Numri i madh i veturave të paregjistruara është vetëm një nga problemet që Kosova duhet të zgjidhë para se të bëhet aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Byrosë Evropiane që siguron Kartonin e Gjelbër, thotë Sami Mazreku ushtrues i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit.
Për të zvogëluar numrin e veturave të paregjistruara, Mazreku thotë se në muajin nëntor ka filluar të zbatohet një rregullore për zbatimin e sistemit Bonus-Malus. Në bazë të kësaj rregulloreje, një shkallë më e lartë e tarifës do të aplikohet për drejtuesit e automjeteve që vonohen të sigurojnë veturën.
Numri i veturave të paregjistruara në Kosovë për vite vazhdon të jetë një sfidë e madhe për institucionet. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i veturave të paregjistruara në territorin e Kosovës është rreth 150 mijë.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës në janar të vitit të ardhshëm do të fillojnë bisedat e nevojshme për ta bërë Kosovën pjesë të Kartonit të Gjelbër.
Ai ka thënë se do të bashkëpunojnë me institucionet relevante që të ulin numrin e veturave të paregjistruara.
Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).
Aplikimi vetëm pas datës 4 shtator, 2021
Megjithatë, Kosova këtë proces mund ta nisë vetëm brenda institucioneve duke bërë zgjidhjen e problemeve të brendshme, por jo të bëjë aplikim, pasi që me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington më 4 shtator, Kosova ka rënë dakord që të vendosë moratorium njëvjeçar mbi kërkesën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet të plotësojë disa kushtet të brendshme para se të mendojë që të aplikojë në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, siç edhe për Kartonin e Gjelbër.
Njëra prej problemeve që duhet zgjidhur për t’u bërë pjesë e Kartonit të Gjelbër Mazreku thotë se është zvogëlimi i numrit të lartë të automjeteve të paregjistruara.
“Lista e automjeteve të paregjistruara që janë akumuluar ndër vite duhet të pastrohen. Ato lista që janë dy vjet e më shumë të largohen me ndonjë vendim apo udhëzim nga sistemi dhe pjesa e mbetur dy vjet e këndej, përmes formave tjera të obligohen ose të udhëzohen të vazhdojnë regjistrimin e veturave ose të çregjistrohen”, thotë Mazreku.
Nga mbi 30 për qind në 5 për qind duhet ulur numri i veturave të paregjistruara
Si një prej parakushteve teknike për anëtarësimin e Kosovës në sistemin e Kartonit të Gjelbër, shton Mazreku, është që numri i veturave të paregjistruara të mos jetë më shumë se 5 për qind, ndërkohë që sipas tij, në Kosovë numri i veturave të paregjistruara është mbi 30 për qind.
Një problem tjetër që po ashtu paraqet problem në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrosë Evropian është fakti se Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Mazreku thotë pasi që Kosova nuk është në OKB, atëherë duhet gjetur mënyra tjera të anëtarësimi.
Në një marrëveshje të nënshkruar në korrik të këtij viti mes Bankës Qendrore të Kosovës, qeverisë dhe Byrosë Kosovare e Sigurimeve është paraparë të themelohet një grup punues i cili do të identifikojë problemet e brendshme që paraqesin pengesë në sigurimin e Kartonit të Gjelbër.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me zyrtarë të BQK-së për t’u njoftuar më shumë rreth këtij procesi dhe problemeve tjera të identifikuara, por që nuk ka marrë përgjigje.
Rregullore e re për zvogëlimin e numrit të veturave të paregjistruara
Në Kosovë nga muaji nëntor i këtij viti ka filluar të zbatohet një rregullore për zbatimin e sistemit Bonus –Malus.
Sistemi Bonus-Malus, merr për bazë një histori njëvjeçare të aplikuesit për sigurim dhe në bazë të aksidenteve të shkaktuara ose jo gjatë kësaj periudhe kalkulon bonusin ose malusin.
Një person që nuk bënë aksident në komunikacion shpërblehet me ulje të shumës së pagesës për sigurimin e automjetit dhe hyn në kategorinë bonus, ndërsa ata që bëjnë aksidente paguajmë më shtrenjtë dhe hyjnë në kategorinë malus.
Në bazë të kësaj rregulloreje një shkallë më e lartë e primit (tarifë), do aplikohet edhe për drejtuesit e automjeteve të cilëve u skadon kontrata e sigurimit.
Ky sistem, sipas Sami Mazrekut nga Byroja Kosovare e Sigurimit do t’i shërbejë zvogëlimit të numri të madh të veturave të paregjistruara.
Sami Mazreku thotë se me këtë rregullore, qytetarëve për herë të parë u është mundësuar që dhjetë ditë para se të iu skadojë sigurimi ta rinovojnë kontratën dhe të fitojnë bonusin e vitit të ardhshëm.
“Përveç kësaj i kemi lënë edhe dy javë më vonë, 15 ditë pasi i skadon regjistrimi, nëse dikush harron ta sigurojë, do të thotë 25 ditë i ka në dispozicion në mënyrë që të fitojë bonuset që parashikohen në rregullore”, tha Mazreku.
Sipas rregullores, pronari i automjetit nëse nuk e vazhdon regjistrimin e automjetit është i obliguar që brenda 30 ditëve ta bëjë çlajmërimin e automjetit dhe t’i kthejë tabelat në Qendrën e Regjistrimit të Automjetit, ku ka qenë i regjistruar automjeti.
Nëse një gjë e tillë nuk ndodh pas 30 ditëve, pason dënimi.
Aplikim i kësaj rregulloreje në këtë formë është mirëpritur edhe nga grupi i njohur me emrin “Marakli t’kerreve”, që përfaqëson ngasësit e automjeteve.
Agan Hajdarhoxha nga ky grup thotë për Radion Evropa e Lirë se këtë rregullore me këto kushte e kishin kërkuar qysh moti, për shkak që t’i mundësohet Kosovës të bëhet pjesë e Kartonit të Gjelbër.
“Krejt qëllimi ka qenë që të hiqen veturat e paregjistruara nga komunikacioni për shkak se rrezikojnë komunikacionin dhe po ashtu kanë rritur sigurimin e veturave”, tha Hajdarhoxha.
Kartoni i Gjelbër s’blihet në Kosovë
Ndërkohë, qytetarët të cilët dëshirojnë të udhëtojnë në vende të ndryshme të Evropës, Kartoni i Gjelbër e sigurojnë në disa kompani transporti në Kosovë. Kjo mund të sigurohet në agjenci që janë të publikuara në rrjete sociale. Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me një person në një nga numrat e telefonit të publikuar në rrjetet sociale dhe ka treguar se në Kosovë mund të blihet Kartoni i Gjelbër që është i vlefshëm për të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, përveç Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai thotë se ky dokument është sigurim nga shteti i Bullgarisë. Për një muaj, ky dokument kushton 85 euro kurse për tre muaj 110 euro, me të cilin personat e interesuar mund të pajisen brenda ditës.
Por, Mazreku pohon se askush nuk ka të drejtë ta shesë Karton të Gjelbër në territorin e Kosovës. Ai thotë se sigurimi nga shteti i Bullgarisë është i vlefshëm vetëm nëse blihet në Bullgari, kurse askush nuk ka të drejtë ligjore që këtë dokument ta shesë në Kosovë. Ai thotë se nuk ka njohuri se në çfarë forme mund të blihet ky dokument.
Edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vitin e kaluar ka thënë se shitja e Kartonit të Gjelbër është e paligjshme.
“BQK-ja në rrjetet sociale ka vërejtur se disa persona, të paautorizuar dhe të palicencuar që ushtrojnë veprimtari ndërmjetësuese në sigurime në mënyrë të paligjshme, duke u angazhuar në shitjen e Kartonit të Gjelbër. Për më tepër, asnjë kompani sigurimi, e pajisur me licencë nga BQK-ja dhe asnjë person fizik apo juridik i jashtëm, nuk ka të drejtë të shesë një produkt të tillë në Kosovë, derisa Byroja Kosovare e Sigurimit të bëhet anëtare e Këshillit të Byrove, apo pa lejen e Këshillit të Byrove dhe BQK-së”, ka thënë BQK-ja.
Kurse, deri tek anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Byrove të Evropës, të gjitha veturat me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Kosovës, sipas ligjeve në fuqi, duhet të paguajnë një shumë për tarifat e sigurimeve kufitare, varësisht nga lloji i automjetit dhe koha e qëndrimit në Kosovë.
Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura duhet të paguajnë 15 euro për qëndrimin prej 15 ditësh. Ndërkaq, qëndrimi për një muaj kap vlerën e sigurimit prej 20 euro.
Ndërkaq nga muaji gusht i këtij viti, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për mbulimin e sigurimit kufitar për qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme të Evropës dhe të huajt që hyjnë në territorin e Kosovës.
Facebook Forum