Raportohet për shpërthime në Bahrein
Mediat perëndimore janë duke raportuar se ka shpërthime edhe në Bahrein, dhe tashmë janë lëshuar sirenat në mbarë vendin.
Në këtë shtet gjendet flota e pestë e marinës amerikane.
Njoftim për shtetasit e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe
Ambasada e Kosovës në Abu Dabi u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe të kenë kujdes të shtuar pas rritjes së tensioneve në rajon.
Për raste urgjente, ajo e ka vënë në dispozicion këtë numër telefoni +971 547092109, teksa ka kërkuar që të ndiqen udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të shmangen zonat afër objekteve ushtarake dhe atyre të sigurisë.
Pahlavi: Momente vendimtare kemi përpara
Në një video-mesazh të publikuar në rrjete sociale, Reza Pahlavi – djali i shahut të fundit të Iranit – ka thënë se “momente vendimtare kemi përpara” dhe ka pretenduar se ndihma e premtuar nga presidenti amerikan “tani ka arritur”, duke e përshkruar atë si “intervenim humanitar” që shënjestron “Republikën Islamike – aparatin e saj shtypës dhe makinerinë vrastare – dhe jo shtetin dhe kombin e mrekullueshëm të Iranit”.
Ai ka shtar se “fitorja përfundimtare do të arrihet prej nesh” dhe që “koha për t’u kthyer sërish në rrugë është afër”.
Duke iu drejtuar forcave të sigurisë, ai ka thënë se “ju jeni betuar për ta mbrojtur Iranin dhe popullin iranian, jo për ta mbrojtur Republikën Islamike”, teksa u ka bërë thirrje atyre që t’i bashkohen popullit, apo të fundosen me regjimin e liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei.
Pahlavi i ka bërë thirrje edhe presidentit amerikan, Donald Trump që të ketë kujdes maksimal për t’i mbrojtur jetët e njerëzve, dhe u ka thënë iranianëve të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre tani për tani.
“Ne jemi shumë afër fitores përfundimtare”.
Mirëmëngjesi juve që na jeni bashkuar tani!
• Dita e shtunë ka nisur me sulme amerikane dhe izraelite në zona të ndryshme të Iranit. Deri më tani nuk ka raportime për viktima.
• Presidenti amerikan, Donald Trump i ka konfirmuar sulmet dhe është zotuar se do të eliminohet "kërcënimi nga regjimi iranian".
• Ai ka thënë se sulmet kanë qenë të pashmangshme pasi autoritetet iraniane nuk kanë dashur të arrijnë marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për programin bërthamor dhe atë të raketave.
• Trump i është drejtuar popullit iranian, duke i thënë se pasi të përfundojnë sulmet "merreni ju në dorë qeverinë tuaj".
• Ushtria izraelite ka raportuar se Irani ka nisur të kundërpërgjigjet me raketa në drejtim të shtetit të Izraelit.
• Autoritetet kosovare kanë thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës në Izrael, në rast të ndonjë urgjence, mund ta kontaktojnë këtë numër: 972 586 340450