Vuçiq: Ambasada serbe në Teheran u dëmtua gjatë sulmeve
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka bërë të ditur se Ambasada e Serbisë në Iran është dëmtuar gjatë sulmeve në Teheran dhe që stafi i ambasadës është duke u zhvendosur në Baku të Azerbajxhanit.
Radiotelevizioni i Serbisë ka raportuar se nuk ka plagosur në sulm. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacione shtesë nga Ministria e Jashtme serbe dhe është në pritje të përgjigjes.
Turmat rrëzojnë statujën e Khomeinit
Turma njerëzish në qytezën iraniane Galleh Dar e kanë rrëzuar një përmendore dedikuar themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini.
Vdekja e Khameneit ka nxjerrë në pah përçarje të madhe në këtë vend të tronditur nga rënia e papritur e njeriut që sundoi për 36 vjet.
Video e publikuar nga agjencia e lajmeve Reuters:
Kush është në krye të Iranit tani?
Zyrtari kryesor i sigurisë në Iran, Ali Larijani tregoi më parë se është duke u themeluar një Këshill i përkohshëm i udhëheqjes së re, pasi sulmet amerikane dhe ato izraelite vranë figura të larta shtetërore, përfshirë liderin suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Alireza Arafi, figurë me rëndësi prej kohësh në udhëheqësinë klerike të Iranit, është emëruar në Këshill si figurë e përkohshme zëvendësuese e Khameneit. Ai është tani përkrah presidentit, Masud Pezeshkian dhe kreut të gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei.
Ky bord prej tre personash do ta udhëheqë Iranin derisa Asambleja e Ekspertëve të mblidhet për ta zgjedhur liderin e ri suprem.
“Rruga e Khameneit do të vazhdojë”
Ministria e Jashtme e Iranit ka thënë se rruga e Ali Khameneit – liderit suprem të Iranit të vrarë nga sulmet amerikane dhe izraelite – do të vazhdojë, teksa i ka dënuar ashpër këto sulme që janë kryer, pavarësisht se ishin duke u zhvilluar bisedime diplomatike mes Teheranit dhe Uashingtonit për programin bërthamor të Iranit.
Sulmet e fundit janë kryer teksa Omani po i ndërmjetësonte bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit. Rundi i fundit i bisedimeve është mbajtur më 26 shkurt.