Ndërlidhjet

Kuvendi pa kuorum, Thaçi mbetet i vetëm në negociata me Serbinë


Presidenti Hashim Thaçi në Kuvend
Presidenti Hashim Thaçi në Kuvend

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdon të insistojë në nevojën e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë, e cila, sipas tij, do t’i siguronte Kosovës ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe do t’i hapte perspektivën integruese në NATO dhe në Bashkim Evropian.

Por, angazhimi i Thaçit në dialog, po sfidohet nga opozita, e cila nuk po e mbështetë koalicionin qeverisës në Kuvendin e Kosovës që të emërojë një ekip negociator, i cili krahas presidentit Thaçi do të përfshihej në bisedimet me Serbinë. Kushti i opozitës, mbetet që fillimisht Thaçit t’i ndalohet zbatimi eventual i idesë për ndryshimin e kufirit të Kosovës, që do të dilte si produkt i një marrëveshjeje eventuale me Beogradin.

Për ndryshimin e kufirit, Thaçi nuk e ka as mbështetjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Por, kjo nuk e ka penguar Thaçin që edhe të premten të proklamojë idenë e tij për, siç e quan, “korrigjim të kufirit”.

Kosova do të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë vetëm nëse ajo i siguron asaj njohje reciproke, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Këto komente, Thaçi i bëri gjatë një konference për media, ku ka prezantuar përpjekjet e tij të vazhdueshme për arritjen e një marrëveshjeje paqësore dhe ligjërisht të obligueshme me Serbinë. Sipas presidentit Thaçi, marrëveshja eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kishte ndikim pozitiv dhe në gjithë rajonin.

Thaçi ka folur sërish për marrëveshje e cila prek edhe kufijtë, çështje kjo që nuk po has në mbështetje brenda spektrit politik në Kosovë.

"Do të kemi demarkacionin e kufiri apo korrigjimin e kufirit prej 430 kilometrash. Nuk mund të ketë njohje reciproke pa përmbylljen e këtij procesi apo paralelisht. Korrigjimi i kufirit është i mundshëm dhe i siguron Kosovës njohje direkte nga Serbia, e po ashtu edhe bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën", ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se nuk mund të ketë njohje e as marrëveshje me Serbinë pa demarkacionin e kufirit.

“Njohja nga Serbia nënkupton njohje nga pesë vendet e Bashkimit Evropian për Kosovën, njohje nga Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qipro. Nënkupton menjëherë fillimin procesit të Kosovës përmes themelimit të ushtrisë edhe partneritet për paqe dhe rrugëtim të sigurt në NATO", tha Thaçi.

Njëherësh, Thaçi ka përshëndetur kërkesën e shqiptarëve në Luginë, që Kuvendi të miratojë një rezolutë për bashkim me Kosovën.

Po ashtu, Thaçi ka bërë thirrje që ekipi negociator i Kosovës të formohet sa më shpejt në Kuvend, duke kërkuar edhe përkrahjen e opozitës, shoqërisë civile dhe mediave. Ai është zotuar se një marrëveshje e mundshme finale me Serbinë, do të ketë përkrahje të vendeve në rajon, BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër, në Kuvendin e Kosovës deputetët e opozitës kanë vazhduar me kritikat e tyre drejtuar presidentit Thaçi lidhur me përfaqësimin e Kosovës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se presidenti Thaçi ka mbetur pa mandat, pa ekip dhe pa platformë për bisedimet me Serbinë. Siç tha ai, Thaçi ka treguar hapur se do ta shkelë Kushtetutën.

“Presidenti është pa tri elemente kryesore, që janë elemente të domosdoshme kur të shkosh në negociata. Ai është pa mandat, është i vetëmandatuar. Ia ka marrë mandatin Qeverisë dhe Ramush Haradinaj nuk guxon të bëjë zë, sepse i rrëzohet Qeveria. E dyta, nuk ka ekip Hashim Thaçi, atë ditë nuk mund ta votonin ekipin qeveritar këtu dhe përveç kësaj nuk ka as platformë", u shpreh Konjufca.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, theksoi se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke bërë gabim në procesin e dialogut me Serbinë.

"Qytetarët e Kosovës përmes përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Kosovës, nuk duan që [çështja e kufirit ] të diskutohet në dialogun me Serbinë. Ne vlerësojmë që veprimet e presidentit janë kundërkushtetuese. Shumica e deputetëve këtu në Kuvend, e kanë shfaqur këtë, duke përfshirë edhe disa grupe parlamentare nga koalicioni qeverisës", tha Hoti.

Dardan Molliqaj nga Partia Socialdemokrate, po ashtu parti kjo në opozitë, tha se procesi i dialogut me Serbinë ka nisur dhe është duke vazhduar mbrapsht.

"Ka filluar përmes një rrugëtimi krejt të mbrapshtë, absolutisht jo normal dhe i cili është nisur dhe është ndikuar kryesisht nga presidenti i Republikë së Kosovës zoti Thaçi. Përgjegjësinë për këtë çka po ndodh sot në Kosovë në procesin e dialogut, e ka pushteti përkatësisht shumica dhe presidenti. E keni nisur vetë me arrogancë, edhe temat, edhe procesin, dhe nuk kemi pasur vullnet e as dëshirë për të ndërtuar një platformë të përbashkët në Kosovë. ", tha Molliqaj.

Por, në anën tjetër, deputeti Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo në pushtet, tha se rezolutat për të cilat angazhohet opozita, nuk do të mund ta ndihmojnë procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurse, deputeti Zafir Berisha nga partisë Nisma Socialdemokrate po ashtu parti në pushtet, tha se duhet të ketë një konsensus për dialogun, ndërsa deklaratat e presidentit Thaçi për ndryshimin e kufijve sipas Berishës, nuk duhet të merren seriozisht.

"Ata që e njohin nga afër e dinë se është njeriu më i papërgjegjshëm që ka pasur skena politike që nga paslufta. Duke e ditur këtë, unë mendoj se deputetët thjesht nuk duhet të merren shumë me deklaratën e tij", tha Berisha.

Partitë opozitare edhe të enjten kanë lëshuar punimet e Kuvendit, duke kërkuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga to.

Në Kuvendin e Kosovës, partitë në pushtet kërkojnë që Kuvendi të emërojë ekipin negociator për dialogun me Serbinë të propozuar nga Qeveria, kurse opozita kërkon miratimin e një rezolute lidhur me angazhimet e presidentit Hashim Thaçi për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG