Ndërlidhjet

Shkollat dhe kopshtet mbyllin dyert, punonjësit në grevë


Njoftimi për grevë në një shkollë fillore në Shkup, 11 prill, 2022.
Njoftimi për grevë në një shkollë fillore në Shkup, 11 prill, 2022.

Punonjësit e arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut nisën të hënën grevën e përgjithshme, pasi bisedimet midis sindikatës së arsimit dhe Qeverisë për rritjen e pagave dështuan.

Punonjësit e shkollave dhe kopshteve u paraqitën në vendet e punës, por nuk mbajtën mësim në klasa dhe nuk u kujdesën për fëmijët në kopshte.

“Gati një muaj bëmë përpjekje që, përmes bisedimeve, të arrijmë të realizojmë kërkesat tona, por, për fat të keq, nuk morëm asnjë përgjigje pozitive, madje nuk kishim asnjë ofertë që të mund ta shqyrtojmë. Andaj, edhe ashtu siç kemi paralajmëruar, nga dita e sotme [e hënë] jemi në bojkot të përgjithshëm... Greva do të zgjasë derisa të arrihet një zgjidhje e pranueshme lidhur me kërkesat tona”, tha Jakim Nedelkov, kryetar i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Maqedoninë e Veriut.

Kjo sindikatë kërkon zbatimin e marrëveshjes kolektive, apo rritjen graduale të pagave, duke nisur fillimisht me 18.4 për qind.

Në Maqedoninë e Veriut, në arsimin fillor janë të punësuar rreth 20,000 mësimdhënës, ndërsa rreth 8,000 janë në arsimin e mesëm dhe mbi 5,000 në kopshte.

Paga mesatare e arsimtarëve në sistemin parashkollor dhe fillor sillet në rreth 21,600 denarë (350 euro), ndërsa në arsimin e mesëm 22,500 denarë (365 euro).

Greva e organizuar nga sindikata mbështetet edhe nga Shoqata e Arsimtarëve Shqiptarë.

Samet Jahiu, kryetar i kësaj shoqate, tha se punonjësit e arsimit janë në gjendje të rëndë dhe të nënvlerësuar nga institucionet.

“Për momentin, statusi i mësimdhënësve është zero. Këtu, mësuesi nuk ka asnjë peshë, të cilën e meriton. Jo që vlerësohen, por mësimdhënësit këtu nënvlerësohen. Ne plotësisht po e përkrahim grevën, por kërkojmë që sindikata të mos lëshojë pe, sikur që ka ndodhur në të kaluarën. Unë gjithmonë kam thënë: le të zbatohet marrëveshja kolektive, s’ka nevojë për rritje, pasi marrëveshja kolektive vetvetiu rregullon rritjen e pagave”, tha Jahiu.

Marrëveshja kolektive mund të arrihet kur sindikatat dhe punëdhënësit negociojnë kushtet e punësimit.

Qeveria për vazhdimin e negociatave

Qeveria e Maqedonisë së Veriut tha se është për vazhdimin e bisedimeve me sindikatën, por pa dhënë ndonjë ofertë konkrete lidhur me kërkesat për rritje pagash.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se kërkesa e sindikatës mund të shkaktojë inflacion në vend.

“Nuk do të fitojmë asgjë nëse rrisim inflacionin dhe pikërisht kjo do të ndodhë nëse kërkesat realizohen, ashtu siç janë vendosur. Dispozitat ligjore mbrojnë interesat e nxënësve dhe për këtë arsye mësimi duhet të organizohet edhe gjatë grevës”, shkroi Kovaçevski në Facebook.

Ky qëndrim i tij, por edhe i Ministrisë së Arsimit dhe i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, se duhet të ketë mësim në shkolla, sikur që duhet të ketë edhe kujdes ndaj fëmijëve në kopshte, u interpretua si “kërcënim” ndaj grevistëve.

“Qeveria, në vend që të kërcënojë dhe të bëjë presion, duhet të bëjë përpjekje për t’i përmbushur kërkesat e tyre [grevistëve] dhe për të përmbushur atë që Qeveria ka pranuar me marrëveshjen kolektive. Ne mbështesim kërkesat e të punësuarve në shkolla dhe kopshte, pasi kërkesat e tyre janë të arsyeshme”, tha Vesna Janevska, nga partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE.

Edhe partia Aleanca për Shqiptarët i dha mbështetje sindikatës në kërkesën për rritjen e pagave.

“Aleanca për Shqiptarët mbështet mësimdhënësit, si dhe të drejtat tyre për kushte dinjitoze për punë, si dhe të drejtën e tyre sindikale për të shprehur revoltën derisa të përmbushen kushtet”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG