Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Irani reagon ashpër pas deklaratave të princit saudit për Izraelin


Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, foto nga arkivi.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë se do të ishte “gabim i pafalshëm” të negociuarit me Izraelin, disa ditë pasi trashëgimtari i fronit në Arabinë Saudite, u ka thënë për herë të parë izraelitëve se ata kanë të drejtë për të jetuar në mënyrë paqësore në tokën e tyre.

Ndonëse në deklaratën e tij Khamenei nuk ka specifikuar qartë princin saudit, Mohammed bin Salman, ai ka bërë të ditur se Teherani kundërshton një përmirësim të marrëdhënieve në mes të Izraelit dhe Arabisë Sudite.

Përfaqësuesi saudit përveç që i ka thënë magazinës The Atlantic, se izraelitët kanë të drejtë për të jetuar në mënyrë paqësore në tokën e tyre, ai kohën e fundit ka hapur pas shumë kohësh shëbimin ajror në mes të dy shteteve.

Izraeli e ka cilësuar një hap të tillë si vendim historik.

“Lëvizja drejt negociatave me regjimin gënjeshtar, mashtrues dhe shtypës të Izraelit është një gabim i pafalshëm, i cili do të kthejë mbrapa fitoren e palestinezëve”, ka thënë Khamenei.

Lideri iranian ka thënë se është “detyrë fetare” për të gjithë myslimanët që të mbështesin lëvizjet e rezistencës së palestinezëve, derisa ka premtuar vazhdimin e përkrahjes për grupin islamist, Hamas.

Arabia Saudite ende nuk e njeh zyrtarisht Izraelin si shtet.

Sidoqoftë në muajin nëntor, një anëtar i kabinetit të Izraelit ka bërë të ditur se ai ka pasur kontakte të fshehta me Arabinë Saudite, një njoftim i rrallë, të cilën Riadi e mohon zyrtarisht.

Analistët kanë thënë se përmirësimi i marrëdhënieve në mes të dy ish-armiqëve, duket se është motivuar pasi duket se të dy palët e cilësojnë Iranin si kërcënim të përbashkët.

Khamenei ka nisur deklaratën e tij në përgjigje të letrës që ka pranuar nga shefi i Hamasit, Ismail Haniya, i cili ka kritikuar mbështetjen e qeverive arabe në rajon për Shtetet e Bashkuara.

Hamas njihet për premtimin e tij për ta shkatërruar Izraelin dhe dominon në Rripin e Gazës, vend në të cilin javën e kaluar të paktën 17 persona janë vrarë në përleshjet kundër forcave izraelite të sigurisë.

Në deklaratën e tij, Khamenei u ka bërë thirrje shteteve myslimane t’iu bashkohen Hamasit për ta luftuar Izraelin.

Ndaras kësaj, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar më 4 mars një deklaratë të presidentit iranian, Hassan Rohani se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po mbështesin “terroristët” në Siri.

Irani, Siria dhe Rusia, shpesh iu referohen kundërshtarëve të tyre në luftën shtatëvjeçare në Siri, si “terroristë”.

Rohani e ka bërë një deklaratë të tillë gjatë një samiti me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe atë rus, Vladimir Putin në Ankara.

Gjatë samitit, Rohani ka thënë se dyshon që presidenti amerikan, Donald Trump do të largojë trupat amerikane nga Siria, ndonëse presidenti amerikan ka bërë një premtim të tillë në kohën e fundit.

Në një bisedë telefonike me presidentin Trump, Netanyahu ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, duke thënë se kjo gjë do t’iu lejonte grupeve të lidhura me Hezbollahun të krijojnë bastione edhe më të forta në këtë shtet.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG