Ndërlidhjet

Protestuesit para Shtëpisë së Bardhë kërkojnë drejtësi për George Floyd


Protestat në afërsi të Shtëpisë së Bardhë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:14 0:00

Protestat në afërsi të Shtëpisë së Bardhë

Qindra njerëz u tubuan në një park pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington, për të protestuar për vdekjen e afrikano-amerikanit në Mineapolis të Minesotës.

Policia u rreshtua përgjatë hyrjes së parkut ndërsa protestuesit brohorisnin “jeta e afrikano-amerikanëve ka vlerë”, “duart lart, mos qëllo” dhe “pa drejtësi nuk ka paqe”.

Policët përdorën gaz lotsjellës pasi disa protesues hodhën shishe të plastikës në drejtim të tyre.

Vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd në duart e autoriteteve javën e kaluar, ka shkaktuar tensione në Shtetet e Bashkuara.

Protestat filluan në Mineapolis, por shumë shpejt ato u zgjeruan në shumë qytete të SHBA-së, përfshirë Nju Jorkun dhe Los Angelosin , ku protestuesit u kanë vënë flakën veturave të policisë dhe kanë thyer xhamat e dyqaneve.

Në qytetin e Nju Jorkut të paktën një makinë u dogj ndërsa mijëra njerëz marshuan nëpër lagje të shumta, duke brohoritur. Më pas ata mbajtën një minut heshtje para stacionit të policisë në Times Square për nder të njerëzve të vrarë nga policia.

Tensione u shënuan në qytetin Shën Pali, qyteti binjak i Mineapolis kur një kamion u drejtua drejt një turme njerëzish. Njerëzit vrapuan për t'i shpëtuar goditjes dhe pasi kamioni u ndal, ata nxorën jashtë shoferin dhe e rrahën. Policia më pas e arrestoi dhe e çoi në spital për trajtim.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili besohej se ishte në Shtëpinë e Bardhë gjatë demonstratave, përgëzoi Gardën Kombëtare për përpjekjet e tyre për të parandaluar dhunën. Ai sulmoi mediat për siç tha "bërjen e gjithçkaje në fuqinë e tyre për të nxitur urrejtjen dhe anarkinë".

Presidenti Trump i ka cilësuar guvernatorët e Shteteve të Bashkuara si “të dobët” dhe u ka bërë thirrje që të autorizojnë veprime më të ashpra për të ndalur protestat që janë duke u zgjeruar për të gjashtën natë me radhë, transmeton BBC.

Autoritetet kanë zbatuar masa të izolimit dhe urdhëruan vendosjen në rrugë të Gardës Kombëtare pasi demonstratat u zhvilluan në më shumë se 75 qytete amerikane më 25 maj.

Trump gjithashtu tha në rrjetin social Twitter se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të shpallin Antifa-n, një rrjet i grupeve që shpesh promovojnë militantizmin e majtë - si një organizatë terroriste pasi zyrtarët federal kanë sugjeruar se mund të jenë përfshirë në valën e protestave këtë javë.

Prokurori i Përgjithshëm, Bill Barr, tha se "dhuna e nxitur dhe e kryer nga Antifa dhe grupe të tjera të ngjashme në lidhje me trazirat është terrorizëm dhe do të trajtohet në përputhje me rrethanat".

Trump më 30 maj e quajti vdekjen e George Floyd një "tragjedi të rëndë" që e ka mbushur vendin me zemërim dhe pikëllim, por ai tha se administrata e tij nuk do të tolerojë që demonstratat të shëndrrohen në dhunë.

Si filluan trazirat?

Disa video të publikuara treguan sesi një polic i bardhë, gjatë arrestimit të George Floyd, bëri presion me gju në qafën e tij, teksa ka tentuar ta arrestojë, ndërsa Floyd dëgjohej duke bërtitur "të lutem, nuk mund të marr frymë" dhe "mos më vrit".

George Floyd më vonë ka vdekur në spital. Videoja e incidentit nuk tregon se si nisi konfrontimi..

Uashington, 31 maj
Uashington, 31 maj

Katër oficerët e përfshirë në çështjen Floyd janë pushuar nga puna. Ndaj policit që shihej tek bënte presion me gju në qafën e viktimës, është ngritur kallëzim penal.

Vdekja e Floyd-it është ngjarja e fundit në një seri rastesh të ngjashme të brutalitetit të policisë ndaj njerëzve me ngjyrë, përfshirë shumë raste të kapura tjera të cilët kalimtarët i kanë incizuar me telefonat e tyre dhe më pas janë publikuar nga mediat.

Rasti i afrikano-amerikanit, George Floyd, ka nxitur reagime të shumta edhe në mesin e personaliteteve të njohura të artit dhe sportit.

Legjenda e basketbollit Michael Jordan më 31 maj foli për vdekjen e Floydit, duke thënë në një deklaratë të lëshuar në Twitter se njerëzit me ngjyrë dhe pakicat "kanë pasur mjaft" racizëm në Shtetet e Bashkuara.

Ish-ylli i Chicago Bulls tha se e kupton zemërimin dhe ai ndjehet "thellësisht i trishtuar dhe i zemëruar".

Ai tha se qëndron me ata që "thërrasin kundër racizmit dhe dhunës së rrënjosur ndaj njerëzve me ngjyrë".

Jordan gjithashtu u bëri thirrje njerëzve që "të dëgjojnë njëri-tjetrin, të tregojnë dhembshuri dhe kurrë mos t'i kthejnë shpinën brutalitetit të pakuptimtë".

Gjatë fundjavës, demonstrues në Kanada, Mbretëri të Bashkuar dhe Gjermani u mblodhën po ashtu për të shfaqur mbështetje për protestat.

Protestuesit në Berlin, 31 maj
Protestuesit në Berlin, 31 maj

Përgatiti: Kestrin Kumnova

XS
SM
MD
LG