Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Sandra Cvetkoviq, është shpërblyer me çmim për verifikimin e fakteve.
Cvetkoviq zuri vendin e dytë për artikujt: “Si shpërndanë mediat ruse përmbajtje manipuluese para zgjedhjeve në Kosovë?, të publikuar më 18 shkurt, dhe “Propaganda ruse para zgjedhjeve dhe ndikimi te serbët në Kosovë”, të publikuar më 11 tetor.
Çmimet për Verifikimin e Fakteve u ndan nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, BIRN Kosova dhe Internews Kosova, në kuadër të projektit MIDWatch, të mbështetur nga Ambasada britanike në Kosovë.
Artikulli i parë i Cvetkoviqit ka trajtuar artikujt e publikuar nga mediat shtetërore ruse, RT Ballkan dhe Sputnik Serbia, gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Në këtë artikull është analizuar se si mediat kanë manipuluar me shkrime të ndryshme, sikurse një që mbante titullin “Prishtina llogarit gabimisht – as koktej molotovi nuk do t’i trembin serbët” të publikuar më 28 janar në Sputnik Serbia, ku aludohej se autoritetet e Kosovës dëshironin t’i frikësonin serbët në Kosovë me koktej molotivi para zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Narrativët e shtyrë përpara nga këto media shtetërore ruse favorizonin Listën Serbe, partinë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, teksa këto media kanë transmetuar deklaratat e zyrtarëve të kësaj partie dhe kanë pretenduar se vetëm Lista Serbe sjell unitet për serbët në Kosovë, se ajo lufton për mbijetesën e serbëve, e të ngjashme.
Ndërkaq, artikulli i dytë, që u publikua një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale më 12 tetor, tregon se si këto dy media kanë vazhduar të përhapin pothuajse të njëjtin narrativ sikurse gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, duke vazhduar ta paraqesin Listën Serbe si “mbrojtëse të interesave” të komunitetit serb. Ndërkaq, autoritetet e Kosovës janë paraqitur si ato që kanë ushtruar vetëm presion ose “terror” mbi komunitetin serb, duke pretenduar se po tentojnë që ta largojnë këtë komunitet.
Ky është çmimi i tretë që gazetarja Sandra Cvetkoviq merr gjatë këtij viti. Më 10 dhjetor, AGK-ja e shpërbleu atë dhe kameramanin Arben Hoti me Çmimin për Raportimin e Ndjeshëm ndaj Konfliktit dhe Ballafaqimin me të Kaluarën. Ndërkaq, Bashkimi Evropian më 26 nëntor i ndau asaj dhe gazetares Doruntina Baliu vendin e tretë për gazetari hulumtuese.
Ndërkaq, gjatë ceremonisë së ndarjeve të çmimeve për verifikim të fakteve, me çmimin e parë u shpërblye Fitim Gashi nga Sbunker, ndërkaq vendin e tretë e zunë gazetarët e Nacionales, Xhezair Dashi dhe Arbër Ramadani.