Ndërlidhjet

Pse Japonia është e ndarë lidhur me varrimin shtetëror të Shinzo Abes?


Një grua duke shkruar në librin e zisë për ish-kryeministrin japonez, Shinzo Abe. Tokio, 11 korrik 2022.
Një grua duke shkruar në librin e zisë për ish-kryeministrin japonez, Shinzo Abe. Tokio, 11 korrik 2022.

Associated Press

Organizimi i varrimit shtetëror për ish-kryeministrin japonez, Shinzo Abe, që u vra në korrik, ka ndarë këtë shtet.

Abe ishte një prej udhëheqësve më përçarës në periudhën e pasluftës, por raportet e ngushta të partisë në pushtet me Kishën e Unifikimit, kanë nxitur kundërshtitë kryesore për organizimin e varrimit shtetëror.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, po përballet me pasoja të vazhdueshme nga mënyra se si po i menaxhon edhe lidhjet me Kishën që kanë ligjvënësit e partisë së tij, por edhe varrimin shtetëror, që sipas tij, Abe e ka merituar që t’i organizohet.

Më poshtë mund të lexoni se pse varrimi i Abes, që do të organizohet të martën, po shkakton kaq shumë zemërim.

Kujt i organizohen varrime shtetërore në Japoni?

Kjo traditë i ka rrënjët në ceremonitë e kryera nga perandorët për të nderuar ata që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për shtetin.

Perandorët në Japoni para Luftës së Dytë Botërore nderohej si Zot, dhe mbajtja e zisë për ata që nderoheshin me varrime shtetërore ishte e detyrueshme. Shumica e varrimeve shtetërore ishin organizuar për anëtarët e familjes perandorake, por po ashtu ishin nderuar edhe liderët politikë dhe ushtarakë, përfshirë Isoroku Yamamoton që vdiq më 1943. Ai kishte udhëhequr sulmin e Japonisë në Pearl Harbor.

Ligji për varrime shtetërore u zhbë pas luftës. Varrimi i vetëm shtetëror që ka organizuar Japonia për ndonjë lider politik ishte më 1967 për Shigeru Yoshidan, i cili kishte nënshkruar Traktatin e San Franciskos që i dha fund pushtimit të Japonisë nga Shtetet e Bashkuara dhe ringjalli raportet me aleatët.

Për shkak të kritikave se organizimi i varrimit shtetëror për Yoshidan ishte mbajtur pa asnjë bazë ligjore, qeveritë pasuese japoneze hoqën dorë nga organizimi i ngjarjeve të tilla.

“Varrimet shtetërore bien ndesh me frymën e demokracisë”, tha Junichi Miyama, historian në Universitetin Chuo.

Pse po organizohet varrim shtetëror për Shinzo Aben?

Kishida tha se Abe meriton një funeral shtetëror sepse ai ishte lideri që ka shërbyer më së gjati në historinë moderne politike të Japonisë dhe politikat e tij diplomatike, të sigurisë dhe ato ekonomike kanë rritur profilin ndërkombëtar të shtetit. Kishida, po ashtu, ka përmendur se Abe u vra gjatë fushatë zgjedhore, duke shtuar se Japonia duhet të tregojë vendosmërinë se kurrë nuk do të përkulet para “dhunës ndaj demokracisë”.

Analistët politikë thanë se organizimi i varrimit shtetëror për Shinzo Aben është tentim i Kishidas për të kënaqur ligjvënësit e partisë në pushtet, Partisë Liberal-Demokratike, që i përkasin fraksionit konservator të Shinzo Abes, në mënyrë që kryeministri japonez të konsolidojë pushtetin.

Koichi Nakano, profesor i Politikës Ndërkombëtare në Universitetin Sophia, tha se mbajtja e varrimit është përpjekje për të fshirë trashëgiminë e Shinzo Abes dhe për të fshehur skandalet e lidhura me Kishën e Unifikuar. Kisha akuzohet për praktika të papërshtatshme të rekrutimit dhe të të bërit biznes, por i mohon këto akuza.

*Video nga arkivi: Karriera politike e ish-kryeministrit Shinzo Abe

Shinzo Abe dhe karriera e tij politike
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:34 0:00

Pse organizimi i varrimit është kaq kundërthënës?

Kundërshtarët thanë se është jodemokratike, duke argumentuar me mungesë të bazës së qartë ligjore dhe se mbajtja e varrimit është vendim i njëanshëm i kabinetit të Kishidas.

Kundërshtarët e Shinzo Abes kanë kujtuar përpjekjet e tij për të fshehur mizoritë e Japonisë gjatë luftës, po ashtu edhe për përpjekjet e tij për më shumë shpenzime ushtarake, pikëpamjet e tij reaksionare sa i përket roleve gjinore dhe udhëheqjes që është parë si autokratike dhe favorizuese ndaj miqve të afërt.

Vrasësi i Abes raportohet se ishte i zemëruar për lidhjet e ngushta të ish-kryeministrit japonez dhe partisë së tij me Kishën. Vrasësi ka thënë se nëna e tij i kishte dhënë të gjitha paratë e familjes për Kishën.

Abe, gjyshi i të cilit, njëherësh ish-lideri Nobusuke Kishi, kishte ndihmuar që Kisha të ngrihej në Japoni, tani shihet si figurë kyçe në këtë skandal. Kundërshtarët thanë se mbajtja e një varrimi shtetëror për Aben është e barasvlershme me mbështetjen e lidhjeve të partisë së tij me Kishën e Unifikuar.

Një grup i avokatëve kanë dorëzuar një padi, në tentim për të ndalur mbajtjen e varrimit shtetëror, por raportohet se kjo padi u hodh poshtë më 26 shtator. Një burrë i moshuar kërcënoi se do ta digjte veten para zyrës së kryeministrit, për të kundërshtuar mbajtjen e funeralit.

Cila është kostoja?

Rreth 11.8 milionë dollarë do të duhen për organizimin e varrimit, përfshirë edhe pagesën e vendit ku do të organizohet, transportimin dhe akomodimin e të ftuarve, tha Qeveria. Kundërshtarët thanë se paratë e taksapaguesve duhet të shpenzohen për gjëra më të rëndësishme, sikurse adresimi i pabarazive ekonomike të shkaktuara nga politikat e Shinzo Abe.

Cilat mund të jenë pasojat për kryeministrin Kishida?

Kishida, që u bë kryeministër një vit më parë, ka pasur mbështetje stabile të publikut, por fitorja në zgjedhjet e korrikut i ka siguruar atij që të qëndrojë në pushtet deri në tre vjet.

Por, sondazhet tregojnë se mbështetja ndaj tij ka rënë për shkak të mënyrës se si e ka menaxhuar mbajtjen e varrimit shtetëror, por edhe për shkak të lidhjeve të partive në pushtet me Kishën në Korenë e Jugut.

Një sondazh i kryer nga LDP-ja gjeti se pothuajse gjysma e ligjvënësve të tij kishin lidhje me Kinën. Kishida ka thënë se këto pretendime janë gënjeshtra, por shumë japonezë duhan të dinë se sa ndikim ka Kisha në politikat e partisë.

Çfarë do të ndodhë gjatë varrimit?

Të ftuarit do të mblidhen disa orë para varrimit. Ata do të mblidhen në qendrën për arte parciale në Budokan në Tokio, ku duhet të kalojnë kontrollet e sigurisë, të cilat janë ashpërsuar që prej vrasjes së ish-kryeministrit Abe. Brenda kësaj qendre nuk do të lejohen pije dhe ushqim, e as përdorimi i kompjuterëve personalë, ndërkaq kamerat do të lejohen të përdoren vetëm nga mediat. Afër 1.000 trupa japoneze do të ofrojnë siguri. Ceremonia do të nisë me 19 gjuajtje me armë, ashtu siç kishte ndodhur gjatë varrimit të Yoshidas.

Përfaqësuesit e Qeverisë, Parlamentit dhe të sistemit të drejtësisë, përfshirë edhe Kishidan, do të mbajnë fjalime. Fjalim do të mbajë edhe e veja e Shinzo Abes, Akie Abe. Jashtë kësaj qendre do të vendoset një tavolinë, ku qytetarët mund të vënë kurora me lule.

Qeveria tha se varrimi shtetëror nuk nënkupton se është detyrim për qytetarët që ta nderojnë ish-kryeministrin. Por, shumica e përfaqësuesve të qeverive provinciale – 47 sa janë gjithsej – do të ulin flamujt në gjysmë shtizë dhe do të mbajnë një minutë heshtje. Përreth qendrës ku do të mbahet ceremonia do të ketë kontrolle të trafikut dhe pika të tjera të kontrollit, ndërkaq në shkollat përreth do të ndërpritet mësimi.

Kundërshtarët kanë paralajmëruar mbajtjen e protestave në këtë kohë.

Kush do të marrë pjesë?

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, por edhe liderët e Australisë, Indisë, Vietnamit, Kamboxhias dhe Singaporit do të jenë të pranishëm në këtë ngjarje. Po ashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë i pranishëm në ceremoninë e varrimit shtetëror.

Kishida tha se ngjarja do të ofrojë mundësi që ai të angazhohet “në diplomaci” gjatë ceremonisë mortore.

Qeveria japoneze tha javën e kaluar se në këtë ngjarje do të marrin pjesë 4.300 të ftuar, përfshirë diplomatë të huaj, ligjvënës japonezë, kryetarë komunash, përfaqësues të bizneseve e të tjerë.

Shumë anëtarë të opozitës, përfshirë edhe nga Partia Kushtetuese Demokratike e Japonisë, Partia Komuniste japoneze – që janë në opozitë – kanë bojkotuar pjesëmarrjen në varrim.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG