Vuçiq e krahason situatën në Iran me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën se sulmi i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit do të ketë, siç u shpreh ai, “pasoja të gjera në skenën politike botërore” dhe se, në përputhje me këtë, Serbia duhet ta ruajë lirinë dhe pavarësinë e saj, por njëkohësisht t'i forcojë kapacitetet mbrojtëse.
Duke folur për televizionin Informer, një media proqeveritare, Vuçiq tha se “beteja kryesore do të zhvillohet për ndryshimin e Qeverisë në Iran”, duke e krahasuar situatën me ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi më 1999 dhe me rrëzimin e regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, i cili nisi luftërat në ish-Jugosllavi dhe e çoi vendin drejt izolimit ndërkombëtar.
“E gjithë kjo po realizohet siç ndodhi në Serbi. Gënjyen gjatë gjithë kohës se bëhej fjalë për katastrofë humanitare, ndërsa thelbi ishte në dy gjëra – e para, ndryshimi i regjimit në Beograd dhe, e dyta – thelbi i gjithë veprimit të NATO-s, sigurimi i pavarësisë së Kosovës. Pra, kjo është një përpjekje për të marrë pushtetin e plotë në Iran dhe për ta orientuar Iranin, siç do të thoshin ata, drejt vlerave perëndimore”, tha Vuçiq.
Më shumë këtu:
Raportohet për dëme në rezidencën e Khameneit
Christiaan Triebert nga e përditshmja amerikane, The New York Times, i specializuar në verifikim dhe analizim të lokacioneve, ka publikuar në X një imazh satelitor të rezidencës zyrtare të udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në Teheran, ku shihen disa ndërtesa të rrafshuara me tokë.
Më herët është raportuar se vala e parë e sulmeve amerikane dhe izraelite më 28 shkurt kishte në shënjestër disa zyrtarë të lartë të Republikës Islamike, përfshirë Khamenein dhe presidentin Masud Pezeshkian.
Mediat shtetërore iraniane kanë thënë se asnjëri nuk janë lënduar nga sulmet.
Raportohen shpërthime në gjithë Gjirin, teksa Irani konfirmon sulme ndaj bazave amerikane
Mes raportimeve për sulme në mbarë Lindjen e Mesme, shtetet e Gjirit Persik kanë reaguar ndaj zgjerimit të sulmeve iraniane me raketa dhe dronë, që synojnë objekte ushtarake amerikane dhe kryeqytete rajonale.
Një valë e re shpërthimesh është raportuar në Abu Dabi, ndërsa agjencitë e lajmeve Reuters dhe AFP, duke cituar dëshmitarë lokalë, kanë raportuar për incidente të shumta.
Katari e ka mbyllur hapësirën e tij ajrore pas sulmeve të mëhershme me raketa dhe ka deklaruar se e rezervon të drejtën për t’u përgjigjur.
Arabia Saudite e ka dënuar atë që e ka quajtur “agresion brutal iranian” dhe “shkelje flagrante” të sovranitetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Katarit, Kuvajtit dhe Jordanisë, megjithëse nuk ka konfirmur se është shënjestruar, pavarësisht raportimeve për shpërthime në Riad.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kanë pretenduar se kanë goditur baza amerikane në Bahrein, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë selinë e Flotës së Pestë të SHBA-së, dhe janë zotuar se operacionet do të vazhdojnë.
Më herët, për sirena alarmi dhe shpërthime është raportuar në kryeqytetin e Bahreinit, Manama, si dhe në Abu Dabi, Dubai, Riad dhe Kuvajt.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë thënë se kanë rrëzuar disa raketa, por kanë raportuar për një viktimë.
Edhe Katari ka thënë se të gjitha raketat e lëshuara drejt vendit janë shkatërruar.
Reuters ka raportuar gjithashtu për një sulm ajror ndaj selisë së Forcave të Mobilizimit Popullor në Bagdad, Irak.
Kosova mbështet sulmet amerikane kundër Iranit
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka thënë përmes një deklarate publike se mbështet sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, regjimin e të cilit e ka përshkruar të atillë që për dekada e ka shtypur popullin e vet, e ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Ne qëndrojmë krah presidentit [amerikan] Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci. Regjimet që shtypin qytetarët e tyre, që mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe që kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje”, është thënë në deklaratë.
Mes tjerash është përmendur se Kosova solidarizohet me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike.
Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin, pasi ky i fundit nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.