Kuvajti ndalon disa dronë iranianë
Dy ditë pas nisjes së konfliktit të Izraelit dhe SHBA-së me Iranin, sulmet hakmarrëse të Republikës Islamike ndaj vendeve fqinje që strehojnë baza ushtarake amerikane, vazhdojnë.
Të hënën në mëngjes, Kuvajti njoftoi se ka rrëzuar disa dronë sulmues iranianë.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Kuvajtit, duke cituar Drejtorinë e Përgjithshme të Mbrojtjes Civile, raportoi se shumica e dronëve u kapën pranë lagjeve Ramatjah dhe Salva.
Raporte për të lënduar nga këto sulme nuk ka.
SHBA-ja dhe aleatët arabë dënojnë ashpër sulmet iraniane
Me një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara, Bahrejni, Jordania, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dënuan fuqishëm “sulmet e papërgjegjshme me raketa dhe dronë të Iranit ndaj territoreve sovrane në rajon”.
“Këto sulme pa bazë shënjestruan territore sovrane, rrezikuan popullsinë civile dhe dëmtuan infrastrukturën civile”, thuhet në deklaratë.
Më herët, edhe Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, i udhëhequr nga Arabia Saudite, dënoi Teheranin për sulmet ndaj shteteve anëtare dhe theksoi “të drejtën për të reaguar” ndaj këtyre veprimeve.
Ky këshill përfshin: Arabinë Saudite, Katarin, Omanin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin dhe Kuvajtin.
Deklarata e përbashkët e Uashingtonit dhe aleatëve të tij arabë thekson se veprimet e Iranit “paraqesin një përshkallëzim të rrezikshëm, që shkel sovranitetin e shteteve të shumta dhe kërcënon stabilitetin rajonal. Shënjestrimi i civilëve dhe vendeve që nuk janë të përfshira në konflikte, është sjellje e papërgjegjshme dhe destabilizuese”.
Izraeli kundërpërgjigjet me sulme ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban
Izraeli njoftoi mëngjesin e së hënës se ushtria e tij ka goditur objektiva të lëvizjes Hezbollah në Liban, pasi ky grup militant - i mbështetur nga Irani - mori përgjegjësinë për një sulm me raketa dhe dronë në veri të Izraelit.
Izraeli tha se, “në përgjigje të sulmeve me predha nga Hezbollahu ndaj shtetit izraelit”, forcat e tij “kanë filluar të godasin objektiva të organizatës terroriste Hezbollah në të gjithë Libanin”.
Detajet mbeten të pakta, por dëshmitarët raportuan se dëgjuan shpërthime në periferitë jugore të Bejrutit - bastion i Hezbollahut.
Një ditë më herët, Hezbollahu - grup militant shiit që prej kohësh konsiderohet aleat i Iranit - shprehu solidaritet me Teheranin pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit, por la të kuptohej se nuk do të përfshihej drejtpërdrejt në konflikt.
Por, në një deklaratë, Hezbollahu përmendi vrasjen e liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, si një nga arsyet për vendimin e tij për të nisur një sulm të ri.
Grupi tha se ka nisur “një breshëri raketash dhe një valë dronësh… në hakmarrje për gjakun e pastër të Ajatollah Imam Sayyid Ali Al-Husseini Khameneit… dhe në mbrojtje të Libanit dhe popullit të tij”.
Shpërthime dhe sirena alarmi në disa qytete të Lindjes së Mesme
Një valë e re sulmesh me raketa dhe dronë nga Irani u raportua gjatë orëve të fundit në disa qytete të Lindjes së Mesme.
Sipas raportimeve të agjencive Reuters dhe AFP, kryeqytetet Doha dhe Manama - respektivisht në Katar dhe Bahrejn - si dhe Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Erbili në Rajonin Kurd të Irakut, ishin caqe të sulmeve të reja ajrore.
Banorët raportuan shpërthime të fuqishme dhe sirena alarmi.
Nuk është ende qartë nëse shpërthimet janë shkaktuar nga goditjet direkte të raketave dhe dronëve, apo nga ndërhyrja e sistemeve të mbrojtjes ajrore që i kanë goditur dhe shkatërruar ato.
Në Izrael, sirenat e alarmit ajror u aktivizuan në disa zona, përfshirë Tel Avivin dhe Jerusalemin.
Aktivizimi i sistemeve të mbrojtjes në Jerusalem u shoqërua me disa shpërthime.