fëmijëve është nëpërmjet edukimit formal që mund të bëhet përmes një legjitimiteti të programeve mësimore për ato lëndë.

“Është evidente që shumë probleme në vend kanë të bëjnë me ngacmimin seksual dhe dhunimet, dhe të gjitha këto nuk do mend se vijnë si rezultat i mungesës së vetëdijesimit të të rinjve tanë”, shprehet ajo.

Cacaj - Sadiku thotë se nuk dyshon se “suksesi do të jetë ulja e rasteve të tilla të ngacmimeve, dhunimeve, sëmundjeve seksualisht të transmetueshme në momentin kur ne vetdijësohemi që edukimi seksual nuk është diçka amorale, por duhet kuptuar si një edukim i mirëfilltë i gjeneratave”.

Ndër të tjera, programet arsimore në bazë të lëndës edukimi seksual duhet të trajtojnë një gamë më të gjerë temash, duke përfshirë shëndetin seksual dhe riprodhues, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, shtatzëninë te të rinjtë, marrëdhëniet, orientimin seksual dhe rolet gjinore.

“Edukimi seksual ta mundëson ta njohësh veten, komplet trupin tënd, duke e respektuar imazhin, orientimin seksual, vlerat e tua, do të thotë që ty të bëjnë ta ngresh vetëdijësimin mbi atë se kush je ti, cilat janë orientimet e tua seksuale, cili është imazhi yt që ti e ke pranuar vetë edhe do që ta paraqesësh në mesin e shoqërisë”, shpjegon për REL-in psikologia Teuta Cacaj-Sadiku.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit të Prindërve në Kosovë, Jeton Demi, në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë thotë se kurrikula duke përfshirë edhe lëndën Edukimi seksual, duhet të përshtatet me stilin e jetës së fëmijëve.

“Po, ne [Këshilli i Prindërve] vlerësojmë se duhet të ketë [edukim seksual], sepse fëmijët edhe ashtu ekspozohen ndaj përmbajtjeve nga më të ndryshme, edhe duhet të kenë njohuri për gjithçka që i prek në jetën e tyre... por profesionalisht dhe përmbajtje adekuate për ta”, thotë Demi.

Ligjëruesja dhe hulumtuesja në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, e cila njëherësh është edhe nënë e dy fëmijëve, Jeta Abazi-Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se si prind do të donte të dinte më shumë edhe rreth përmbajtës së lëndës nëse do të ishte futur në kurrikulë.

“Bazat e para të edukimit fëmija i merr në familje. Dhe [fjala] prind nuk nënkupton vetëm nënën, por i merr nga babai dhe nga nëna. Megjithatë, janë disa aspekte pozitive të zhvillimeve, që tash prindërit i flasin më hapur sa u përket pyetjeve me fëmijët e tyre dhe kjo nuk dallon në bazë të gjinisë...”, thotë ajo.

Edhe drejtori i shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Dardania” në Prishtinë, Isak Bregaj, pajtohet me futjen e kësaj lënde në kurrikulë.

“Çdo gjë që është e mirë është e mirë edhe për shkollën time, pajtohem dhe e përkrahë këtë ide”, thotë Bregaj për REL-in.

Në Kosovë, për secilën lëndë mësimore në nivel klase përgatiten programet mësimore.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit i përgatit dhe i miraton programet mësimore.

REL-i ka pyetur MASHTI-n lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, Ministria përmes Agjencisë së Kosovës për Kurrikulë, Standarde dhe Vlerësim (AKKSV), harton Kornizën e Kurrikulës të Kosovës dhe lëndëve përmes një procesi të rregullt të diskutimit me përfaqësuesit e mësimdhënësve dhe komunave, me organizatat përfaqësuese të komunitetit, si dhe me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Edukimi seksual është thelbësor për të parandaluar dhe luftuar abuzimin seksual ndaj fëmijëve, dhunën seksuale dhe shfrytëzimin seksual".


Sipas ligjit për tekstet shkollore, MASHTI publikon në bazë vjetore planin për botim të teksteve shkollore, materialeve mësimore dhe mjeteve shkollore sipas fushave kurrikulare/lëndëve mësimore, klasave dhe niveleve të arsimit parauniversitar.

Sipas Dunja Mijatoviq, eksperte dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, njëherësh dhe komisionare e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, edukimi gjithëpërfshirës seksual është një mjet i fuqishëm për të luftuar dhunën, abuzimin dhe diskriminimin dhe për të promovuar respektin për diversitetin.

“Edukimi seksual është thelbësor për të parandaluar dhe luftuar abuzimin seksual ndaj fëmijëve, dhunën seksuale dhe shfrytëzimin seksual... Po kështu, edukimi seksual është thelbësor për të parandaluar dhunën me bazë gjinore dhe diskriminimin ndaj grave”, shkruan ekspertja.

Sipas Këshillit të Informacionit dhe Edukimit për Seksualitetin në Shteteve të Bashkuara (SIECUS), edukimi seksual i ndihmon të rinjtë në zhvillimin e marrëdhënieve të forta, të respektueshme, të shëndetshme dhe të flasin hapur për dinamikat e roleve në marrëdhënie për të ushqyer më shumë barazi në marrëdhënie – një strategji kyçe për parandalimin e sulmeve seksuale.

“Lënda [edukimi seksual] ka potencialin për të parandaluar sulmet seksuale, veçanërisht kur është gjithëpërfshirës. Edukimi seksual mund të ndihmojë në parandalimin e sulmeve seksuale duke: adresuar kryerjen e sulmit seksual, duke mësuar aftësitë e refuzimit seksual, duke trajtuar dhunën në takime dhe duke ushqyer marrëdhënie të shëndetshme”, thuhet në një raport të SIECUS-it.


Ndërsa, sipas një hulumtimi të realizuar nga Komisioni Evropian, i quajtur ‘Edukimi seksual në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian’, mekanizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara (OKB) – kanë përcaktuar objektiva dhe standarde të ndryshme rreth edukimit seksual që shtetet anëtare të BE-së, ndër të tjera, pritet t’i përmbushin.

Megjithatë, duke qenë se arsimi mbetet një kompetencë e shtetit anëtar, ka dallime të konsiderueshme në përmbajtjen, ofrimin dhe organizimin e tij ndërmjet shteteve anëtare.

Këshilli i Informacionit dhe Edukimit për Seksualitetin në Shtetet e Bashkuara, që nga gushti i vitit 2020, thotë se vetëm 29 shtete dhe Distrikti i Kolumbisë mandatojnë edukimin seksual të mësohet, dhe vetëm 15 shtete kërkojnë që edukimi seksual të jetë i saktë nga pikëpamja mjekësore.

XS
SM
MD
LG