Kush është në krye të Iranit tani?
Zyrtari kryesor i sigurisë në Iran, Ali Larijani tregoi më parë se është duke u themeluar një Këshill i përkohshëm i udhëheqjes së re, pasi sulmet amerikane dhe ato izraelite vranë figura të larta shtetërore, përfshirë liderin suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Alireza Arafi, figurë me rëndësi prej kohësh në udhëheqësinë klerike të Iranit, është emëruar në Këshill si figurë e përkohshme zëvendësuese e Khameneit. Ai është tani përkrah presidentit, Masud Pezeshkian dhe kreut të gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei.
Ky bord prej tre personash do ta udhëheqë Iranin derisa Asambleja e Ekspertëve të mblidhet për ta zgjedhur liderin e ri suprem.
Turmat rrëzojnë statujën e Khomeinit
Turma njerëzish në qytezën iraniane Galleh Dar e kanë rrëzuar një përmendore dedikuar themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini.
Vdekja e Khameneit ka nxjerrë në pah përçarje të madhe në këtë vend të tronditur nga rënia e papritur e njeriut që sundoi për 36 vjet.
Video e publikuar nga agjencia e lajmeve Reuters:
Vuçiq: Ambasada serbe në Teheran u dëmtua gjatë sulmeve
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka bërë të ditur se Ambasada e Serbisë në Iran është dëmtuar gjatë sulmeve në Teheran dhe që stafi i ambasadës është duke u zhvendosur në Baku të Azerbajxhanit.
Radiotelevizioni i Serbisë ka raportuar se nuk ka plagosur në sulm. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacione shtesë nga Ministria e Jashtme serbe dhe është në pritje të përgjigjes.
Si është situata në vendet e Gjirit?
Bahrein: Sistemet ajrore për mbrojtje në Bahrein i kanë kapur me sukses dhe i kanë shkatërruar raketat balistike dhe dronët iranianë, ka raportuar media shtetërore. Zyrtarët u kanë thënë agjencive të lajmeve në Bahrein që “copëza të kufizuara” të raketave kanë rënë nëpër tokë.
Kuvajt: Media shtetërore në Kuvajt ka raportuar se mbrojtja ajrore i ka parandaluar “një mori sulmesh ajrore armiqësore” të dielën në mëngjes. Ministria e Mbrojtjes në këtë shtet ka thënë se raketat janë kapur në jug të shtetit dhe nuk ka raportime për viktima.
Katar: Ministria e Mbrojtjes e Katarit ka thënë se aeroplanët luftarakë dhe sistemet ajrore për mbrojtje i kanë rrëzuar dronët dhe raketat e nisura nga Irani.
Emiratet e Bashkuara: Një grua dhe një fëmijë janë përballur me dëme minore nga copëzat e një droni të kapur që është rrëzuar në fasadën e një ndërtese në kullat Etihad, sipas autoriteteve në Emirate.