Putin ngushëllon Iranin për vrasjen e Khameneit
Presidenti rus, Vladimir Putin ka shprehur ngushëllime për vdekjen e liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khameneit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Rusi, TASS.
Ai e ka përshkruar vdekjen e Khameneit si “vrasje cinike që i ka shkelur të gjitha normat e moralit njerëzor dhe ligjit ndërkombëtar”.
Rusia është aleate e Iranit. Vitin e kaluar, dy shtetet janë pajtuar për të përforcuar bashkëpunimin ushtarak dhe kanë nënshkruar traktat 20-vjeçar “të partneritetit strategjik”.
Kush ishte Khamenei?
Ajatollah Ali Khamenei e drejtoi Iranin për dekada. Mbështetësit e tij e shihnin si një udhëheqës të devotshëm dhe të mençur, kritikët e tij si një autoritar të pakompromis që e zhyti Republikën Islamike drejt izolimit të thellë ndërkombëtar. Vitet e tij të fundit si udhëheqës suprem u njollosën nga protesta masive dhe nga një shtypje brutale që la mijëra demonstrues të vdekur.
Garda Revolucionare e Iranit emëron komandantin e ri
Garda Revolucionare e Iranit e ka emëruar Ahmad Vahidin në pozitën e komandantit të përgjithshëm.
Komandanti paraprak, gjenerali Mohammad Pakpour, është vrarë në sulmet e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit të nisura të shtunën.
Garda Revolucionare është forcë e madhe ushtarake, politike dhe ekonomike në Iran, dhe është e ndarë prej ushtrisë së rregullt shtetërore.