Ndërlidhjet

“Jeni lodhur nga izolimi, por rreziku nuk ka kaluar ende”


Disa persona duke kaluar pranë dyqaneve të hapura. Prishtinë, 4 maj, 2020.
Disa persona duke kaluar pranë dyqaneve të hapura. Prishtinë, 4 maj, 2020.

Trendi i pandemisë së koronavirusit në Kosovë është në rënie dhe nëse do ta ketë një ecuri normale, kjo rënie do të vazhdojë edhe më tej, vlerësojnë zyrtarët shëndetësorë në vend. Por, sipas tyre, në rast se institucioneve të vendit dhe qytetarëve do t’iu mungojë vigjilenca, ekziston rreziku që trendi të marrë kahe negative.

Me vendimin e Ministrisë në detyrë të Shëndetësisë, më 4 maj ka nisur zbatimi i fazës së parë të lehtësimit të masave kufizuese kundër koronavirusit. Orari i qarkullimit të qytetarëve, sipas numrave të parafundit në letërnjoftimeve të tyre, i cili ka qenë 90 minuta në ditë, tashmë është zgjeruar dhe qytetarët mund të lëvizin dy herë në ditë nga 90 minuta.

Gjithashtu janë hapur edhe një numër i dyqaneve dhe bizneseve tjera.

Disa dyqane hapin dyert
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:25 0:00

Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), thotë për Radion Evropa e Lirë që lehtësimi i masave kufizuese kundër koronavirusit, nuk duhet ta ulë vigjilencën e institucioneve dhe as të qytetarëve. Siç thekson ai, Kosova ende është në gjendje pandemie dhe vazhdon të ketë mbi 400 raste aktive në terren, të cilët janë pozitive me koronavirus, si dhe disa mijëra persona të tjerë që janë në mbikëqyrje, si persona të kontaktit, të cilët eventualisht mund ta zhvillojnë sëmundjen.

“Duhet të jemi realist dhe të kërkojmë një lloj drejtpeshimi në mes të periudhës, në të cilën gjendemi tani. E dimë që qytetarët janë lodhur. E dimë që kemi kaluar tashmë thuajse dy muaj dhe qytetarët mezi presin që të lirohen nga këto masa. Por, sidoqoftë, këshilla jonë është që të vazhdojnë edhe për pak që të jenë të kujdesshëm”, tha Krasniqi.

“Së paku, do të rekomandoja që qytetarët, kur të dalin në qytet, jashtë shtëpive të tyre, të vazhdojnë të mbajnë maskat, pra, të mbulojnë gojën dhe hundën. Edhe më tutje duhet të shmangen tubimet e njerëzve në masë të madhe ose grumbullimet në numër të madh”, shtoi ai.

Distancim fizik dhe mbajtje të maskave

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), të hënën, përmes një komunikate ka theksuar që me fillimin e zbatimit të fazës së parë të lehtësimit të masave kufizuese kundër koronavirusit, është shënuar një “fluks i shtuar i qytetarëve kudo në Kosovë”, duke e cilësuar këtë si “sjellje të rrezikshme”.

“Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajtjen e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike”, thuhet në reagimin e këtij instituti.

Gjithashtu, IKSHPK-ja u ka bërë apel institucioneve për mbajtjen e rendit dhe inspektorateve për një angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Policinë e Kosovës nëse janë duke u ndërmarrë masat në përputhje me vendimet e institucioneve shëndetësore dhe të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në një përgjigje me shkrim, Policia e Kosovës ka thënë që të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme i ka ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante, në përputhje edhe me angazhimet dhe detyrat, sipas planit për gatishmëri dhe reagim.

“Urdhri operativ i Policisë së Kosovës, ka për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetente për luftimin dhe parandalimin e rreziqeve nga virusi në fjalë, si dhe përballjen me situata të këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Një ditë në izolim me tre të rinj nga Kosova
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

Gjithashtu, zyrtarët e policisë kanë theksuar që organet e rendit do të vazhdojnë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive, bazuar në vendimet zyrtare, si dhe në përputhje me të gjeturat në terren do të marrin edhe masa.

Nuk dihet si do të reagojë virusi në temperatura të larta

Mosrespektimi i masave të vendosura nga institucionet përkatëse për luftimin dhe parandalimin e koronavirusit, sipas infektologut Krasniqi, rrezikon përkeqësimin e gjendjes dhe rikthimin në pikën zero, në kohën kur situata lidhur me pandeminë, aktualisht është nën kontroll nga institucionet shëndetësore.

“Nuk i kemi ditur dhe nuk i dimë ende disa karakteristika, veçanërisht epidemiologjike. Pra, ato që ndërlidhen me ndikimin e temperaturave të larta të ambientit ndaj virusit dhe shumë të tjera. Prandaj, rreziku në pandemi të tilla gjithmonë ekziston. Megjithatë, ne duhet të jemi optimist, me një bazë reale, që jemi në rrugë të mirë. Por, nuk mund t’i kthehemi normalitetit në mënyrë të përnjëhershme. Duhet t’i kthehemi normalitetit gradualisht, dalëngadalë”, theksoi Krasniqi.

Më 18 maj, sipas paralajmërimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, do të nisë një fazë tjetër e lehtësimit të masave kufizuese kundër koronavirusit.

Deri më 4 maj, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në Kosovë janë regjistruar zyrtarisht 855 raste që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, prej të cilëve 26 kanë vdekur, ndërkaq 403 janë shëruar.

XS
SM
MD
LG