Ndërlidhjet

Grenelli i gëzohet shpërndarjes së Kuvendit, shpreson në rikthimin e Thaçit për zgjedhje

Fotografi nga takimi mes të dërguarit të dikurshëm të Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në Prishtinë më 9 tetor 2019.
Fotografi nga takimi mes të dërguarit të dikurshëm të Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në Prishtinë më 9 tetor 2019.

I dërguari i presidentit amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell, ka sugjeruar rikthimin në politikë të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se ai mund të marrë edhe postin e kryeministrit në të ardhmen, në një kohë kur vendi po përballet me mundësinë e zgjedhjeve të reja pas dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Thaçi aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, ku po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, akuza ndaj të cilave është deklaruar i pafajshëm.

Në një postim në rrjetin social X, Grenell shkroi: “Lajm i shkëlqyer. Zoti po na përgatit të gjithëve për rikthimin e Hashim Thaçit! Thaçi për kryeministër”.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj Thaçit në Dhomat e Specializuara në Hagë po shkon drejt përfundimit.

Më 18 shkurt, Thaçi dhe bashkë-të akuzuarit e tjerë – ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi – u deklaruan sërish të pafajshëm në deklaratat përmbyllëse në gjykatë.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërtit i kanë mohuar.

Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, ndërsa ekipet mbrojtëse kanë kërkuar lirimin e tyre, duke argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara.

Tani, gjykatësit kanë deri në tre muaj kohë për të marrë një vendim ose për të kërkuar zgjatje të afatit.

Komentet e Grenellit vijnë gjithashtu në një moment tensioni politik në Kosovë, pasi vendi po përballet me krizë institucionale lidhur me zgjedhjen e presidentit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit pasi ky institucion dështoi ta zgjedhë presidentin e ri deri më 5 mars. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje u ankua ndaj vendimit në Gjykatën Kushtetuese.\

Osmani i mblodhi partitë politike për të diskutuar për zgjedhje të reja, por në takim nuk mori pjesë partia e kryeministrit Albin Kurti. Kurti e quajti dekretin “jokushtetues”, duke thënë se Kushtetuta parasheh afat prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit dhe se zgjedhjet nuk janë zgjidhje.

Seanca e 5 marsit në Kuvend dështoi në mungesë kuorumi, pasi deputetët e partive opozitare nuk morën pjesë në votim.

Grenell ka qenë i përfshirë më herët në zhvillimet politike që lidhen me Kosovën. Në nëntor të vitit 2019, ai u emërua nga presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, si i dërguar i posaçëm për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.

Në vitin 2020, gjatë këtij mandati, Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike – të njohur si Marrëveshja e Uashingtonit – e cila nuk është zbatuar kurrë në tërësi.

XS
SM
MD
LG