Deputeti ukrainas: Kushtet në Mariupol janë “mesjetare”
Një deputet ukrainas i ka përshkruar kushtet në qytetin e rrethuar të Mariupolit si “mesjetare”.
Deputeti Dmytro Gurin, prindërit e së cilit janë bllokuar në Mariupol, që gjendet në jugperëndim të Ukrainës, tha për BBC se furnizimet me ushqim dhe ujë kanë arritur në nivele të ulëta.
“Banorët nuk kanë ushqim, por më e rëndësishmja kanë mungesë të ujit. Dhe disa ditë më parë, tanket filluan të sulmonin ndërtesat nënkatëshe, në mënyrë që njerëzit të mos mund të largoheshin. Të gjithë po qëndrojnë në banesat e tyre dhe në bodrume, duke menduar nëse do të vdesin pas një ore”, tha ai.
“Granatimet nuk ndalen kurrë dhe të shtënat nuk ndalen kurrë”, shtoi ai.
“Avionët kanë lëshuar qindra bomba gjatë 24 orëve”.
Gurin po ashtu u shpreh pesimist lidhur me mundësinë e hapjes së korridoreve humanitare nga ky qytet, duke thënë se “pala ukrainase po tenton të arrijë marrëveshje për hapjen e tyre, por Rusia gjithmonë ka vetëm fjalë”.
Ai tha se bombardimet kanë shkatërruar 30 për qind të ndërtesave të qytetit dhe 50 për qind e tyre janë dëmtuar rëndë.
“Shtëpia ime është djegur plotësisht”, tha ai.
Mbështjellja e artit të Lvivit
Teksa qyteti perëndimor i Ukrainës, Lviv, po bëhet cak i sulmeve me raketa nga Rusia, banorët lokalë po tentojnë të mbrojnë thesaret e artit publik të qytetit.
Ukraina shpreson për hapjen e dhjetë korridoreve humanitare
Ukraina shpreson të evakuojë civilët gjatë së shtunës përmes dhjetë korridoreve humanitare në qytetet që gjenden në frontin e luftimeve me forcat ruse, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.
Ajo tha se janë pajtuar që të hapen korridore humanitare në qytetin e rrethuar të Mariupolit, edhe pse përpjekjet e mëhershme të autoriteteve ukrainase për të evakuuar banorët nga ky qytet, kryesisht kanë dështuar.
Ukraina dhe Rusia vazhdimisht kanë fajësuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimeve të përkohshme për evakuimet nga Mariupoli. Në këtë qytet besohet se 300,000 banorë kanë mbetur të bllokuar.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Raportohet për luftime brenda qytetit të Mariupolit
Në qytetin e rrethuar ukrainas, Mariupol, po raportohet për luftime brenda qytetit.
Transmetuesi britanik BBC raporton se trupat ruse kanë arritur që të depërtojnë përmes kolonave të blinduara.
Në këtë qytet, ku po vazhdojnë luftimet, besohet se janë 300,000 persona të bllokuar, të cilët nuk po mund të evakuohen për shkak të granatimeve.
Po ashtu, qindra persona ende besohet se gjenden të bllokuar në teatrin e Mariupolit që u bombardua disa ditë më parë. Në këtë objekt, që përdorej për strehim, besohet se në momentin e bombardimit gjendeshin mbi 1,000 persona.
Luftime raportohet se po zhvillohen edhe në pjesë të tjera të Ukrainës. Në Harkiv, forcat ukrainase po vazhdojnë të zmbrapsin sulmet ruse dhe e njëjta gjë po ndodh edhe në Sumi, që gjendet në verilindje të Ukrainës.