Ndërlidhjet

Komiteti i Inteligjencës kërkon dosjen për Trumpin


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Komiteti për Inteligjencë i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA ka lëshuar thirrje të detyrueshme për gjyq për Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në, në lidhje me një dosje, në të cilën pretendohet se Rusia ka mbledhur informacione komprometuese për presidentin amerikan, Donald Trump.

Demokrati i Komitetit, Adam Schiff, tha se ai dhe demokratët e tjerë i kundërshtojnë thirrjet për gjyq, të cilat, sipas tij, republikanët i kanë bërë në përpjekje për të diskredituar autorin e dosjes, Christopher Steele, ish-oficer britanik i inteligjencës.

Republikanët, që kanë shumicën në të gjitha komitetet e Kongresit, thonë se duan të dinë origjinën e dosjes dhe nëse ajo është krijuar për të sabotuar Trumpin, gjatë fushatës presidenciale, vitin e kaluar.

Në letrën dërguar Departamentit të Drejtësisë, e cila është parë nga agjencia e lajmeve Associated Press, Komiteti sqaron se thirrjet për gjyq janë lëshuar më 24 gusht.

Departamenti i Drejtësisë dhe FBI nuk e kanë respektuar afatin fillestar për paraqitje në gjyq më 1 shtator dhe ky afat tani është shtyrë për 14 shtator.

Letra është nënshkruar nga kryetari i Komitetit për Inteligjencë, Devin Nunes, i cili është tërhequr nga hetimet e Rusisë muaj më parë, pasi është parë si i afërt me Shtëpinë e Bardhë.

Republikani Mike Conaway ka marrë përsipër rolin udhëheqës të hetimeve, por si kryetar, Nunes e ka fuqinë për të lëshuar thirrje të detyrueshme për gjyq.

Sipas letrës, në thirrjet për gjyq kërkohen të gjitha dokumentet që lidhen me dosjen, si dhe informacione nëse Departamenti i Drejtësisë ka qenë i përfshirë në prodhimin e saj.

Nëse dokumentet e kërkuara nuk dorëzohen, Komiteti do të detyrojë prokurorin e përgjithshëm, Jeff Sessions, dhe drejtorin e FBI-së, Christopher Wray, të dëshmojnë në seancë të hapur.

Edhe Sessions, në muajin mars, është detyruar të tërhiqet nga hetimet për Rusinë, sepse është konstatuar se ka gënjyer në lidhje me kontaktet e tij me Rusinë.

Christopher Wrayn, Trump e ka emëruar në postin e drejtorit të FBI-së pasi në muajin maj ka shkarkuar drejtorin e deriatëhershëm, James Comey, i cili ka refuzuar kërkesën e Trumpit për të ndaluar hetimet mbi lidhjet e fushatës së Trumpit me Rusinë.

Dosja ka tërhequr vëmendjen e publikut në muajin janar, kur është zbuluar se Comey e ka informuar Trumpin, pak përpara inaugurimit të tij si president, se Rusia ka grumbulluar akuza personale dhe financiare për të.

Nuk është e qartë se çfarë saktësisht përmbajnë akuzat në dosje dhe nëse ato janë verifikuar nga FBI.

Komiteti i Inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve është njëri prej disa paneleve që heton akuzat për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA vitin e kaluar dhe për bashkëpunimin e mundshëm të Moskës me fushatën e presidentit Trump.

Rusia e ka hedhur poshtë përzierjen, ndërsa Trump e ka kundërshtuar çfarëdo bashkëpunimi me Moskën.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG