Ndërlidhjet

Irani dhe Turqia kundërshtojnë referendumin e kurdëve në Irak


Mohammad Hussein Bagheri dhe Recep Tayyip Erdogan
Mohammad Hussein Bagheri dhe Recep Tayyip Erdogan

Turqia dhe Irani kanë kundërshtuar rëndë një referendum e kurdëve për pavarësi, i cili është planifikuar të mbahet muajin e ardhshëm në Irak.

Këto deklarata janë bërë gjatë një vizite të shefit të stafit të ushtrisë së Teheranit, Mohammad Hossein Bagheri, në një vizitë të rrallë në Ankara.

Media turke kanë thënë se kjo është vizita e parë e këtij lloji prej Revolucionit Islamik të Iranit më 1979.

Nuk ka pasur vizita të tillë për vite të tjera në mes të dy vendeve, mirëpo duke parë zhvillimet rajonale në çështjet e sigurisë, dhe luftën kundër terrorizmit, është parë nevoja e një vizite të tillë”, i ka thënë gjenerali iranian, Mohammad Hossein Bagheri, televizionit shtetëror turk, pak pasi arritur në Ankara.

Bagheri ka thënë se pas takimeve me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, janë pajtuar se mbajtja e referendimit për pavarësinë e kurdëve në Irak, mund të nxis trazira në gjithë rajonin.

Kurdët janë minoritet i konsiderueshëm në Iran, Irak, Siri dhe Turqi, dhe kanë disa fraksione të cilat kërkojnë autonomi, ndonjëherë edhe në mënyrë të dhunshme, në secilin prej këtyre vendeve.

Të dyja palët janë pajtuar se nëse mbahet referendumi, do të shënojë fillimin e një serie të re të tensioneve dhe konflikteve brenda Irakut, efektet e të cilave do të ndikojnë edhe në vendet fqinje”, është cituar të ketë thënë Bagheri sipas agjencisë iraniane të lajmeve, IRNA.

Mbajtja e referendumit do ta përfshijë Irakun, Iranin dhe Turqinë, andaj kjo është arsyeja që kanë theksuar autoritetet e të dy vendeve, se kjo gjë është e pamundur dhe nuk duhet të bëhet”, ka thënë tutje Bagheri.

Erdogan e ka mirëpritur Bagherin në pallatin e tij presidencial, së bashku me ministrin e Mbrojtjes të Turqisë, ka thënë zyra e presidentit turk.

Gjatë bisedimeve është diskutuar edhe për përpjekjet e një zgjidhje paqësore në Siri, ku të dy palët mbështesin kahe të kundërta.

Qeveritë e Turqisë, Iranit dhe Irakut, kanë shprehur kundërshtimin e rajonit autonom të kurdëve në Iran, për mbajtjen e një referendumi për pavarësi.

Sidoqoftë, liderët kurdë nuk e kanë anuluar referendumin e planifikuar për 25 shtator.

Në këtë referendum pritet të votojnë rreth 5 milionë votues.

Minoriteti i kurdëve në Irak, i cili ka një autonomi të konsiderueshme, ka jetuar në paqe me Qeverinë e Bagdadit, pavarësisht mosmarrëveshjeve rreth naftës dhe çështjeve tjera.

Mirëpo, në Turqi dhe Iran, përleshjet e përgjakshme në mes të forcave qeveritare dhe militantëve të grupeve kurde nuk janë të pazakonta.

Erdogan, ka qenë i shqetësuar për rritjen e fuqisë politike të kurdëve në vendin e tij, pasi të njëjtit kanë fituar një fraksion të madh parlamentar, në zgjedhjet e fundit në Turqi.

Presidenti turk është ankuar shpesh për separatistët e armatosur nga radhët e kurdëve, të cilat kanë kërkuar mbështetje në vendet fqinje, duke e shtyrë kështu Turqinë, për ndërtimin e një muri në kufi me Iranin, Irakun dhe Sirinë.

Erdogan ka kritikuar ashpër edhe përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, për të organizuar kurdët në Siri, kundër militantëve të Shtetit Islamik, duke thënë se këto armë mund të kthehen kundër forcave turke.

Sipas agjencisë shtetërore turke të lajmeve, Anadolu, bisedimet ne mes të Erdoganit dhe Bagherit rreth referendumit të kurdëve, janë zhvilluar për rreth 50 minuta.

Sa i përket Sirisë, Bagheri ka thënë se dy fuqitë rajonale, janë duke kërkuar “koordinim për krijimin e paqes dhe sigurisë”, ka raportuar agjencia IRNA.

Këto janë parë si përpjekjet më të reja nga Teherani dhe Ankaraja, për të tejkaluar dallimet e tyre në Siri, pasi Irani është mbështes i fortë i presidentit sirian, Bashar al-Assad, në luftën gjashtëvjeçare të vendit të tij, derisa Turqia ka mbështetur grupet e armatosura sunite, në luftën kundër Assadit.

Mirëpo, Irani dhe Turqia kanë edhe një armik të përbashkët, Shtetin Islamik me prezencën e tij të madhe ne Irak dhe Siri nga viti 2014.

Shteti Islamik ka kryer sulme shkatërruese në këto dy vende, derisa kohën e fundit është bërë shumë aktive edhe në Iran, me anë të rekrutimeve.

Agjencia AFP ka raportuar, se një zyrtar i lartë i Gardës islamike Revolucionare të Iranit, i ka thënë Bagherit ta vizitojë Ankaranë, pas një prezence të “grupeve terroriste”, në pjesët e kufirit, pa specifikuar se për cilat grupe bëhet fjalë.

"Ne jemi duke kërkuar një marrëveshje të mirë me Turqinë për të krijuar siguri më të mirë për kufijtë turq dhe iranianë, në perëndim dhe veriperëndim”, është cituar të këtë thënë zëdhënësi i kësaj Garde, Ramezan Sharif.

Përgatiti: Krenare Cubolli

XS
SM
MD
LG