Ndërlidhjet

Inatet politike shtojnë ankthin e familjarëve të të pagjeturve


Aktivitet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të shënuar Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur.

Politika i ka krejt fajet! Të paktën kështu besojnë familjarët e personave që llogariten si të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Fjala është për mungesën e përparimit në gjetjen e trupave të pajetë të 1,617 personave.

Bajram Qerkini, nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, e cila qendër ka brenda vetes familjarët e personave të pagjetur të të gjitha komuniteteve, është i bindur se pengesë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve është mungesa e vullnetit politik për zbardhjen e krimeve të luftës.

“Atje në Bruksel është faji kryesor. Edhe pse po themi se [çështja e të pagjeturve] nuk është politike, ajo është politike. Politikanët e kanë stagnuar këtë proces, që të mos zbardhet fati i të pagjeturve, për shkak se duhet të zbardhen edhe krimet e luftës”, ka thënë Qerkini.

Negovan Mavriq nga Shoqata e Familjeve të Personave të Rrëmbyer dhe të Zhdukur në Kosovë, ka thënë se komunikimi ndërmjet grupeve punuese të Beogradit dhe Prishtinës aktualisht është pothuajse tërësisht i bllokuar dhe se ky është tash problemi më i madh.

Kosova dhe Serbia kanë komisione të veçanta dhe grupe punese, në mandatin e së cilave është bashkëpunimi për të ndihmuar zbardhja e fatit të të pagjeturve, duke shkëmbyer informacione për varrezat e mundshme masive. Ka më shumë se një vit që prej takimit të fundit të këtyre mekanizmave.

Fati i të pagjeturve ndërmjet përplasjeve politike

Së fundmi, këtij ngërçi po i kontribuojnë edhe mospajtimet e palës së Kosovës që në krye të Komisionit të Serbisë për të zhdukurit të jetë Veljko Odaloviq, të cilin Prishtina e akuzon për pjesëmarrje në strukturat serbe, përgjegjëse për përndjekjen e shqiptarëve nga Kosova gjatë viteve ‘90.

Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, thotë se “në komunikimin e të dy palëve, nuk sheh asnjë kuptim”, dhe se është e rëndësishme që ndaj çështjes së personave të pagjetur të ketë qasje nga një këndvështrim i veçantë, gjegjësisht, që të ketë informacione të besueshme për varrezat masive.

Ajo, po ashtu, thekson se në gjithë këtë proces është i domosdoshëm vullneti politik i vendit, në të cilin ndodhen varrezat masive.

Shkas për përplasje përmes deklaratash ndërmjet Komisioneve qeveritare për personat e zhdukur, të Kosovës dhe Serbisë, së fundmi ishte ndërprerja më 23 maj e gërmimeve në Minierën në Shtaval, në Sijenicë të Serbisë, e cila kishte nisur më 10 maj, por që pas 13 ditësh kishte rezultuar pa gjetje të vend-varrezës masive me mbetjet mortore të viktimave të luftës.

Pala e Kosovës, më 25 maj, ka akuzuar palën e Serbisë për mungesë të bashkëpunimit dhe “mosdhënie të informacioneve shtesë”, të cilat Komisioni nga Kosova i kishte kërkuar për të vazhduar gërmimet në Shtaval.

Asokohe, Martina Fava, koordinatore për të Zhdukurit nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si dhe kryesuese e takimit të Grupit punues të Prishtinës dhe Beogradit, tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është “element kyç” për avancimin e procesit të identifikimit të varrezave masive dhe zgjidhjes së çështjes së personave të pagjetur.

“Ne jemi të gjithë këtu për shkak të familjeve të të zhdukurve dhe kjo punë është shumë e rëndësishme, sepse koha po ikën dhe familjeve duhet t’u jepet një përgjigje”, tha ajo.

Përplasje për gërmimet në Shtaval

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, me pyetjen se cila është arsyeja e fajësimit të palës së Serbisë.

Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se pala e Kosovës në vazhdimësi ka shprehur kundërshtimin ndaj tendencës së palës serbe për të shmangur përgjegjësinë lidhur me fatin e personave të pagjetur përmes informatave të pasakta.

“Kjo është arsyeja pse kemi insistuar vazhdimisht për qasje në dokumente të kohës së luftës që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë. Jo vetëm në këtë rast (Shtaval), por në vazhdimësi, ne kemi thënë që qasja destruktive e Serbisë lidhet me politizimin e vazhdueshëm të kësaj plage dhe informatat jo të besueshme, të cilat kanë për pasojë zvarritjen e procesit dhe mungesën e rezultateve”, ka thënë Hoti.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Serbisë, Veljko Odaloviq, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ka hedhur poshtë pretendimet e palës së Kosovës se Serbia nuk dëshiron të ndajë informatat e saj nga arkivat, përfshirë edhe ato që lidhen me lokacionin Shtaval afër Sijenicës.

Odaloviq theksoi se në 13 gërmime u kontrolluan 7.200 metra kub me dhe, ndërsa është konstatuar që në atë lokacion nuk janë gjetur mbetje mortore.

“Dëshiroj të përsëris edhe një herë që ai është informacion që e kemi marrë nga pala e Prishtinës dhe se ne, duke kërkuar informacione shtesë, kemi marrë dy regjistrime satelitore. Unë e falënderoj palën amerikane, e cila ia ka mundësuar përfaqësuesit të Kryqit të Kuq që t’i sigurojë ato dy regjistrime satelitore. Ky lokacion (Shtaval) është kontrolluar në detaje”, ka theksuar Odaloviq dhe ka shtuar se sërish do të kontrollohet ky lokacion, por edhe çdo lokacion tjetër, në qoftë se arrijnë informacione të reja.

Akuza të ndërsjella

Odaloviq ka fajësuar palën e Kosovës se tash e disa vjet nuk u është përgjigjur kërkesave të palës së Serbisë, për të verifikuar të paktën nëntë lokacione, të cilat dyshohet se janë varreza masive.

Disa nga kërkesat e palës serbe, siç ka thënë ai, janë që të kontrollohen lokacione: në Koshare (komuna e Gjakovës), në Llapushnik (komuna e Drenasit), në Javor (komuna e Suharekës), Dojnicë (komuna e Prizren).

“Me dokumentacionin që kemi dorëzuar, ka arsye të mjaftueshme për t’i verifikuar ato informacione në ato lokacione. Është e qartë se Prishtina, në këtë moment, nuk ka ndërmend t’i zbatojë vendimet për të cilat jemi pajtuar së bashku”, ka thënë Odaloviq.

Por, Andin Hoti tha se akuzat që vijnë nga pala serbe, janë pjesë e strategjisë së tyre, për ta evituar presionin eventual ndërkombëtar ndaj Serbisë për të bërë më shumë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, në vazhdimësi ka treguar vullnet dhe gatishmëri për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, pa dallim, sepse qasja jonë ka qenë dhe mbetet humanitare në trajtimin e kësaj plage të luftës. Këtë e dëshmon fakti se në Kosovë janë gërmuar 2.700 lokacione, që do të thotë gërmime në çdo 4 kilometra katrorë të territorit të Kosovës”, ka theksuar Hoti, në përgjigjen me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, së fundmi, rreth dy javë më parë, janë kryer gërmimet në një varrezë myslimane në fshatin Pllanjan të Prizrenit, ku janë gjetur mbetjet mortore të një personi. Sipas këtij komisioni, të pranishëm në këtë proces, kanë qenë edhe përfaqësuesit e delegacionit nga Serbia, të ftuar nga pala e Kosovës.

Në prill të vitit 2011, numri i personave të pagjetur nga lufta në Kosovë ka qenë 1.821.

Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur në Kosovë, më 27 prill të vitit 2022, kur u shënua Dita e të Pagjeturve në Kosovë, figuronin edhe 1.617 persona ende të zhdukur. Do të thotë, brenda 11 vjetësh është zbardhur fati i vetëm 204 personave, të cilët janë raportuar si të pagjetur.

Kush kë duhet ta ftojë në takim?

Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar të Serbisë për Persona të Zhdukur, takimi i fundit i grupit punues, që përbëhet prej përfaqësuesve të të dyja palëve, është mbajtur në shtator të vitit 2020, ndërsa një takimi ad-hoc është mbajtur në dhjetor të vitit 2020.

Veljko Odalloviq ka thënë se Prishtina është ajo që duhet të bëjë ftesën për takimin e radhës të grupeve punuese për personat e pagjetur, që sipas tij “është i nevojshëm urgjentisht. Por, sipas Odaloviqit, Prishtina e ka shmangur një gjë të tillë.

“Deri vitin e kaluar kemi mbajtur dy takime në vit, ndonjëherë edhe më shumë. Tani po hyjmë në vitin e dytë që Prishtina nuk reagon dhe nuk cakton takim. Mendoj se është një qëndrim i papërgjegjshëm ndaj familjeve dhe viktimave”, është shprehur Odaloviq.

Tridhjetë vjet në kërkim të djalit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:05:49 0:00

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të marrë një përgjigje të saktë nga pala kosovare ndaj akuzave të Serbisë.

Rikujtojmë edhe një herë se më 15 qershor të vitit të 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që pati në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati theksuar se ka kërkuar që Veljko Odaloviq të largohet nga pozita e kreut të Komisionit të Serbisë, se është anëtar i Partisë socialiste të Serbisë, të cilën në vitet ‘90 e ka udhëhequr Sllobodan Millosheviqi.

Që atëherë, pala e Kosovës nuk ka pranuar të flasë me Odaloviqin.

Kandiq: Bashkëpunimi i institucioneve të sigurisë, i domosdoshëm

Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se për të sqaruar fatin e personave të pagjetur është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të ndajnë të dhënat ushtarake dhe policore për të identifikuar të gjitha varrezat masive.

“Kohët e fundit është treguar se disa lokacione janë kontrolluar në bazë të të dhënave të ofruara nga dëshmitarët dhe se nuk ka të dhëna që do t’i mbështesnin ato informacione me të dhënat ushtarako-politike apo njohuri nëse trupat ishin fshehur në atë lokacion”, ka thënë Kandiq.

Ajo ka theksuar se Ministria e Policisë apo Mbrojtjes e Serbisë duhet të ketë të dhëna për njohuritë e disa dëshmitarëve, të cilët ndajnë informacione me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur të Kosovës:

“Gjithashtu, kur është fjala për Kosovën, jam mjaft e sigurt se nuk mund të fshiheshin mbetjet mortore të trupave, pa e ditur këtë gjë komandantët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Kandiq ka shprehur besim se institucionet e Kosovës dhe Serbisë duhet të bashkohen në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, gjegjësisht, t’i plotësojnë deklaratat e dëshmitarëve me informacionet e tyre.

Kur dhe çka u zbardh?

Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Serbisë, Veljko Odaloviq, ka ripërsëritur se fati i 1,807 personave të pagjetur, mes të cilëve 1,500 shqiptarë të Kosovës, është zbardhur përmes një mekanizmi të grupit punues dhe ka theksuar se i gjithë procesi nuk guxon të politizohet. Shifër të ngjashme Odalloviq kishte përmendur edhe në një material të publikuar nga Radio Evropa e Lirë, më 27 prill të vitit 2022.

Por, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, ka hedhur poshtë pretendimet e Odaloviqit se grupi punues - i përbërë nga shqiptarë dhe serbë - ka zgjidhur më shumë se 1,800 raste. Sipas tij, shumica e këtyre rasteve janë zgjidhur gjatë vitit 2000, me presionin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë, kur ky grup punues nuk ka ekzistuar fare.

Grupi i përbashkët punues për personat e pagjetur është krijuar në vitin 2004, nën patronazhin e përfaqësuesit të posaçëm të sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

Në kuadër të tij, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit shkëmbejnë informacione dhe planifikojnë aktivitete.

Odaloviq, gjithashtu, ka thënë se Serbia ka ndarë 2.417 dokumente me Kosovën dhe në
këmbim nuk ka marrë asnjë informacion që mund të kontribuojë në zbardhjen e personave të zhdukur të komunitetit serb. Hoti ka pohuar se pala serbe ka ofruar dokumente, por, sipas tij, ato nuk kanë pasur fare substancë.

Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:23 0:00

Kosova ka dalë nga lufta e viteve 1998-‘99 me më shumë se 13,000 persona të vrarë, mbi 800,000 të zhvendosur dhe më shumë se 6,000 të pagjetur.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët, siç thuhet, janë bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet.

Deri më tani, nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetjet mortore të rreth 1,000 personave.

Facebook Forum

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG