Ndërlidhjet

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Trump: Do të vazhdojmë me “forcë të plotë” në Iran derisa t'i arrijmë objektivat

• Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u vra të shtunën në zyrën e tij nga sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

• Izraeli tha të dielën se po i vazhdon sulmet kundër shënjestrave të regjimit “në zemër të Teheranit”, ndërsa Irani po kryen sulme në shtetet e Gjirit Arab.

• Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se tre ushtarë amerikanë janë vrarë në luftime dhe pesë të tjerë janë plagosur në operacionin Tërbimi Epik (Epic Fury) në Iran.

14:21 1.3.2026

Dhjetëra cisterna nafte të bllokuara në Gjirin Persik

Dhjetëra cisterna me naftë janë bllokuar në ujërat e Gjirit Persik, është duke raportuar agjencia e lajmeve Reuters.

Sipas agjencisë, bazuar në të dhënat e faqeve që monitorojnë trafikun në atë zonë, “të paktën 150 cisterna” me naftë të papërpunuar dhe gaz të lëngshëm natyror janë ankoruar pranë Ngushticës së Hormuzit dhe nuk po lëvizin.

Pas sulmeve amerikane dhe izraelite të 28 shkurtit ndaj Iranit, forca detare e Gardës Revolucionare të Iranit ka paralajmëruar se do të bllokojë rrugën e anijeve përmes kësaj ngushtice.

Ngushtica e Hormuzit.
Ngushtica e Hormuzit.

Çfarë është Ngushtica e Hormuzit?

Ngushtica e Hormuzit është një grykë e vogël, por rreth 20 për qind e naftës së botës qarkullon nëpër të – apo mbi 15 milionë fuçi çdo ditë.

Shtetet sikurse Arabia Saudite, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Katari – madje edhe vetë Irani – varen nga kjo ngushticë për të eksportuar naftë dhe gaz.

Prandaj, nëse diçka e bllokon ngushticën, efektin e vëren e gjithë bota.

Irani ka kërcënuar me mbyllje të ngushticës edhe në të kaluarën. Dhe, teknikisht mundet ta bëjë këtë – duke e bërë kalimin nëpër të shumë të rrezikshëm, ose edhe duke ndalur përkohësisht mallrat.

Irani ka ndërtuar fuqi të madhe në rajon: anije të shpejta sulmuese, mina detare dhe raketa kundëranije.

Për të treguar seriozitetin, Irani ndër vite ka kryer stërvitje, dhe me raste i ka penguar anijet.


14:40 1.3.2026

Çfarë dihet deri më tani?

  • Izraeli i ka vazhduar edhe të dielën sulmet kundër atyre që i ka përshkruar si “shënjestra të regjimit” iranian, ndonëse një ditë më parë nga sulmet e tij dhe të Shteteve të Bashkuara u vra lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei dhe dhjetëra zyrtarë tjerë shtetërorë.
  • Irani është zotuar për hakmarrje të ashpër dhe është duke shënjestruar Izraelin dhe bazat amerikane në disa vende të rajonit – Bahrein, Kuvajt, Emirate të Bashkuara Arabe. Këto të fundit po raportojnë se po i rrëzojnë dronët edhe raketat e nisura nga Irani.
  • Nëpër Iran, rrugët janë të mbushura me njerëz që i gëzohen lajmit për vdekjen e Khameneti, ose vajtojnë për të.
  • Derisa të gjendet figura e re në krye të shtetit, autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se Alireza Arafi është përzgjedhur si zëvendësues i përkohshëm i Khameneit në Këshillin shtetëror që përbëhet nga presidenti Masud Pezeshkian dhe kreut i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei.
  • Rusia, aleate e Iranit, ka shprehur ngushëllime për vrasjen e Khameneit ndërsa aktin e ka përshkruar si “cinik”.
  • Zhvillimet në Lindje të Mesme kanë potencial të ndikojnë në gjithë botën, pasi raportohet se shumë cisterna me naftë janë bllokuar në Ngushticën e Hormuzit nga ana e Iranit.

14:48 1.3.2026

Të dashur lexues,

Në orët në vazhdim të jeni me kolegen time, Valona Telën.

Vazhdoni të informoheni nga materialet e Radios Evropa e Lirë!

15:31 1.3.2026

Dhjetëra viktima nga sulmet hakmarrëse të Iranit

Shërbimet emergjente të Izraelit njoftuan se së paku gjashtë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në një sulm me raketa nga Irani në qytetin Beit Shemesh.

Viktimat pësuan kur raketat goditën një ndërtesë në qytet, i cili ndodhet rreth 40 kilometra në perëndim të Jerusalemit.

Personeli i emergjencës bart një trup në qytetin izraelit, Beit Shemesh.
Personeli i emergjencës bart një trup në qytetin izraelit, Beit Shemesh.

Zyrtarët në Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan, gjithashtu, se tre persona janë vrarë dhe 58 të tjerë janë plagosur prej se Irani ka nisur sulmet në rajonin e Gjirit Persik, si përgjigje ndaj operacioneve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit.

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se ky vend ka detektuar 165 raketa balistike, prej të cilave 152 janë shkatërruar, dhe 541 dronë iranianë, prej të cilëve 506 janë shkatërruar.

Sipas njoftimit të kësaj ministrie, sulmet rezultuan me vdekjen e tre personave me shtetësi nga Pakistani, Nepali dhe Bangladeshi.

Zyrtarët në Kuvajt njoftuan, gjithashtu, për vrasjen e një personi dhe plagosjen e 32 të tjerëve nga sulmet e Iranit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG