Ndërlidhjet

Komisioni konstaton shkelje gjatë deportimit të shtetasve turq


Nga protesta e nxënësve të kolegjit "Mehmet Akif", pas deportimit të shtetasve turq, Prishtinë.
Nga protesta e nxënësve të kolegjit "Mehmet Akif", pas deportimit të shtetasve turq, Prishtinë.

Shumë shkelje e parregullsi, qofshin ligjore apo të kompetencave, e kanë përcjellë aktin e deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, që ndodhi në fund të muajit mars, thonë në Komisionin Hetimor Parlamentar.

Ky Komision po i heton rrethanat për ndriçimin e procedurave që çuan deri te deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi dhe pritet që raportin final për këtë çështje, t’ia prezantojë Kuvendit në muajin dhjetor.

Anëtarët e Komisionit Hetimor kanë intervistuar për më gjatë se gjashtë orë të mërkurën ish-drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, aktualisht sekretar në Presidencën e Kosovës.

Pas deportimit të shtetasve turq, në mars të këtij viti, kryeministri Ramush Haradinaj pati liruar nga detyra Driton Gashin dhe ministrin e Punëve të Brendshëm, Flamur Sefaj, të cilët, më pas kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

Ishte e paralajmëruar që së bashku me Gashin të intervistohen edhe inspektori i përgjithshëm i kësaj agjencie, Shkëlzen Sopjani, dhe ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj, por këta dy të fundit nuk janë paraqitur.

Komisioni Hetimor, i cili është funksionalizuar në muajin korrik, deri më tani ka intervistuar zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe ish- drejtorin e Policisë, Shpend Maxhuni, aktualisht drejtor i AKI-së. Ndërkohë, pritet që të intervistohen edhe zyrtarë tjerë të shtetit.

Xhelal Sveçla, kryetar i këtij Komisioni, ka thënë se është identifikuar një numër i madh i shkeljeve ligjore dhe mangësi në disa materiale të nevojshme. Sipas tij, ka një numër të madh të personave që do të intervistohen, duke përfshirë këtu edhe presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Për të gjitha ato shkelje që komisioni i ka identifikuar, është një tendencë që faji të hidhet nga një institucion në institucionin tjetër. Ka dëshmi të mjaftueshme për shkelje ligjore, për tejkalim të kompetencave. Por, ne po synojmë t’i identifikojmë përgjegjësit kryesorë. Ka raste kur dikush ka marrë një urdhër dhe me vetë faktin se nuk e ka refuzuar atë urdhër, është përgjegjës”, ka thënë Sveçla.

*Video nga arkivi: Familjarët e turqve të deportuar kërkojnë azil në Kosovë

Familjarët e turqve të dëbuar kërkojnë azil në Kosovë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:07:57 0:00

Në fillim të muajit dhjetor pritet që Komisioni Hetimor Parlamentar të paraqesë konkluzionet zyrtare para Kuvendit të Kosovës në lidhje me deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

Më 29 mars të këtij viti, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë është mjek.

Deportimi i tyre, ishte zhvilluar përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të Inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Por, që deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit patën deklaruar se nuk kishin fare njohuri lidhur më rastin.

Urim Vokshi, njëri nga avokatët e familjarëve të shtetasve të dëbuar turq, për Radion Evropa e Lirë, tha se shpreson që Komisioni dhe institucionet kompetente do të arrijnë rezultate konkrete në zbardhjen e këtij rasti.

“Besoj se institucionet do të punojnë në këtë drejtim dhe veçanërisht për këtë na bën të besojmë edhe më shumë vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili ka treguar se Gjyqësia në Kosovë ka një kontroll dhe gjyqësia në vend funksionon. Familjarët ende nuk kanë një siguri konkrete duke marrë parasysh se procedurat janë duke vazhduar, megjithatë shpresojnë në drejtësi dhe shpresojnë që institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masa për të gjithë atë që kanë ndodhur” , u shpreh Vokshi.

Vokshi tha se Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka shpallur të parrezikshëm për vendin dy nga gjashtë shtetasit turq të dëbuar nga Kosova në Turqi.

Ndryshe, deportimi i tyre në muajin mars kishte nxitur reagime të ndryshme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, posaçërisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e kanë dënuar veprimin e institucioneve të Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG